Bien investimet e huaja në Shqipëri/ Konfindustria: Nuk konkurrojmë dot as vendet e rajonit

Bien investimet e huaja në Shqipëri/ Konfindustria: Nuk konkurrojmë dot as vendet e rajonit

18:24, 21/04/2019

Banka Botërore parashikon një rënie të ndjeshme të ritmit të investimeve të huaja në Shqipëri përgjatë këtij viti.

Në raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, fluksi i investimeve nga jashtë vlerësohet se në 2019-n do të jetë sa 6.8% e prodhimit kombëtar, nga 7.8% që ishte vitin e shkuar, duke e ulur vlerësimin me 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Por vetë shoqatat e biznesit thonë se interesi i investitorëve të huaj është në rënie për disa arsye kryesore: shqetësimet në nivelin politik, ngërçi në sistemin gjyqësor dhe konkurrenca e egër rajonale.

“Ne nuk jemi më ishull, jemi të zbuluar para botës dhe të gjitha ngjarjet që ndodhin këtu pasqyrohen jashtë, flas për ato arsye që lidhen me ekonominë. dhe më kryesorja, ne nuk jemi konkurencial me vendet e rajonit”, thotë për Tv Klan Gjergj Buxhuku, drejtues i Konfindustrias.

Një tjetër element që pranohet nga Banka Botërore dhe ekspertët është edhe përfundimi i investimeve të mëdha si kaskada e Devollit dhe gazsjellësi Trans-Adriatik, kjo e shoqëruar edhe me faktin se nuk ka investime të reja të mëdha në vlera të tilla.

“Fluksi do të jetë në rënie sepse ne nuk kemi investime të reja private gjatë kësaj kohe, të madhësisë së madhe e mesme”, vijon Buxhuku.

Në fund të 2018-s investimet e huaja kapën shifrën më të lartë të dekadës së fundit, duke arritur në 1 miliardë euro, ndërsa parashikimi që institucionet ndërkombëtare bëjnë këtë vit për Shqipërinë për fluksin e tyre është më i ulëti në 5 vitet e fundit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment