Kryemadhi: Rama bredh me policë, ja çfarë do bëjmë ne për fermerët e blegtorët

Kryemadhi: Rama bredh me policë, ja çfarë do bëjmë ne për fermerët e blegtorët

11:28, 29/04/2019

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, i ka kushtuar vëmendje sot problemeve të fermerëve shqiptarë, që s'kanë subvencione, as tregje, as mbështetje qeveritare dhe ka publikuar pikat themelore të projektit të LSI-së për zgjidhjen e tyre.

Në një shënim në Facebook, Monika Kryemadhi shkruan:

Prodhimet e fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë këto ditë janë gjendur nën një stuhi goditjesh të padrejta dhe deri kriminale. Këto sulme diku të dirigjuara edhe me “figurantë” dhe aktorë televizivë sollën një stepje të konsumit të prodhimeve shqiptare.

Qeveria e Rilindjes u mjaftua me një deklaratë të thatë aspak bindëse të Ministrisë së Bujqësisë, e cila në vend të jepte mbrojtje djersës dhe sakrificës së mijëra fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë, u mundua të justifikonte sulmet ndaj tyre.

Fermerët dhe blegtorët japin 22% të prodhimit të brendshëm bruto dhe sigurojnë miliona euro eksporte, të cilat u rrezikuan nga ky sulm i paprinciptë.
50% e popullsisë jeton edhe punon në ferma apo merret me blegtori. Ne duhet të jemi në krah këtyre njerëzve punëtorë dhe të palodhur, që shteti i Rilindjes i ka lënë si qytetarë të dorës së dytë. Duke i shkurtuar subvencionet me gati 6 herë, duke mos pasur asnjë iniciativë në mbështetje të tyre, por vetëm taksa të larta dhe shfrytëzim i mundit të tyre.

Jo vetëm nuk bën asgjë për t’i siguruar tregun fermerëve të Korçës, Dibrës dhe Pogradecit për mollët apo të heqë akcizën e naftës, por qeveria e Rilindjes i uli edhe TVSH-në në shitjen e produkteve të tyre.

Edi Rama ka një javë që bredh me policë e forca speciale nëpër Shqipëri, por në fjalimet e tij kilometrike nuk gjeti asnjë sekondë kohë për të mbrojtur prodhimin shqiptar. Ai tashmë i kthyer në një lolo pazari, merret me opozitën, por jo me shqiptarët. Halli i tij i vetëm janë bandat e krimit të organizuar edhe oligarkët. Vetëm për ta shqetësohet. Një telekomandë në dorën e tyre. E mbani mend si vrapoi të promovonte Check-up korruptiv duke i bërë analizat me media me vete? Harxhoi miliona lekë për spote promocionale nga taksat e shqiptarëve, për këtë vepër gjigande korruptive, por për fermerët e blegtorët u mjaftua me dy gisht letër. Nuk mjafton me kaq, por e paguan koncensionarin me miliona euro në vit nga paratë e shqiptarëve për punë të pakryer ose me saktë pa bërë asnjë punë. Fiks aq sa është edhe subvencioni i fermerëve ketë vit. Si tërbohet edhe hungërin në mbrojtje të drejtuesve të policisë, të kapur dhe shërbëtorë të krimit. Si promovon me mbulime live televizive për Air Albania apo aeroportin e Vlorës, që tenderat e tyre skandaloze e korruptive po hetohen nga BE. Si jargavitet dhe djersitet nga sikleti kur bën ligj antikushtetues për shembjen e teatrit dhe na del me orë të tëra për t’i shpjeguar sa pa vlerë është teatri, një nga krenaritë e shqiptarëve.

Ndaj sot si nënë, si grua, si shqiptare dua t’ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve; konsumoni produktet tona të mrekullueshme, të mbjella e kultivuara nga vëllezërit tanë. Djersa e tyre, e jona, duhet respektuar e trajtuar me dashuri. 

LSI së shpejti do të paraqesë një program të qartë për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve.

Subvencionimi do të jetë për çdo kokë bagëti, për çdo koshere blete, çdo dynym të mbjellë, për çdo serë të ndërtuar, direkt te fermeri duke hequr hallkat dhe burokracitë e deritanishme ku fermerët më shumë kohë dhe para harxhonin për aplikime, se sa përfitonin nga subvencionet. 

LSI do heqë akcizën e naftës për fermerët, ashtu siç e hoqi për peshkimin kur drejtonte Ministrinë e Bujqësisë.

Duhet të ndihmojmë dhe të çlirojmë fermerët nga këto taksa te larta që po i marrin frymën.

Gjithashtu do paraqesin një paketë ligjore ne mbrojtje të prodhimeve të fermerëve dhe blegtorëve shqiptar, që asnjë spekulator të mos guxojë më të nëpërkëmbë emrin, sakrificën, punën e mijëra fermerëve për “fitime” aspak të lidhshme. Forca e shtetit do veprojë mbi këta spekulatorë, jo si sot ndaj qytetarëve të lirë.

LSI nuk ka bërë ndonjëherë propagandë me fjalë boshe, por edhe si më parë fjala e LSI, është fjalë e mbajtur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

altini29/04/2019 11:52

Po Lulushi ku eshte? A e di se ne fshat ende jetojne dhe punojne gati gjysma e popullsise? Se bujqesia jep rreth 20% te PBB? PD nen drejtimin e Lulit e ka lene pas dore problemin e fshatit. Turp, per nje parti te madhe dhe qe pretendon te drejtoje vendin. LSI e pati per 4 vjet drejtimin e bujqesise dhe i beri naften. Tani dalin e flasin sikur nuk ishin njerezit e tyre qe drejtuan dhe grabiten bujqesine deri me 2017.

Shto koment

Denonco