N/kryetari i FRPD Lisander Hoxha refuzon mandatin e deputetit: Ata që e pranuan janë dekor i Ramës

N/kryetari i FRPD Lisander Hoxha refuzon mandatin e deputetit: Ata që e pranuan janë dekor i Ramës

18:37, 19/04/2019

Lisandër Hoxha, kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike është thirrur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të marrë mandatin e deputetit duke zëvendësuar kështu ish deputetin Fatmir Mediu.

Hoxha deklaroi për SYRI.net se nuk mund të pranojë këtë mandat dhe të shkojë në Kuvend për të përfaqësuar këtë force politike në kuvend pasi kjo do të ishte një pafytyrësi. Refuzimi i këtij mandati është vendimi më i lehë që ka marrë ndonjëherë.

“Absolutisht që nuk mund të pranoj këtë mandat. Është gjëja më antipatike t’i thuash sot një deputeti liste bëhu pjesë e këtij parlamenti. Ajo është një liste emrash që kanë dërguar në KQZ por qytetarët kanë votuar për programin e Partisë Demokratike. Secili prej nesh do bënte gabim të madh të pranonte mandatin, në një kohë kur qindra mijëra qytetarë janë në rrugë, ti të shkosh aty dhe të deklarosh se je përfaqësues i PD është turp, është pafytyrësi. Unë këtë xhaketë nuk mund t’ja vesh vetes”, tha Hoxha.

Ai tha se për secilin anëtar të listës që merr një ftesë për të marrë mandatin është një vendim personal. Si forcë politike këto çështje janë të rregulluar në statutin e PD.

“Të gjithë ata që morën mandatin, përpara se ë ndërmerrnin këtë vendim duhet të dilnin përpara qytetarëve që janë arrestuar për vjedhje të energjisë elektrike, atyre që nuk kanë para të shtyjnë muajin, atyre që nuk blejnë dot ilaçet... ti pyesnin nëse mund të shkojnë në kuvend dhe të jenë dekor i Edi Ramës”, tha ai duke ju referuar të gjithë atyre që pranuan sot mandatin e deputetit.

Në cilësinë e nënkryetarit të Forumit Rinor Të Parisë Demokratike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar Hoxha u shpreh i bindur që nuk do të zhvillohen zgjedhje në Shqipëri pa Partinë Demokratike.

“Vetëm në Korenë e Veriut bëhen zgjedhje pa opozitën. Qytetarët nuk do të lejojnë që kjo të ndodhë. Kombi nuk do të ndahet në mes. Ne do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme”, argumentoi Lisandër Hoxha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco