Meta mesazh Perandorit të Ri të Japonisë: Besimplotë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të forcohen

Meta mesazh Perandorit të Ri të Japonisë: Besimplotë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të forcohen

10:08, 01/05/2019
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka dërguar një lëtër Perandorit të Ri të Japonisë ku i shkruan se “me rastin e kurorëzimit Tuaj në Fronin e Perandorit të Japonisë, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të mira e të sinqerta për Madhërinë Tuaj, për Familjen Perandorake të Japonisë, si dhe për popullin mik japonez.

Ja letra e plotë

Madhëria Juaj,

Me rastin e kurorëzimit Tuaj në Fronin e Perandorit të Japonisë, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të mira e të sinqerta për Madhërinë Tuaj, për Familjen Perandorake të Japonisë, si dhe për popullin mik japonez.

Ju uroj nga zemra shëndet të plotë, lumturi dhe shumë suksese përgjatë Erës Suaj Perandorake “Reiëa”, në dobi të popullit japonez por edhe të paqes e sigurisë në rajon e në botë.

Jam besimplotë dhe shumë optimist se gjatë Erës së Madhërisë Suaj, marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis dy vendeve e dy popujve tanë do të forcohen edhe më shumë e do të njohin zhvillime të reja pozitive, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Japonisë janë zhvilluar në mënyrë shumë miqësore e të qëndrueshme, veçanërisht në tre dekadat e fundit. Hapja e Ambasadave të dy vendeve tona, respektivisht në Tokio e në Tiranë, i ka dinamizuar dhe zhvilluar marrëdhëniet si kurrë më parë, duke rritur jo vetëm bashkëpunimin politik e ekonomik, por mbi të gjitha kontaktet e drejtpërdrejta mes bashkëqytetarëve tanë. Kjo është garancia më e mirë për të ardhmen miqësore të dy vendeve tona.

Ju siguroj gjithashtu se, shqiptarët janë shumë mirënjohës për të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin që Japonia i ka ofruar përmes ndihmës teknike e financiare të dhënë ndër vite.  Kjo ndihmë bujare e ka forcuar edhe më shumë ndjenjën e miqësisë së popullit shqiptar për Japoninë dhe popullin japonez.

Së bashku me urimet më të mira për Madhërinë Tuaj, si dhe dëshirën për t’Ju takuar me rastin e ceremonisë së kurorëzimit, ju lutem pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco