Spaho: 'Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë, do i pengojmë me çdo kusht'

Spaho: 'Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë, do i pengojmë me çdo kusht'

20:51, 01/05/2019
A+ Aa A-

Ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho tha nga studio e Fax News se protestat e opozitës do të intensifikohen dhe do të shtrihen në kohë, pasi nuk ka asnjë rrugë tjetër për integrimin e vendit.

“Protestat do të intensifikohen dhe do të jenë më të gjata në kohë, sepse jemi vendi që na është prerë rruga e integrimit europian, jemi vend prej të cilit të rinjtë po ikin, jemi vend ku vidhen dhe blihen votat, ku nuk funksionojnë organet e drejtësisë”. 

Spaho tha më tej se qeveria ka nëpërkëmbur qytetarët.

“Unë nuk di ndonjë formë tjetër përballë kësaj situate. Qeveria ka nëpërkëmbur në mënyrën më të papërgjegjshëm qytetarët dhe shumica e tyre e mbështet aksionin opozitar sepse ata duan të shikojnë shenjat e qarta se e ardhmja mund të jetohet në këtë vend”.

Spaho ka folur edhe për takimin e Presidentit Meta me partitë e vogla.

 “Ne nuk kemi thënë se nuk do të futemi në zgjedhje, ne kemi deklaruar se nuk do të lejojmë që të zhvillohen zgjedhje farsë. Kemi kërkuar një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër për të siguruar hapjen e rrugës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Me Edi Ramën si kryeministër ne nuk dialogojmë sepse ishte ai me qeverisjen e tij që e kanë dërguar vendin në këtë situatë.

Nuk mund të korrigjohet kjo sëmundje kaq e rëndë me atë që e shkaktoi. Epoka e tij ka mbaruar, opozita nuk ka për ti dhënë edhe njëherë dorën që ai të bëjë atë që ka bërë gjithnjë që kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës. Së pari ai duhet të largohet për ti hapur rrugë një platforme të re politike që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ne që nesër do të prezantojmë platformën opozitare për funksionimin dhe punën e qeverisë tranzitore”, tha Spaho.

Spaho foli edhe për planin që ka opozita sa i përket bashkëpunimit me aktorët e tjerë politik, mediat dhe të shoqërisë civile për t’u konsultuar që të krijohet një platformë sipas tij sa më e plotë.

“Kur të arrihet tek pika e dialogut  me Partinë Socialiste, aktorët e tjerë politik, mediatik dhe të shoqërisë civile, do të konsultohet edhe më tej përmbajtja e kësaj platforme dhe strategjie se si do të vihet në zbatim”.

Spaho foli edhe për deklaratën e bërë prej disa muajsh nga aktorë të ndryshëm opozitar se në zgjedhje nuk do të shkohet pa opozitën, duke paralajmëruar se ato do të pengohen me çdo mjet.

“Zgjedhje me 30 Qershor nuk do të ketë, së pari nuk mund të ketë zgjedhje farsë dhe e dyta nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Opozita jemi ne dhe ai nuk mund të shkojë as me deputetë që kanë devijuar nga vendimmarrja politike as me partitë e reja që ka krijuar. Ne do të veprojmë me të gjitha mënyrat dhe forcat që të mos i lejojmë këto zgjedhje farsë”.-tha Spaho.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco