RAPORTI/ Sekretet e Arta Markut e Donika Prelës dhe ...viza Amerikane

RAPORTI/ Sekretet e Arta Markut e Donika Prelës dhe ...viza Amerikane

11:59, 29/04/2019
A+ Aa A-

Procesi i Vettingut ka futur në sitë edhe drejtuesit e lartë të Prokurorisë shqiptare.

Të parët që iu nënshtruan ishin kryeprokurorja Arta Marku dhe Donika Prela, drejtuese në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Si Marku, ashtu edhe Prela morën një vendim pozitiv nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke kaluar procesin vlerësimit.

Gazeta SI ka siguruar raportet sekrete të Grupit të Punës së Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar për Arta Markun dhe Donika Prelën, e para që synon të jetë sërish Prokurore e Përgjithshme dhe e dyta që të jetë pjesë e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion e njohur ndryshe me emrin SPAK.

Sekretet e Donika Prelës

Në raportin sekret, DSIK vë në dijeni se Donika Prela (Prenga) i është refuzuar viza Amerikane, gjë që është pasqyruar në Deklaratën për Kontrollin e Figurës nga vetë subjekti i vlerësimit.

‘Këtu theksojmë faktin që në Deklaratën për Kontrollin e Figurës është plotësuar nga subjekti i rivlerësimit në datën 27.01.2017, ndërsa refuzimi është me 8.06.2010. Ndodhemi përpara rrethane lehtësuese ku subjekti i ka deklaruar dhe gjithashtu referuar pikës 2, të nenit ‘DH’ periudha e rivlerësimit mbulon periudhën që nga janari 2012 e në vazhdim.

Gjithashtu theksohet se ky fakt duhet të merret në konsideratë në kompleksitetin e vlerësimit të figurë së Prelës, duke vënë në dijeni edhe faktin se vendimi i ambasadës së SHBA-së merret si një standard për pastërtinë e zyrtarëve shqiptarë.

‘Shqyrtimi i aplikimit për vizë në SHBA shoqërohet me verifikim të besueshëm dhe profesional të aplikantit. Marrja e vizës së SHBA-së kuptohet si standard për pastërtinë e figurës ku aplikanti i nënshtrohet një procedure të imtësishme dhe të besueshme vettingu. Ndërkohë që refuzimi/revokimi i vizës bëhet për disa arsye, sjellim në vëmendje se Ambasada e SHBA ka deklaruar se do ta përdorë të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion për refuzimin/revokimin e vizave të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Kjo praktikë është ndjekur nga SHBA për promovimin e luftës kundër korrupsionit, anembanë botës’, thuhet më tej në këtë raport.

Image

Gjithashtu DSIK bën të qartë se raporti i Grupit të Punës i dhjetorit 2017 është përpiluar pa përgjigjen e një prej 3 autoriteteve Verifikuese, konkretisht të Shërbimit Informativ të Shtetit. Gjithsesi mbi bazën e informacioneve që disponon grupi i punës vlerëson se ‘për Donika Prelën nuk administrohen prova, informacione konfidenciale, apo informacione të tjera nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar’.

Më tej theksohet se Grupi i Punës konstaton përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit Donika Prela.

Çështja e refuzimit të vizave nuk është përmendur ndaj seancës dëgjimore që zhvilluar me Prelën. Ndërsa në vendimin e zbardhur nga KPK përmendet se bashkëshorti i Donika Prelës kishte marrë hua me qëllim për aplikimin për vizë amerikane, por e padeklaruar. ‘Mosdeklarim i huamarrjes në shumën 1,000,000 lekë ndaj shtetasit Gj. P.,për efekt të pajisjes me vizë, në deklaratën e interesave private periodike vjetore, 2010. Huaja private në shumën 1,000,000 lekë është marrë nga bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit z. V. P. nga djali i xhaxhait të tij Gj. P., më datë 2.6.2010, me qëllim depozitimin në bankë për shkak të aplikimit për vizë amerikane. Shuma është depozituar më datë 3.6.2010 nga bashkëshorti pranë Bankës Kombëtare Tregtare, Tiranë, ku është pajisur dhe me vërtetimin me nr. *** prot., datë 3.6.2010 lëshuar për Ambasadën Amerikane. Kjo shumë është tërhequr më pas nga banka në dy këste, më datë 7.6.2010 dhe datë 9.6.2010 dhe i është kthyer shtetasit Gj. P. nga ana e bashkëshortit të subjektit’, thuhet në faqen 15 të vendimit të KPK-së.

Shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjatë seancës dëgjimore në KPK pati një përplasje jo të vogël me vëzhguesin ndërkombëtar të ONM-së, Theo Jacobs, sa i përket deklarimit të të ardhurave të bashkëshortit dhe mungesës së pagesës së sigurimeve shoqërore.

Përfaqësuesi i Opinionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, në seancën dëgjimore, e pyeti Prelën se pse i shoqi është paguar me para në dorë. ‘Pse bashkëshorti juaj e ka marrë pagën në dorë dhe a ka pasur llogari bankare? Kjo mund të duket pyetje pa vend, por dua të di nëse nuk janë paguar taksat ose jo. Kjo më lë shije të keqe. Unë fokusohem tek taksat’, – u shpreh Jacobs.

Image

Ai kërkoi që kryeprokurorja e Krimeve të Rënda ta ndihmonte për të kuptuar nëse i shoqi ka shmangur pagesën e taksave dhe nëse është bashkëpunëtor apo viktimë.

Në përgjigjen e saj Prela tha se i shoqi ka bërë kontrata të rregullta me pagë neto dhe detyrime dhe se ai i është përmbajtur kontratave, por firma e ndërtimit sipas saj nuk ka respektuar detyrimet ligjore. ‘Nuk është rast i vetëm. Mosrespektimin e kontratave e bëjnë dhe institucione shtetërore. Tatimet nuk detyrojnë punëmarrësit të paguajë tatimet. Mbahen në burim nga punëdhënësi dhe paguhen prej tij. Të dëmtuar jemi ne. Por nuk kemi pasur qëllim të bëjmë pasuri të paligjshme’, – do të deklaronte prokurorja.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se Donika Prela ka probleme me deklaratën e pasurisë. Bazuar në raportin e ILDKPKI-së, Donika Prela ka një mosdeklarim të huamarrjes në shumën e 1 milion lekëve, vlera e blerjes së një toke arë, e cila është e dyshimtë, pasi zona është në zhvillim. Gjithsesi KPK vendosi që të vendoste konfirmimin në detyrë të Prelës si prokurore/ drejtuese në Prokurorinë e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Vendim i KPK-së do të ankimohej nga Komisionieri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit më 10 prill të 2019-ës.

Raporti për Arta Markun

GazetaSI disponon dhe raportin e Grupit të Punës për prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, e zgjedhur nga Parlamenti vetëm me 69 votat e socialistëve në dhjetor të 2017-ës.

Kryeprokurorja Marku rezulton në dokumentet e DSIK-së si një figurë e pastër dhe e pranueshme për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. ‘Për subjektin e rivlerësimit znj. Arta Ndrec Marku nuk administrohen prova, informacione konfidenciale apo informacione të tjera, nga të cilat mund të ngrihen dyshime të arsyeshme për kontakte për papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Sa me sipër, Grupi i Punës konstaton përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës të subjektit të rivlerësimit’, thuhet në shkresën e firmosur nga kreu i DSIK-së, Dorian Tola.

Image

Arta Maku doli përpara KPK-së në korrik të 2018-ës. Vetë kryeprokurorja nuk preferoi që të ishte e pranishme dhe të përfaqësohej nga avokatja. Mungesa e Arta Markut në dëgjesën për vettingun ka rënë në sy të kryesueses së seancës Genta Tafa Bungo, që ka kërkuar nga avokatja e kryeprokurores sqarime për mos paraqitjen në këtë seancë.

Por edhe, vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Teo Jacobs, ka shprehur keqardhje për ketë mungesë. Ai ka kërkuar më shumë sqarime dhe debat për çështjen e ngritur në seancë, që i referohet kohës që zonja Marku ka qenë prokurore në Shkodër në vitin 2016 dhe ka kërkuar arrest me burg për një shtetas me inicialet A.B. që akuzohej për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Kjo masë është vlerësuar si ekstreme, nga relatorja.

‘E kisha fjalën që prokurori duhet të sillte prova dhe shpjegime pse duhet të rrinte në burg personi, pse rrezikonte të kryente aksident, duhet ta provonte një gjë të tillë. Ajo që vlerësoj te ajo është që i arrestuari nisi gjyqin shume shpejt, pra dy javë pas arrestimit. Por masa e sigurisë nuk është e argumentuar me prova’, do të deklaronte Jacobs gjatë seancës dëgjimore. KPK vendosi më 4 korrik të 2018 konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Arta Marku, me funksion Prokurore e Përgjithshme e përkohshme.

/Botuar nga GazetaSi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku 29/04/2019 16:19

Votat e "zgjedhjes" së kësaj katunare u vodhën në parlament nga Taulant Balla, në prani të vet kryepërkurores , madje e votoi edhe njê deputet i PD qe ndodhej në spital në Itali. Gjithsej edhe me votat e vjedhura u bënë 69 vota pro nga 140 deputetë, shumicë e cilësuar jo e jo, por as shumicë e thjeshtë nuk u arrit, duheshin 71. Përkurorja duhej të kishte nis cilësisht proçedim penal për Taulantin dhe Gramozin, por nuk e bëri, duke vjedhur kështu postin e kryepërkurores. Mjafton kaq për të mos kaluar vetingun kjo përkurore e pa moral(sepse prokurore jo e jo kjo sykja e ulsi kokpatates).

Shto koment

Denonco