Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Sezon protestash e farsash ndërkombëtare

Sezon protestash e farsash ndërkombëtare

21:17, 09/04/2019
A+ Aa A-

Kohë protestash në disa vende të Ballkanit. Qytetarët kanë dalë në sheshe në Serbi, Malin e Zi dhe Shqipëri. Protestohet kundër politikanëve autokratë dhe të korruptuar. Politikanë që me arrogancën e tyre po krijojnë probleme serioze, duke vënë në rrezik fatin e demokracisë së brishtë në këto vende.

Dhe jo rastësisht ka një emërues të përbashkët në të gjitha këto protesta: qytetarët e zhgënjyer e të zemëruar protestojnë kundër politikanëve të korruptuar dhe sistemeve totalitare që ata kanë ndërtuar. Protestat në Serbi kanë nisur nga fillimi i dhjetorit të kaluar dhe që atëherë vazhdojnë pa pushim çdo javë me moton “Një në 5 milionë”. Të shumtë e të vendosur, qytetarët po protestojnë kundër autoriteteve më të larta të Shtetit. Protestuesit shohin tek ta përgjegjësit direkt për gjendjen e krijuar, duke kërkuar dorëheqjen e tyre. Ndonëse presidenti serb premtoi zgjedhje të parakohshme më 26 mars, protestat vazhdojnë. Më 13 prill skadon ultimatumi i kundërshtarëve të presidentit për të përmbushur kërkesat e tyre. Gjithçka mbetet për t’u parë. Edhe në Malin e Zi po protestohet prej tetë javësh kundër keqqeverisjes. Edhe atje kërkohet dorëheqja e presidentit, e kryeministrit dhe e disa drejtuesve të lartë të sistemit të drejtësisë. Gjithçka nisi me publikimin e një videoje në rrjetet socale që tregonte përfshirjen e presidentit në një skandal korrupsioni më 2016. Akuza që i interesuari direkt i ka hedhur poshtë gjatë një interviste me një agjenci të njohur ndërkombëtare.

Presidenti, duke mohuar akuzat, foli për “faktorë të jashtëm” dhe “parti pro-ruse” që nxitin protestat. Fraza dhe insinuata që bindin pak. Dhe janë, si për konicidencë, të njëjtat fraza dhe insinuata që po përdor edhe kryeministri shqiptar përballë protestave të vazhdueshme që po trazojnë Shqipërinë. Protestat në Shqipëri janë ndryshe. Që prej më tepër se një viti vazhdon protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Një protestë paqësore dhe e motivuar mirë e nisur në shkurt 2018 dhe që, nga 15 qershori 2018, zhvillohet çdo mbrëmje në sheshin e vogël para Teatrit, duke tërhequr vëmendjen e e opinionit publik jo vetëm në Shqipëri. Një protestë që përballet me projektet kurruptivë e spekulativë të kryeministrit dhe disa nga këmbëlëpirësit e tij të paskrupullt. Për më tepër se një muaj, nga 5 dhjetori 2018, studentët e të gjitha universiteteve në Shqipëri dolën në sheshe për të protestuar kundër tarifave të larta dhe shpenzimeve të tjera që duhet të përballojnë.

Shpenzime që përfaqësojnë një problem serioz për shumë studentë dhe familjet e tyre, duke pasur parasysh varfërinë në rritje në nivel kombëtar. I vënë në vështirësi, kryeministri bëri të njëjtën gjë që di të bëjë, premtoi për të fituar kohë, i vetëdijshëm që nuk mund t’i mbante ato premtime. Dhe kështu ndodhi vërtet. Për këtë arsye, studentët e zhgënjyer njoftuan publikisht se po organizohen dhe do të dalin sërish në sheshe, më të vendosur se më parë. Prej më tepër se pesë muaj, çdo mbrëmje, protestojnë edhe banorët e një lagjeje të Tiranës. Protestojnë kundër një projekti ndërtimi abuziv i dëshiruar fort nga kryeministri dhe njerëzit e tij. Shpesh policia arreston manifestues, në shkelje të hapur të ligjit, me një synim të vetëm: intimidimin dhe heqjen dorë. Por pikërisht falë kësaj proteste u zbulua një skandal abuziv milionash, për të cilin prokuroria, e kontrolluar nga kryeministri, ka mbyllur sytë. Nga 16 shkurti në Shqipëri kanë nisur edhe protestat e thirrura nga opozita. Një ditë më pas kreu i opozitës deklaroi djegien e mandateve parlamentare, kushtëzuar nga realiteti.

Një zgjedhje që befasoi jo pak dhe që i kapi të gjithë gafil, përfshirë edhe kryeministrin. Djegia e mandateve ishte një propozim i bërë që në dhjetor 2017 nga ish-kryeministri dhe kreu historik i Partisë Demokratike, por që ishte shtyrë shpesh dhe injoruar nga opozita, ndërsa arsyet për t’u bërë nuk kanë munguar. Protestat ende vazhdojnë. Përveç dy protestave të mëdha të 16 shkurtit e 16 marsit, ka pasur edhe para parlamentit dhe në qytetet të ndryshme. Protesta tjetër e madhe është njoftuar për të shtunën e ardhshme, më 13 prill. Kryeministri shqiptar gjendet në vështirës të mëdha dhe po kërkon një zgjidhje të dëshpëruar për të dalë nga kriza e rëndë institucionale dhe personale. Pas djegies së mandateve nga deputetët e opozitës, kryeministri dhe të tijtë u aktivizuan për të zëvendësuar opozitën parlamentare me një “opozitë të re”.

Një opozitë “e çuditshme” kjo e fundit, e përbërë nga disa persona “të çuditshëm” në vendet e fundit të listave të depozituara nga partitë e opozitës gjatë zgjedhjeve politike më 2017. Kjo iniciativë është që tani si një palaçollëk i madh. Pjesë e “opozitës së re” janë edhe dy a tre deputetë të opozitës që nuk i dorëzuan mandatet. Një prej tyre, dhjetorin e kaluar, gjatë protestave të studentëve, kishte deklaruar publikisht që mund të linte mandatin. Ndërsa tani, për një kauzë më të rëndësishme publikisht, ka bërë të kundërtën. Kjo për të kuptuar integritetin moral e politik të deputetëve të “opozitës së re”. Menjëherë pas protestës së 16 shkurtit disa “përfaqësues ndërkombëtarë” akuzuan opozitën se me daljen nga parlamenti po pengonte rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Sikur t’i kishin kushtuar më tepër vëmendje atyre që deklaronte kryeministri do të kishin qenë më të besueshëm, pasi kërkonte dhe ende kërkon t’i bindë të gjithë që me “opozitën e re” do të bëhen reformat e gjithçka tjetër.

Gojët e liga thonë se opozita e re është një krijesë e tij, e bërë me porosi dhe e paguar mirë, me parà e mënyra të tjera. Sepse kryeministri shqiptar mundet. Dhe me këtë “opozitë” ai do të vazhdojë të bëjë reformat. Por, reformat e tij dhe ashtu siç i do ai! Autori i këtyre radhëve është i bindur që “opozita e re” është thjesht një krijesë e mjerë qesharake e kryeministrit. Një opozitë së cilës i besojnë dhe e përkrahin edhe “përfaqësuesit ndërkombëtarë”. Por meqënëse me opozitën e re gjithçka do të shkojë më mirë, përfshirë procesin evropian të Shqipërisë, atëherë autori i këtyre radhëve nuk mundet të mos e bëjë një pyetje të thjeshtë. Cila është e vërteta për rrugëtimin evropian të Shqipërisë? A mund ta thonë të paktën njëherë qartësisht “përfaqësuesit ndërkombëtarë”? Apo, siç thoshte Totò, secili ka fytyrën që ka, por ndonjëherë teprohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco