Zëri i Amerikës, PD: Përgjimet e reja provojnë lidhjet e qeverisë me botën e krimit

Zëri i Amerikës, PD: Përgjimet e reja provojnë lidhjet e qeverisë me botën e krimit

10:42, 24/03/2019
A+ Aa A-

Partia Demokratike e opozitës publikoi sot dy përgjime të reja telefonike, që provojnë, sipas saj, lidhjet e qeverisë Rama me njerëz të botës së krimit.

Përfaqësuesi i PD-së, Ervin Salianji, u tregoi mediave dy biseda telefonike të drejtorit të policisë së Fierit dhe personit që besohet se është dëshmitari i rremë kundër opozitës, që sipas tij provojnë përpjekjet për të mbuluar lidhjet e dyshimta ish-ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj dhe të qeverisë Rama me trafikantë narkotikësh, si edhe përfshirjen në këtë çështje të sekretarit të përgjithshëm të PS-së Taulant Balla.

“Përgjimet zyrtare të prokurorisë faktojnë sajimin e dëshmitarit të rremë dhe skandalin e përfshirjes në narko-trafik si dhe lehtësirat e trafikut të drogës për vëllain e ish-ministrit të brendshëm, deputetit socialist Fatmir Xhafaj” - tha zoti Salianji.

Sipas tij, prokuroria zotëron një mori përgjimesh zyrtare, që faktojnë aferat kriminale të drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe drejtuesve të lartë të Partisë Socialiste në sajimin e një dëshmitari të rremë kundër opozitës.

Partia Demokratike deklaroi se prokuroria po shkel ligjin dhe Kushtetutën, duke mos i zbardhur këto përgjime, ku provohen shërbimet politike antiligjore të kreut të policisë në favor të Partisë Socialiste, qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Opozita deklaroi se përgjimet zyrtare të prokurorisë provojnë degradimin e shtetit dhe policisë deri në lehtësimin për trafikun e drogës dhe në mbrojtjen e trafikantëve të drogës.

“Fakti se si një drejtues policie i dërgon pagesa dëshmitarit të rremë kundër opozitës, tha zoti Salianji - tregon se si në qeverinë e Edi Ramës pushtetin real e kanë kriminelët, tregon nënshtrimin e policisë dhe prokurorisë ndaj tyre”.

Sipas tij, faktet në dosje tregojnë shpërdorimin e detyrës nga ish-ministri i brendshëm, drejtuesi kryesor i policisë dhe ai i Fierit, përfshirjen e numrit dy të partisë në pushtet në sajimin e një dëshmitari të rremë, për të shpëtuar nga drejtësia trafikantët e drogës dhe kriminelët. “Në një vend me drejtësi normale, të gjithë këta sot duhet të ishin në bankën e akuzës” - tha përfaqësuesi i opozitës. /VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Albani24/03/2019 11:00

Unike jane 500,000 vizitoret?

Shto koment

Denonco