Shqipëria tërhiqet nga marrëveshja për heqje të kufirit me Kosovën

Shqipëria tërhiqet nga marrëveshja për heqje të kufirit me Kosovën

16:53, 24/03/2019

Edhe pse një komb, një gjuhë dhe një histori, sërish mbetemi të ndarë. Në një kohë kur edhe brenda vendeve të Bashkimit Europian lëvizet lirshëm dhe pa patur nevojën e kontrolleve doganore, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës duket se do të vijojnë të hasin pengesa burokratike gjatë lëvizjeve në të dyja anët e kombit.

Pas hapit të parë për një pikë të përbashkët kufitare mes dy shteteve, hapi i dytë ishte nënshkrimi i një marrëveshje më 29 dhjetor të vitit të kaluar mes Kosovës dhe Shqipërisë ku thuhej se brenda pak muajve këto dy shtete nuk do të kishin më kufi mes veti.

Ndonëse në atë kohë deklararohej se, brenda pak muajve kjo marrëveshje të jetësohet duke dhënë edhe një datë 2 prillin si ditë historike kur kufiri mes dy shteteve shqiptare nuk do të ekzistojë, duket se kanë mbetur vetëm deklarata dhe asgjë më shumë.

Edhe pse edhe një javë na ndanë nga data e planifikuar, asgjë konkrete nuk ka në jetësimin e kësaj iniciative.  Kjo pasi që aktualisht nga kjo çështje është tërhequr grupi punës nga pala e Shqipërisë.

Mentor Tahiri, shef i kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Ekrem Mustafa, ka thënë për arbresh.info, se për momentin ka një tërheqje nga grupi punës i Shqipërisë dhe nuk e dinë kur do të fillojnë punën përsëri për këtë çështje.

“Siç jeni në dijeni qeveritë e dy vendeve kanë nënshkruar në fund të dhjetorit, një marrëveshje e cila synon krijimin e pikave të përbashkëta kufitare dhe kontroll të përbashkët kufitar. Përgjithësisht është krijuar një frymë e tillë bashkëpunimi me të cilën është paraparë që të zbatohen lehtësira në kontrollin kufitar, ashtu që qytetarët të mos vonohen gjatë udhëtimit të tyre. Kjo nënkuptonte që varësisht nga fluksi në pikat kufitare, të aplikohen mënyra alternative të kontrollit dhe jo domosdo të ndalet një automjet me pasagjer. Për të zbërthyer të gjitha këto detaje, janë krijuar grupe punuese nga dy palët. Megjithatë aktualisht ka një tërheqje nga grupi punues i Republikës së Shqipërisë dhe nuk ka një datë të precizuar kur do të vazhdojnë punimet e grupeve punuese”,  është shprehur ai.

Kjo marrëveshje e arritur në atë kohë pati ngjalluar reagime të shumta jo vetëm nga Serbia por edhe nga vetë ndërkombëtaret. Me pak fjalë, kjo marrëveshje nuk ishte mirëpritur.

Madje ishte Komisioni Evropian ai i cili në kuadër të liberalizmit të vizave për Kosovën, kishte rekomanduar që të ketë kontrolle kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Me gjithë kërkesat dhe reagimet nga të gjitha palët në atë kohë, por edhe sa herë që kjo çështje hapet, prapë se prapë janë qytetarët të cilët me ngulm kërkojnë një iniciativë të tillë. Të gjithë ata të cilët shkojnë në kufirin Vërmicë-Morinë, shprehen se një kufi i tillë, ndonëse tashmë kontrollohen vetëm nga një palë, nuk duhet të ekzistonte.

Sipas kalimtarëve dy vende, të cilat kanë një gjuhë dhe një komb, nuk do të duhet të kenë kufi. Ata shprehen se kjo vetëm sa ju vështirëson qarkullimin.

Pas vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit, tërheqja nga marrëveshja për heqjen e kufirit me Kosovën duket se është “thika e dytë pas shpine” e Tiranës zyrtare për shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco