Pak orë para takimit, Thaçi i bën karshillëk Merkelit e Macron: Nuk ka negociata pa…

Pak orë para takimit, Thaçi i bën karshillëk Merkelit e Macron: Nuk ka negociata pa…

12:59, 29/04/2019
A+ Aa A-

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se nuk mund të ketë dialog apo negociata pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklarata e presidentit të Kosovës bëhet disa orë para se të fillojë Samiti i Berlinit i thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në një paraqitje para mediave së bashku me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, presidenti Thaçi tha se ‘Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk mund të ketë negociata pa praninë e Shteteve të Bashkuara’.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj mohoi se ekziston një draft i konkluzioneve të Samitit të Berlinit.

‘Ajo që është me rëndësi është se Kosova ka qëndrimet e veta pra edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona’, tha Haradinaj.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jenë sot nikoqirë të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin që do të mbahet në Berlin.

Samiti është joformal dhe ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor [Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës] në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Në këtë samit, pritet të jetë e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe përfaqësuesi i Sllovenisë.

Bazuar në agjendën e Samitit, Merkel fillimisht pritet të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë që edhe ky Samit t’u ndihmojë atyre për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Më pas, Merkel dhe Macron pritet t’u adresohen mediave edhe përmes një konference për gazetarë.

Agjenda vazhdon me mbajtjen e takimit të përbashkët si dhe një darkë pune pas së cilës edhe do të lëshohet një deklaratë me konkluzionet.

Pasi që Procesi i Berlinit paraqet vazhdimësi të takimeve të ngjashme që janë mbajtur që nga vitit 2014, në kuadër të konkluzioneve, Samiti pritet të përshëndetë marrëveshjen e arritur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth mospajtimit mbi emrin, duke e cilësuar atë si një shembull për zgjidhjen e suksesshme të konflikteve.

Ndërkohë, Merkel dhe Macron pritet që të inkurajojnë edhe Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve./REL

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Albani29/04/2019 14:06

Kosova ka 7-8 vjet qe negocion me ndermjetesimin e BE-se. Pse nuk eshte ankuar deri tani ky?

Shto koment

Denonco