VIDEO/ Kryeprokurorja e Tiranes Elisabeta Imeraj flet për SPAK. Çfarë pritet

VIDEO/ Kryeprokurorja e Tiranes Elisabeta Imeraj flet për SPAK. Çfarë pritet

08:39, 20/04/2019
A+ Aa A-

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj tha sot se reforma në sistemin e drejtësisë dhe ngritja e strukturave të posaçme antikorrupsion SPAK janë të nevojshme për t’u përballur me krimin.

‘Për produktin ne duhet të presim. E rëndësishme është që të gjithë mekanizmat e përfshirë në zbatimin e këtij legjislacioni të ndryshuar, pra në zbatim të reformës në drejtësi, të bëjnë punën e duhur, në mënyrë që produkti si SPAK të dalë në mënyrë të duhur. Kjo pritet për t’u parë në varësi të punës që po bën secili nga institucionet përkatëse’ - tha kryeprokurorja e Tiranës.

Imeraj i bëri këto komente në një takim që organizoi Qendra ‘Zëri i Integrimit’ me studentë të juridikut për të diskutuar mbi plotësimin e detyrave antikrim që BE i ka vendosur Shqipërisë.

Imeraj i krahasoi këto struktura të reja speciale kundër korrupsionit sot në 2019 si një domosdoshmëri njëlloj si ishte e nevojshme ngritja e gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda në 2004, pra si një kundërpërgjigje ndaj krimit në periudha të ndryshme kohore.

Drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, e cila ka qenë më parë prokurore e krimeve të rënda, kërkoi mbështetjen e komunitetit qytetar dhe mediave në punën e hetuesve, të cilët janë pjesë e komunitetit dhe kanë angazhimet e tyre në familje dhe në lagje,e dërgojnë fëmijët në kopshte e shkolla si gjithë të tjerët.

‘Fakti që prokurorët hetojnë edhe raste korrupsioni të kolegëve të tyre tregon se vullneti i tyre për punë të ndershme ekziston. Nga kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh ne kemi disa të hetuar, të gjykuar e të deklaruar fajtorë, edhe pse janë kolegët tanë’ - tha zonja Imeraj.

Imeraj thotë se prej shumë vitesh hetoi krimet e rënda dhe tani që drejton prokurorinë e Tiranës e quajti si hap të natyrshëm kandidimin e saj për t’u bërë pjesë e strukturës speciale anti-korrupsion SPAK.

Shqipëria i kërkohet prej disa vitesh nga BE të luftojë më me forcë krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe ta tregojë këtë me rezultate konkrete, ndërsa një reformë e thellë strukturore ka përfshirë sistemin e drejtësisë, pjesë e të cilëve krahas vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, janë edhe strukturat Spak dhe BKH. /VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco