Dy dështimet e mëdha, përse Rama shkon kokulur në takimin me Merkel

Dy dështimet e mëdha, përse Rama shkon kokulur në takimin me Merkel

09:52, 29/04/2019

Të hënën në Berlin pritet t’i vihet viza një teze të rrezikshme, asaj për ndarjen e Kosovës, të përkrahur nga kryeministri Edi Rama. Por edhe sa i përket integrimit, priten vetëm frazat standarde dhe asgjë e prerë për nisjen e negociatave

Nga Enton Palushi

Kur kryeministri Edi Rama të futet në zyrën e Angela Merkel të hënën pasdite, për një takim të shkurtër përpara darkës së shumëkomentuar me liderët e rajonit, gjërat nuk do jenë më si para katër-pesë vitesh. Vizitat e tij në Gjermani nuk janë pakësuar, por më së shumti atje shkon si piktor. Në zyrën e Merkel do futet me të tjera etiketime mbi shpinë. Revista gjermane “Spiegel” e rendit në mesin e zjarrvënësve në rajon, me të njëjtin ‘status’ si Milorad Dodik, udhëheqësi i serbëve të Bosnjës. Se si arriti në këtë pikë artisti mendjehapur i reformave, kjo do shumë për t’u shpjeguar. Fakt është se përpara kancelares Merkel, ai do të duhet të shpjegojë shumë gjëra dhe ndoshta koha nuk ia premton. Nga samiti i Gjermanisë, Rama mund të sjellë një foto triumfuese me Merkel, por ende pa nisur kjo darkë, ai shkon me dy dështime mbi shpinë, nëse i referohesh së paku shtypit gjerman.

‘Varrosja’ e tezës për ndarjen e Kosovës

Gazetarja Adelheid Woelfl është ndër të paktët zëra që raporton në botën gjermanishtfolëse për Shqipërinë. Për të, ideja zjarrvënëse e ndarjes së Kosovës ka lindur në një takim mes kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç. E njëjta gazetare shkruan se të hënën pasdite, në takimin e thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kjo ide do të varroset përfundimisht. Kryeministri Edi Rama nuk e rreshtoi kurrë veten publikisht pro kësaj ideje, por gazeta Tagesspiegel thotë se Rama ishte mes atyre që e mbështeti idenë e rrezikshme. Kurse revista Spiegel i ‘vë kapak’, teksa e quan Ramën një zjarrvënës me deklaratat e tij. Por ndërsa revista thotë se presidenti kosovar Hashim Thaçi e mbështeti këtë ide pasi kërkonte ta shpallte veten si një menaxher i suksesshëm i krizës, në mënyrë që të sigurojë mbijetesën e tij politike dhe të shmangë akuzat nga Tribunali Special i Kosovës për krimet e luftës, për motivet se përse Rama doli në krah të saj, nuk mund të thuhet shumë. Disa mund të spekulojnë se në kohë krizash politike të brendshme, duhet tërhequr vëmendja me kartën nacionaliste.

Gjermanët si zakonisht tregohen hermetikë kur bie fjala për të qarkulluar informacione në lidhje me këtë samit. Nga Tirana dhe Prishtina janë lëshuar disa zëra që kërkojnë ta minimizojnë efektin e tij, duke thënë se qëllimi është thjesht një darkë pune në kuadër të një procesi të iniciuar nga Berlini për të mbajtur gjallë shpresat e integrimit në një rajon të vështirë. E megjithatë, për thuajse çdo gazetë e revistë në Gjermani, diçka është e sigurt, Merkel dhe Macron do i vënë vizë një ideje të rrezikshme në rajon: asaj për ndarjen e Kosovës. Duke i vënë vizën kësaj ideje, ata indirekt do i japin së paku një mesazh të fortë atyre që i kanë dalë në krah, duke flirtuar me një tezë që ka acaruar ndjeshëm shqiptarët jo vetëm në Kosovë. Në këtë mënyrë, kryeministri Edi Rama do e ketë një arsye për të hyrë kokulur në tryezë, duke e ditur se në rrafshin ndërkombëtar, qeverisja e tij nuk ka qullosur ndonjë gjë, madje i ka fryrë një ‘zjarri’ që për Berlinin është i rrezikshëm.

Asnjë fjalë e mirë për negociatat

Dhjetë vjet më parë, më 28 prill të vitit 2009, Shqipëria aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nëse kalendarët në Shqipëri kanë dalë jashtë funksionit me kohë, këtë datë na e kujton gazeta gjermane, Die Zeit. Interesant është të shohësh se një dekadë thuajse është tretur përpara syve të shqiptarëve dhe vendi nuk ka bërë ndonjë hap domethënës drejt integrimit. Marrja e statusit të vendit kandidat ishte i vetmi lajm i mirë në dekadë, ndërkohë që për të nisur negociatat, një proces që do zgjasë shumë, shumë vite, akoma nuk kemi një sinjal pozitiv.

As në takimin e së hënës, Rama nuk do të marrë ndonjë mesazh pozitiv. Natyrisht, sipas Deutsche Welle-s, nuk do mungojë fjalia standarde e Merkel që ‘Gjermania u jep rëndësi perspektivës europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë’, por presidenti francez, Macron nuk pritet ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE. Sipas agjencisë Reuters, Franca dhe Holanda vazhdojnë të jenë vendet që këmbëngulin për të mos hapur negociatat. Madje Holanda po ndërmerr një iniciativë akoma më të frikshme, duke kërkuar rivendosjen e vizave me Shqipërinë. Por mos mendoni se kancelarja gjermane do e ketë të lehtë të bëjë premtime për qeverinë e Ramës. Sipas Reuters, brenda partisë së saj ka rezerva dhe votimi në Bundestag do jetë i vështirë.
Më e rëndë bëhet situata po të shohësh se mediat gjermane kanë nisur që të diferencojnë tani Maqedoninë si vendin më të mundshëm për të marrë hapjen e negociatave.

Gazeta prestigjioze Frankfurter Allgemeiner shkruan se pas zgjidhjes së krizës së emrit dhe pas miratimit të një qeverie reformatore, Maqedonia është në avancë. “Mbi të gjitha, Maqedonia e ka fituar plotësisht hapjen e negociatave”, shkruan Handelsblatt. Kurse Iniciativa Europiane për Stabilitet, një think-tank me ndikim në Berlin, bën thirrje që jo vetëm të varroset ideja e shkëmbimit të territoreve në Ballkan, por edhe që të hapet drita jeshile për nisjen e negociatave më Maqedoninë.
Për Shqipërinë, asnjë fjalë.

***
Kryeministri Edi Rama mund të kthehet nga Berlini me shumë material për propagandën e përditshme në Shqipëri. Shqipëria edhe mund të fitojë nisjen e negociatave, jo vetëm nga Komisioni, por edhe nga vendet anëtare të BE-së, por e hëna nuk do jetë një ditë e mirë për qeverinë. Në Berlin do flitet më shumë për Kosovën dhe Serbinë, megjithatë kriza politike në Shqipëri dhe protestat në rajon vazhdojnë të jenë një dhimbje koke më shumë për Berlinin dhe Parisin. “Krizës politike në Shqipëri nuk i mungon potenciali i destabilitetit”, shkruan Deutsche Welle. Ndoshta ajo nuk do të diskutohet edhe aq shumë të hënën në Berlin, por fakt është ajo që shkruan Reuters, se tashmë Merkel i ka hedhur sytë më shumë drejt halleve të Ballkanit Perëndimor. E detyruar nga situatat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

;)29/04/2019 10:53

Rama shkon kokeulur. Berisha shkonte kokengritur :)))

Albi29/04/2019 10:53

Per cfar cdeshtimi e keni fjalen! Ky eshte lider botror qe do i jap leksione Merkelit. Hahah ky ka deshtuar qe kur ka lindur

Shto koment

Denonco