Sulmi terrorist në Sri Lanka/ Reagon kreu i KMSH: Terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi

Sulmi terrorist në Sri Lanka/ Reagon kreu i KMSH: Terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi

17:46, 21/04/2019
A+ Aa A-

Rëndohet bilanci i sulmit terrorist në Sri Lanka, ku tre kisha dhe tre hotele u goditën nga shpërthime të organizuara, të dielën e pashkëve katolike.

Deri tani autoritetet raportojnë për 207 të vdekur dhe mbi 400 të tjerë të plagosur, që po marrin ndihmën mjekësore në spitalet lokale.

Shpërthimet e kishave thuhet se ndodhën gjatë shërbimeve të Pashkëve dhe në mesin e viktimave mund të ketë edhe turistë të huaj.

Imazhet grafike dhe pamjet e ndara në mediet sociale tregojnë shkallën e shkatërrimit pas shpërthimeve vdekjeprurëse të mëngjesit të sotëm.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu.

Sipas Spahiut, kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.

Reagimi i plotë i kreut të KMSH, Bujar Spahiu:

Në emrin tim personal dhe në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dënojmë ashpër sulmin terrorist të ndodhur në tri kisha dhe disa hotele në Sri Lanka, ku autoritetet raportojnë mbi 200 të vdekur dhe 400 të lënduar.

Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë akt barbar ndaj kishave, hoteleve dhe besimtarëve katolik, të cilët po kremtonin Pashkët, duke shprehur bindjen se terrori nuk ka fe e atdhe dhe me ligësinë e tij ai godet pabesisht.

Në këto momente dhimbjeje dhe trishtimi shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e viktimave dhe për të gjithë vëllezërit tanë të krishterë.

Kjo masakër dhe ky akt është një nëpërkëmbje arrogante ndaj çdo vlere njerëzore dhe një sulm i ulët e i dënueshëm nga çdo normë morale, fetare e universale.

Terrori nuk mund të jetë kurrë pjesë e ndonjë arritjeje apo shpëtimi, terrori nuk prodhon veçse kaos e ligësi. Ai merr jetë njerëzish të pafajshëm dhe është një goditje kundër vlerave demokratike universale dhe vlerave njerëzore.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i shpreh edhe një herë ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe mbarë popullit të Sri Lankës, si dhe i uron shërim të shpejtë të lënduarve.

Ne bashkohemi me dhimbjen e tyre dhe i lutemi Zotit që ngjarje të tilla të mospërsëriten si dhe të gjithë terroristët dhe mbështetësit e tyre të marrin dënimin e merituar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco