Paloka: Rama gati ta kthejë vendin në hi, po na çon drejt një përplasje

Paloka: Rama gati ta kthejë vendin në hi, po na çon drejt një përplasje

09:32, 02/05/2019
A+ Aa A-

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, është shprehur në një intervistë se me 30 qershor ose do të triumfojnë qytetarët dhe demokracia, ose do të instalohet dhe një herë diktatura

“Sigurisht që dialogu dhe negociatat janë ato që do të përcaktojnë rrugën se si do të shkohet në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri por që ne të ulemi në dialog, ka disa kushte paraprake dhe më i rëndësishmi është largimi i Ramës si kryeministër”. Paçka se aleatët e PD-së kërkojnë tryezë dialogu, për nënkryetarin e PD-së, Edi Paloka, opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhje me Ramën kryeministër. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Paloka i pyetur për sinjalet që u dhanë në Berlin për çështjen e Integrimit të Shqipërisë në BE, thotë se: “Problemi është se ndryshe nga Zaev që deklaroi se do të jepte dorëheqje nëse vendit të tij nuk i hapeshin negociatat, Rama është gati të çojë në humnerë Shqipërinë vetëm të mos e lëshojë karrigen”. Ndërsa për datën 30 qershor, ai thotë se: “Ose do të triumfojnë qytetarët dhe demokracia, ose do të instalohet dhe një herë diktatura. Kjo është luftë për ekzistencë, po e them përsëri”.

Protesta e radhës e opozitës, e planifikuar në 11 maj po vjen me një paralajmërim për një tubim të fortë dhe me objektiva të qarta. Thirrja për dëbimin e qeverisë me protesta është hera e parë që bëhet në mënyrë direkte nga z.Basha. Si do të organizohet PD-ja me aleatët, protestë disa orëshe dhe pastaj do të tërhiqeni?

Protestat janë mjeti për të arritur një qëllim. Qëllimi i opozitës së bashkuar, tanimë është i shpallur; krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Që të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, në radhë të parë duhet vullnet politik nga qeveria, e cila ka mekanizmat për të lejuar ose penguar që zgjedhjet të jenë të tilla. Kryeministri aktual, pavarësisht nga emrat në qeverinë e tij, ka treguar se jo vetëm nuk ka vullnet të lejojë zgjedhje të lira por është frymëzuesi dhe organizatori direkt i manipulimit të tyre, duke përdorur në mënyrë të kundraligjshme çdo mjet që ka në dispozicion, madje duke shkuar deri atje sa të përdor krimin dhe të bashkëpunojë me krimin e organizuar për të blerë e kërcënuar votuesit. Ky është një fakt që opozita e ka denoncuar që me zgjedhjet e pjesshme në Dibër, e denoncoi dhe në 2017 dhe sot vërtetohet për këdo nëpërmjet dy dosjeve të njohura me numrat 339 dhe 184, dosje të bëra publike dhe nga mediat ndërkombëtare.

Siç e dini, të implikuarit në këto dosje janë njerëz të ngarkuar direkt nga kryeministri Rama me manipulimin e zgjedhjeve, madje për të dhënë një sinjal të qartë të vullnetit të tij, Rama njërin prej tyre, Damian Gjiknurin e “gradoi” si nr.1 të organizimit të zgjedhjeve për “rilindjen”. Kjo është dhe arsyeja pse prokuroria dhe drejtësia nuk veprojnë, sepse ai që tanimë kontrollon drejtësinë, e ka dhënë të qartë sinjalin që jo vetëm nuk do të lejojë të dënohen ata që kryen krimin elektoral në Dibër apo në zgjedhjet e 2017 por ata do të drejtojnë dhe krimet e tjera elektorale që po përgatiten.

E vetmja “punë” që ka bërë qeveria Rama në këto gjashte vite, ka qenë përgatitja intensive për grabitjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të radhës. Në këto kushte, opozita e bashkuar ka bërë dhe lëvizjet e saj, që janë lëvizje absolutisht të forta dhe ekstreme por të detyruara pikërisht nga situata ekstreme ku ndodhemi. Të gjitha partitë kryesore në vend, të djathta dhe të majta, pas dorëzimit të mandateve të deputetit, kanë vendosur të mos lejojnë më përsëritjen e krimeve elektorale në Shqipëri.

Zgjedhje pa opozitë, me opozitë fasadë dhe me Ramën kryeministër nuk mundet e nuk do të ketë më! Protestat janë një nga mënyrat që opozita ka zgjedhur për të realizuar këtë qëllim. Pjesëmarrja e sa më shumë protestuesve ka qenë objektivi ynë në këto protesta të para dhe siç e keni ndjekur nga protesta e parë më 16 shkurt deri tek e fundit, numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë ka qenë në rritje të dukshme. Pavarësisht të gjithë pengesave dhe presioneve të qeverisë duke filluar nga presioni mbi drejtuesit e mjeteve, që sjellin protestues në Tiranë apo postoblloqet e rrugëve e deri tek largimet nga puna, dhuna gjatë protestave, kërcënimet dhe burgosjet e protestuesve, jo vetëm që numri i protestuesve është rritur, por dhe shprehja e revoltës ka qenë në shkallë më të lartë.

Duhet theksuar që dhuna, gazi dhe burgosjet, jo vetëm nuk i kanë bërë njerëzit të tërhiqen por kanë forcuar bindjen dhe shpirtin e tyre të revoltës. Ka kohë që pakënaqësia është kthyer në urrejtje për Ramën dhe dhuna e represioni, vazhdojnë ta ushqejnë e rrisin këtë urrejtje çdo ditë e më shumë. Në këto kushte, kur reagimi qytetar vihet përballë arrogancës e dhunës qeveritare, nuk ka rrugë tjetër veçse shpërthimit të revoltës. Bllokimi i rrugëve është vetëm një hap drejt përshkallëzimit. Hapa që opozita i ndërmerr për të dhënë sinjalin e duhur por që nuk merr përgjigjet dhe reagimet e duhura nga qeveria. Kjo, për mendimin tim, do të na çojë deri më 30 qershor në një përplasje të pashmangshme. Unë e kam thënë dhe një herë, Rama është gati ta kthejë vendin në hi, po të jetë i sigurtë që më pas do të jetë ai që do të sundojë mbi hirin. Për pushtetin e tij, për interesin e tij ai nuk llogarit askënd. Ne të tjerët e kemi luftë për ekzistencë. Jemi në kushtet e luftës për ekzistencë. Është në diskutim jo demokracia si koncept abstrakt, por direkt jeta jonë dhe e fëmijëve tanë. Unë vetë kështu e shoh. Pushteti i Ramës përballë të ardhmes e jetës së fëmijëve tanë.

Si i lexoni sinjalet e deritanishme nga Samiti i Berlinit? Sa i takon çështjes së Integrimit të Shqipërisë në BE, sinjalet janë që nuk do të marrim dritën jeshile për në qershor, data është shtyrë për në shtator? A ka faj dhe opozita për këtë situatë ku kriza politike është duke shkuar drejt rrezikimit të pluralizmit?

Takimi i Berlinit, nuk dha thjesht sinjale por përgjigje te qarta. Sot nuk jemi në kushtet kur mund të presim hapjen e negociatave por po rrezikojmë dhe të bëjmë hapa pas në kthimin e vizave. E këtu nuk është vetëm vendimi i Parlamentit holandez, por kemi dhe një deklaratë të Macron që BE-ja të rishikojë kushtet e lëvizjes në zonën Shengen për disa vende. Kjo deklaratë u konkretizua fatkeqësisht me një qëndrim, pikërisht në Takimin e Berlinit ku Shqipëria e Ramës u konsiderua si shkak edhe për mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

Kjo është shumë e rëndë dhe fajtor për këtë është vetëm një njeri, Edvin Rama! Po çfarë ndodh me Ramën e qeverinë? Reagimet janë edhe më skandaloze e tregojnë qartë se jo vetëm nuk reflektohet por kanë ndërmend të bëjnë që shqiptarët të prekin fundin e gropës së zezë ku po na zhysin. E mbani mend që një vit më parë u vendos shtyrja e vendimit për hapjen e negociatave. Ky në fakt ishte një farë favori, për të mos dhënë një “Jo” të prerë, po për t’i lënë qeverisë dhe një vit kohë që të plotësonte kushtet e vëna bashkë me disa kushte të shtuara posaçërisht për qeverinë Rama.

Po çfarë ndodhi? Në vend që minimalisht të kërkonte ndjesë për bllokimin e të angazhohej për realizimin e kushteve që ishin shtuar, Rama shpalli “fitoren”. “Negociatat u hapën”, -tha me pafytyrësinë më të madhe. Lëshoi dhe ca të pafytyrë të tjerë nëpër studio televizive që flisnin për “suksesin e arritur” (mbaj mend që në njërën prej tyre Shalsi më ftoi dhe të festonim së bashku “hapjen e negociatave”) hodhi dhe fishekzjarrë. E më pas, jo vetëm nuk u impenjua të ndiqte realizimin e kushteve që i kërkoheshin, por i çoi gjerat edhe më zi aq sa dhe atë që mbante si të vetmin kalë beteje që i kishte mbetur, të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”, ja menderosën me publikimin e një sondazhi dhe bashkëautorët e saj. Ndryshoi qeverinë, po jo për ti përmirësuar gjerat, po për t’i zhytur më keq. Mjaftojnë dy ministritë kryesore; e Brendshmja dhe e Jashtmja, për të kuptuar këtë realitet. Llesh kimiku ja arriti që në më pak se një vit, të ketë dyfishim vrasjesh në vend. Ai gjeniu i vogël në Ministrinë e Jashtme, ka vetëm një “meritë” se po zbavit shqiptarët e ndërkombëtarët me “gjeninë” e tij. Rezultati; jo vetëm nuk na hapen negociatat por siç thashë, rrezikojmë kthim prapa. E për qartësi, se shoh që bëhet prapë një “ngatërresë” diku më e diku pa qëllim; në vjeshtë është shtyrë marrja e vendimit dhe jo hapja e negociatave.

Në Berlin, Ramës ju bë e qartë që vendet anëtare, as nuk do t’a dëgjojnë fare se çfarë do të thotë Komisioni Europian për qershorin ( meqë Rama synonte të shiste prapë rekomandimin e KE-së si sukses) dhe nëse nuk plotëson kushtet, në vjeshtë do të ketë një tjetër “Jo”. “Thashetheme” nga Berlini përmendin se kërkesat e opozitës, nuk janë shtuar si kushte, po nuk kanë kaluar pa u përmendur si mënyrë për zgjidhjen e krizës dhe hapjen e rrugës për Integrimin e Shqipërisë. Problemi është se ndryshe nga Zaev që deklaroi se do të jepte dorëheqje nëse vendit të tij nuk i hapeshin negociatat, Rama është gati të çojë në humnerë Shqipërinë vetëm të mos e lëshojë karrigen. Duhet parë sesa janë gati shqiptarët ta pranojnë të sakrifikojnë të ardhmen e tyre, për karrigen e Ramës.

Në platformën politike me 12 pika, aleatët e PD-së ndër të tjera kërkojnë tryezën politike nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. A janë këto takime sinjale se kriza mund të zgjidhet pa patur nevojë për përshkallëzim të mëtejshëm dhe si do të reagojë PD-ja, do të dëgjojë zërin e aleatëve për tryezë që vendi të mos rrezikojë destabilitetin?

Përshkallëzimi ose jo i situatës, siç përmenda dhe më lart, varet vetëm nga reagimi i Ramës. Sigurisht që dialogu dhe negociatat janë ato që do të përcaktojnë rrugën se si do të shkohet në realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri, që janë dhe qëllimi i të gjitha pikave të përcaktuara dhe në marrëveshjen e partive opozitare, por që ne të ulemi në dialog, ka disa kushte paraprake dhe më i rëndësishmi është largimi i Ramës si kryeministër. Kjo nuk është një tekë e opozitës, as se ne po kërkojmë ti heqim “Cristiano Ronaldon” ekipit kundërshtar, siç e quan veten Rama, por është kërkesë që lidhet me sa thashë dhe më lart, që është vërtetuar tanimë se Rama me pushtetin e qeverisë, ka manipuluar dhe synon të manipulojë dhe zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Ne nuk kërkojmë “daljen nga fusha” të Ronaldos, po ky “Cristianoja” i “Rilindjes” duhet të hyj në fushë me kushte të barabarta e rregulla të njëjta loje me kundërshtarin. Nuk mund ti bëj golat me dorë e pastaj edhe në rolin e arbitrit ta quaj golin e rregullt duke thënë; “unë kam parë kamerat”.

PS firmosi koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe siç z.Rama thotë, zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe se PS-ja do të fitojë të gjitha bashkitë. Rama ka “kërcënuar” me burg kush pengon zgjedhjet. Në këtë situatë aspak të qetë, ku presioni është rritur, si do ta izolojë PD-ja qeverinë “Rama 2” për të shkuar në zgjedhje të lira?

Fakti që Rama vazhdon ti përgjigjet me arrogancë dhe nuk afron zgjidhje për situatën e krizës në vend, sigurisht që nuk projekton asgjë të mirë për të ardhmen. Nëse ai vërtetë mendon se do ta kthejë Shqipërinë në ditët më të errëta të saj e ka gabim. Siç e ka gabim nëse mendon që duke rrethuar Tiranën me tela e duke u rrethuar vetë me bodyguardë e forca speciale, do të mundet ta mbajë në këmbë pushtetin e tij personal pa u cenuar. E përmenda dhe më lart, pakënaqësia e njerëzve ndaj Ramës është kthyer në urrejtje dhe në këto kushte arroganca e tij vetëm e acaron më tej situatën, duke na çuar drejt një përplasjeje ku në fakt populli nuk ka më asgjë për të humbur. 30 qershori kthehet kështu në një pikë pa kthim, në fund të së cilës ose do të triumfojnë qytetarët dhe demokracia, ose do të instalohet dhe një herë diktatura. Kjo është luftë për ekzistencë, po e them përsëri.

Si e komentoni nxitjen dhe thirrjen që Ambasada Amerikane dha për cilindo kandidat, që të regjistrohen në zgjedhjet lokale? E cilësoni ndërhyrje në punët e Brendshme të Shqipërisë dhe a po mbështet kauza e opozitës për zgjedhje të lira nga ndërkombëtarët?

Kauza për zgjedhje të lira, nuk është vetëm kauzë e opozitës shqiptare. Zgjedhjet e lira janë themeli i çdo demokracie në botë dhe sigurisht ajo amerikane është kampionia në këtë pikë. Ne po kërkojmë pikërisht që edhe shqiptarët të gëzojnë ato të drejta që kanë qytetarët në vendet demokratike. Për këtë është beteja jonë dhe ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund. Tanimë problemet me demokracinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri, i kanë denoncuar jo vetëm mediat më të rëndësishme ndërkombëtare por dhe institucionet përkatëse ndër të cilat do të kujtoja raportet e dy viteve të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit./ Redjon Shtylla, Koha Jonë/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Ari02/05/2019 09:39

O Ed Paloka ti mir i thua kshu me fjal po ke dy protesta qe po e shperndan turmen duke i hequr nga kryeministria dhe duke i nxjer shetitje ke parlamenti duke u larguar njerzit e katandisur nga 100000 njerez ne 200 veta kur arrin ke parlamenti mbas shetitjes ????????????

Shto koment

Denonco