Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Të huajt po blejnë Shqipërinë, investuan 115 milionë euro në prona

Të huajt po blejnë Shqipërinë, investuan 115 milionë euro në prona

15:38, 25/03/2019
A+ Aa A-

Të huajt janë duke u dyndur masivisht për të blerë prona në Shqipëri. Tendenca konfirmohet nga Banka e Shqipërisë në statistikat më të fundit të publikuara me Bilancin e Pagesave.

Sipas BSH, vitin e kaluar investimet e huaja direkte në sektorin e Pasurive të Paluajtshme arritën në plot 115.5 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me 2017-ën investimet e të huajve në prona të patundshme janë trefishuar, ndërsa krahasuar me dy vjet më parë ato janë rritur me 4 herë.

Image

Banka e Shqipërisë nuk i detajon se sa prej këtyre investimeve janë nga kompani dhe ç'pjesë vijnë nga individët e huaj. Por burime nga BSH thonë se pjesa më e madhe janë blerje apartamentesh nga shtetas të huaj.

Agjencitë e pasurive të paluajtshme tregojnë se të huajt, kryesisht nga vendet nordike, po kërkojnë që të blejnë një shtëpi të dytë në bregdet. Jugu i Shqipërisë është një nga destinacionet më të kërkuara, por blerje pronash nga të huajt ka edhe në qytete të tjera bregdetare të vendit.

Në Durrës investimet nga të huajt vijnë kryesisht nga shtetasit polakë, por edhe vende të tjera të Europës Qendrore. 

Sipas agjencive turistike, shumica e të huajve preferojnë të investojnë në apartamente. Rritja e numrit të turistëve të huaj gjatë viteve të fundit duket se ka zgjuar tek ta interesin për të blerë një apartament banimi në Shqipëri duke shtuar ndjeshëm kërkesën.

Por veç turistëve që i blejnë këto apartamente vetëm për përdorim personal ka dhe një kategori tjetër të huajsh, të cilët po blejnë prona në Shqipëri për qëllime investimi. Sipas agjencive turistike, kjo kategori blerësish e shikon blerjen e një apartamenti në bregdetin shqiptar si një mundësi të mirë investimi për të përfituar nga rritja e çmimeve në të ardhmen apo për t’i dhënë me qira gjatë sezonit turistik, gjë që gjeneron të ardhura të konsiderueshme për individët.

Kjo kërkesë e të huajve në sektorin e pasurive të paluajtshme buron kryesisht nga çmimet e ulëta që ka Shqipëria krahasuar me vendet e tjera. Në shumë qytete bregdetare të Shqipërisë, çmimi i një apartamenti banimi varion nga 30 deri në 50 mijë euro, në varësi edhe të sipërfaqes.

Këto çmime janë dukshëm më të ulëta se sa në vendet e rajonit duke e bërë Shqipërinë një treg tërheqës për të huajt, veçanërisht ata që vijnë nga vendet e pasura të Europës. Por kohët e fundit është rritur interesi edhe nga shtetasit e Europës Lindore, veçanërisht polakët, bullgarët dhe ukrainasit, të cilët, pasi e kanë vizituar Shqipërinë si turistë, kërkojnë që të blejnë një apartament në një nga zonat bregdetare të Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco