Berisha: Hashim Thaçi peng i dosjeve të Beogradit; Baton Haxhiu dhe Edi Rama janë...

Berisha: Hashim Thaçi peng i dosjeve të Beogradit; Baton Haxhiu dhe Edi Rama janë...

20:48, 25/04/2019
A+ Aa A-

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, ka thënë se taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnje dhe Hercegovina, është një taksë anti argatëve të Beogradit në Prishtinë, si një reagim për të bllokuar marrëveshjen e tyre të fshehtë me padronët e tyre në Beograd për copitmini e Kosovës.

Berisha ka theksuar se, projektin e “serbomadhisë” të lidhur me territoret e Kosovës, Beogradi ua ka besuar të dy argatëve të tij në Prishtinë dhe Tiranë. Sipas tij, Baton Haxhiu apo siç e ka quajtur, “Baton Stanishiqi” është shefi i argatëve të Beogradit në Prishtinë.

Ish kryeministri Berisha, ka nënvizuar se drejtimi i dialogut me Serbinë nga Presidenti Thaçi përbën konflikt interesi, duke qenë se i njëjti nuk është pastruar ende nga akuzat e Dick Marty-it, mbi të cilat u krijua Gjykata Speciale.

Sipas tij, Thaçi është peng i dosjeve dhe territori i Kosovës nuk duhet të mbetet peng për shkak të tij.

Pjesë nga intervista:

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e BE-së ndaj Kosovës në krahasim me qasjen ndaj Serbisë, mendoni se ka diferenca të mëdha në këtë drejtim?

Sali Berisha: Padyshim që ka diferenca të qarta, sidomos prej disa nga vendeve anëtare të BE-së, që nuk kanë njohur Kosovën. Nuk mund të thuhet se në qëndrimet e tyre ndaj Kosovës, të cilën ata për një arsye apo për një tjetër nuk do ta donin vend të pavarur, të mos ndikohen nga Serbia.

“Bota sot”: Si e keni parë ju situatën me taksën 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, a ishte veprimi i duhur i qeverisë si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës?

Sali Berisha: Unë jam për tregtinë e lirë, por në rastin konkret unë mendoj se kjo taksë është para se gjithash një taksë anti argatëve të Beogradit në Prishtinë, është një reagim për të bllokuar marrëveshjen e tyre të fshehtë me padronët e tyre në Beograd për copitmini e Kosovës. Nuk besoj kurrë se kryeministri i Kosovës apo udhëheqësit e forcave politike në Kosovës janë kundër marrëveshjes me Serbinë. Por ata janë kundër marrëveshjes që arritën në fshehtësi argatët e Beogradit me padronët e tyre, e cila synon copëtimin e Kosovës apo shkëmbimin e territoreve sipas oreksit të Beogradit dhe projektit të Serbisë së Madhe. Në Kosovë këtë marrëveshje, përveç argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe Listës Serbe nuk e përkrah asnjë forcë politike dhe asnjë institucion i Republikës së Kosovës. Padyshim që taksa ka krijuar një problem vërtet serioz. Mendoj se një rrugë për heqjen e saj mund të ishte dhe largimi nga përfaqësimi në negociata i argatit të marrëveshjes së fshehtë gjersa të përfundojë punën Gjykata e Hagës. Kjo besoj se është e domosdoshme pasi besohet gjerësisht se Miladini shqipfolës është në konflikt të hapur interesi. Unë personalisht nuk kam asnjë të dhënë për ndonjë krim të kryer nga ai por e di mirë se krijimi i Gjykatës erdhi pas raportit plotë akuza direkte të senatorit Dick Marti.

Në të vërtet unë e kam kundërshtuar atë raport në OKB dhe në të gjitha forumet e tjera ndërkombëtare me shumë se sa vet të akuzuarit, jo se unë pajtohem me krimet e luftës apo krimet kundër njerëzimit, por e kam kundërshtuar i bindur se ai ishte produkt i senatorit serbofil dhe rusofil Dick Marti dhe prokurorit famëkeq të Beogradit Vukçeviç, i cili trillonte krime të paimagjinueshme për të cilat as vet Millosheviçi nuk kishte akuzuar shqiptarët ndonjëherë.

Mirëpo e vërteta është se papritmas në Prishtinë argati i akuzuar direkt ne atë raport kërkoi anulimin ligjor të marrëveshjes për gjykatën e Hagës dhe pasi dështoi me këtë nismë zuzare, gradualisht doli me flamurin e Serbisë së Madhe në mes të Prishtinës. Mendoj se çdo gjë do të zhbllokohej nëse argati, që në konflikt të plotë interesi ka negociuar marrëveshjen e fshehtë sipas interesave të veta dhe padroneve të tij, do të përjashtonte vetën apo do përjashtohesh nga të tjerët nga negociatat dhe të mos dukej se po bënë gjithçka në funksion të pengmarjës së tij. Çdo njëri i civilizuar me minimumin e integritetit është i detyruar të marrë një vendim të tillë. Përndryshe si peng i palës tjetër ai dëshmohet shumë i rrezikshëm dhe çdo akt i tij është tërësisht i pabesueshëm.

“Bota sot”: Sa ka mundësi reale që Kosova të marr Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin pa dhënë diçka në këmbim të saj, ashtu si po pretendon presidenti i Kosovës Hashim Thaçi?

Sali Berisha: Mendoj se kësaj pyetje i dha përgjigje të hapur për qytetarët e Kosovës dhe të mbarë botës gjatë vizitës së tij në veriun e Kosovës presidenti serbomadh i Serbisë Aleksander Vuçiç. Ai, njëlloj si Millosheviçi që zgjodhi Kosovën për të shpallur publikisht projektin e vjetër të Serbisë së Madhe, në tre takimet që zhvilloi në komunat me shumicë serbe deklaroi as me shumë dhe as më pak se Serbia do të bëhet më e madhe, pra do bëhet më e madhe duke marrë territore të Kosovës. Në fjalën e tij për të konfirmuar përkushtimin dhe besnikërinë e tij ndaj idesë së Serbisë së Madhe dhe urrejtjen raciste ndaj shqiptareve, Vuçiç deklaroi se Sllobodan Millosheviçi, kasapi i shqiptarëve ishte një udhëheqës i madh por që kishte bërë edhe gabime. Sipas tij gabimi dhe jo faji i Millosheviçit kishte qenë lufta. Ndaj dhe ai do ta bënte Serbinë më të madhe jo me luftë, por me argatët e tij në Prishtinë dhe Tiranë.

Pra, të besosh se Serbia do bëhet më e madhe duke i dhënë Kosovës komunat e Bujanovcit, Medvegjes dhe Presheves është si të besosh rrethin katror apo thjeshtë dëshirë për të mashtruar veten ose për të bërë punën e argatit të Vuçiq.

“Bota sot”: Si mund të ndalet “jetësimi” i kësaj ideje?

Sali Berisha: Projektin e serbomadhisë të lidhur me territoret e Kosovës, Beogradi ua ka besuar të dy argatëve të tij në Prishtinë dhe Tiranë. Këta të dy përfaqësojnë rrezik madhor kombëtar për shqiptaret kudo që janë. Largimi i tyre sa më shpejt nga skena politike është jetike për të ardhmen e vendeve tona.

“Bota sot”: Z. Berisha, si e keni parë ju rolin e Baton Haxhiut në çështjen e idesë së prekjeve të territoreve?

Sali Berisha: Baton Stanishiqi është shefi i argatëve të Beogradit në Prishtinë dhe një nga gjërat më të papranueshme është fakti se si ky u imponohet shqiptarëve në Kosovë në një kohë kur në Kosovë nuk ka njeri atje që nuk e din se ky ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i serbëve. Ai bile ka rrezik që s`ka marrë ndonjëherë mundin ta mohojë këtë gjë. Tani, ky del zëdhënës kryesor i projektit të Serbisë së madhe në Prishtinë, ky del ndërmjetës kryesor i vizitave të Ramës në Beograd dhe merr pjesë në takimet në katër sy, midis Ramës dhe Vuçiqit duke dëshmuar rëndësinë absolute që ka ai në stablishmentin e Beogradit dhe Rama që publikisht e thotë, ky është thotë “një mik i ngushtë i imi”. Pra unë jam shumë i habitur se si ka mundësi të pranohet. Por, të jemi realist kjo është arsyeja që unë e quaj atë “argat in chief”, d.m.th kryeargati. Kryeargati është Batoni i cili i ka të gjitha fijet e tyre dhe u sjell çdo mesazh. Se po të vësh re, marrëdhëniet publike që janë bërë, kanë filluar nga fillimi i verës që kaloi. Për të argumentuar ndarjen e saj, shkëmbimin e territoreve, ndryshimin e kufijve etj me radhë. Që të gjitha këto janë pjesë e një fushate, e montuar në Beograd, e një terrori psikologjik mbi shqiptarët, për një marrëveshje të cilën e kanë arritur në fshehtësi të plotë, në dhunim flagrant të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila nuk autorizon asnjë njeri, të negociojë për territorin, për integritetin dhe sovranitetin e saj dhe nuk ka kushtetutë në botë që autorizon njeri që të diskutojë këto tre ligje kushtetuese. Pra ,në këtë kontekst, Batoni është argat “inchief”, dhe habia ime është se si ka mundësi në Kosovë të tolerohet kjo gjë.

“Bota sot”: Kur mund t`i ketë rrënjët kjo “argati” siç e quani ju?

Sali Berisha: Unë nuk merrem fare me rrënjët e saj, merrem me rezultatin. Pasi u tentua në mënyrën më të papranueshme, në mënyrën më zuzare për të anuluar marrëveshjen për gjykatën, marrëveshje të cilën e kemi pranuar të gjithë, edhe udhëheqja e Kosovës edhe ne e kemi pranuar. Kemi pranuar marrëveshje që të bëjnë hetimin se udhëheqja Kosovës dhe UÇK-ja u akuzua se janë marrë me transplante të organeve të serbëve, janë marrë me ndukje të organeve, shkulje të organeve për transplant. Ky krim, në konventat ndërkombëtare përbën krimin më të shëmtuar kundër njerëzimit. Dhe këtë akuzë e bëri Dick Marty. E thashë edhe më lart, u krijua Gjykata, e pranuam, e pranoi qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës. U bënë hetime, tani një ditë prej ditësh dalin e thonë ta anulojmë, pasi ishte bërë Gjykata, pasi ishin investuar qindra milion euro, pasi me procedura ndërkombëtare ishte shmangur OKB dhe Rusia, tani donin ta anulonin. Një veprim të tillë mund të merrte vetëm Kim Yong Un. Shtetet dhe udhëheqësit zuzar që s`kanë ligj as moral. Kur dështoi kjo përpjekje, atëherë doli dhe qoi krye ideja e dorëzimit të territoreve, për të arritur marrëveshje me Serbinë, kjo është e vërtet. Kështu që mua nuk më intereson fare se kur kanë filluar këta. Ajo që është e vërtetë, është se Beogradi ka dosje të cilave lloje të duash, të luftës, të paraluftës dhe të pasluftës. Kjo është qind për qind e vërtetë. Kusht themelor është përjashtimi i tij nga çdo proces negociatash se është në konflikt të plotë interesi. Ai është peng dhe nuk ka pse territoret e Kosovës të jenë peng për shkak të tij. Ajo që kam unë dijeni, gjykata është ngritur dhe gjersa ky të pastrohet nga gjykata ky s`ka të drejt si peng i dosjeve të negociojë për Kosovën. Pastaj qytetarët të bëjnë si të duan, por ai duhet të heqë dorë nga negocimi për Kosovën, se kjo nxinë çdo lloj marrëveshje që mund të bëhet.

“Bota sot”: Në bazë të asaj që zhvillohet aktualisht, cili mendoni se do të jetë epilogu i fazës finale të dialogut me Serbinë?

Sali Berisha: Unë mendoj se pavarësisht nga ndërlikimet e jashtëzakonshme dhe demet thelbësore që Beogradi me ndihmën e argatëve të tij në Tiranë dhe Prishtinë i bëri procesit të negociatave dhe arritjes se një marrëveshje ekziston një baze e vërtet solide kombëtare dhe ndërkombëtare ( e kanë fjalën për Kosovën) që Kosova dhe Serbia si dy vende te pavarura sovrane të arrijnë në një marrëveshje paqe bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

vera25/04/2019 23:56

"...ky s'ka te drejte si peng i dosjeve te negocioje per Kosoven"

Shto koment

Denonco