Të ndjehesh sindikalist...si Ruçi

Të ndjehesh sindikalist...si Ruçi

10:29, 01/05/2019
A+ Aa A-

Nga Luçiano Boçi.

Ruçi në një postim euforik, është zgjuar sot sindikalist për një çast, me rastin e 1 Majit. Por si sindikalist pushteti i thekur ama. Feston dhe anatemon!? Sulmon me zjarrr opozitën e protestuesit që janë sindikalistët e vërtetë të këtij vendi e përkëdhel frikën e vet.

Çfarë teatri absurd!

Të ndjehesh e të jesh sot sindikalist z. Ruçi, do të thotë:

Të protestosh në rrugë me njerëzit, të cilët kërkojnë të drejtën më bazike demokratike, votën e lirë, që ti me Ramën ia blen, ia vjedh, ia rrëmben.

Të protestosh me minatorët e naftëtarët, të cilët ti me Ramën i shpërfillni me vendimet tuaja antiligjore, duke i mohuar të drejtat, duke i diskriminuar e tallur.

Të protestosh bashkë me 400.000 punëtorët , që paguhen sot vetëm me 26 mijë lekë në muaj e nuk ushqejnë dot familjen e nuk shkollojnë dot fëmijët.

Tê protestosh bashkë me mësuesit, pedagogët, mjekët, infermierët, administratën, për pagat skandaloze, për përcmimin që ju i bëni dhe për eksodin që ju i detyroni.

Të protestosh bashkë me qytetarët, të cilëve ju i grabisni shtëpinë, katandinë, i burgosni fëmijët dhe i godisni me gaz e me helm, baballarët, nënat, motrat, vëllezërit.

Të protestosh bashkë me fermerët, të cilët i keni zhveshur nga çdo përkrahje e i keni shndërruar në bujkrobër modernë.Image

Të protestosh bashkë me artistët, q? ju i prishni tempullin, i shpërfillni e i përçani shpirtin.

Të protestosh bashkë me studentët për tarifa e kushte normale universitare, të cilët ju i mashtroni me pakte false.

Të protestosh me të papunët, që kërkojnë jetë.

Të protestosh me biznesin e vogël e të mesëm që po i mbysni, i mbyllni e falimentoni.

Të protestosh me policët, të cilët ju i keqpaguani e i keqpërdorni si mish për topin e pushtetit tuaj, kundër sindikalistëve që janë ngritur sot për të drejtat e tyre.

Të ndjehesh sindikalist z. Ruçi, do të thotë të jesh opozitar i regjimit që falsifikon parlamentin, shtetin e bashkëpunon me krimin për interesat e veta.

E pra! Ne jemi në rrugë duke protestuar.

Jemi krah sindikalistëve: punëtorëve, qytetarëve, fermerëve, artistëve, mësuesve, pedagogëve mjekëve, infermierëve, administratës, të papunëve.

Jemi në rrugë, për t’i hapur udhë së nesërmes e shpresës.

Ju jeni në zyrat e pushtetit me votat e të drejtat që i keni grabitur.

Ju keni frikë nga sindikalizmi! Nëse një çast ndjehesh sindikalist, atëhere bashkohu me sindikalistët e vërtetë në 11 Maj para Kryeministrisë. Nese jo, më mirë hesht!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco