Çfarë ndodh pas shkarkimit, ose  dorëheqjes së Ilir Metës si president, kush e zëvendëson?!

Çfarë ndodh pas shkarkimit, ose dorëheqjes së Ilir Metës si president, kush e zëvendëson?!

14:02, 20/03/2019
A+ Aa A-

Deklarata e sotme e Ilir Metës, se është i gatshëm që të japë dorëheqjen nga posti më i lartë në hierarkinë e shtetit shqiptarë, në funksion të zgjidhjes së krizës aktuale, ka ngjallur shumë hamendësime dhe prognoza.

Edhe përpara kësaj deklarate zëra të rëndësishëm të mazhorancës, që në periudhën e disa krizave mes qeverisë dhe presidencës për disa ligje dhe veçanërisht me rastin e përzgjedhjes së Gent Cakajt si ministër i Jashtëm, kanë artikuluar një mundësi të shkarkimit të Ilir Metës. Argumenti që kanë dhënë ka qenë, se ai më shumë se një herë ka shkelur rëndë Kushtetutën duke tejkaluar kompetencat e tij.

Vetë Edi Rama në një dalje televizive (Zonë e Lirë) me rastin e precedentit Cakaj, ka deklaruar se shkarkimi i Metës është një opsion, por nuk kanë votat duhura, ndaj do të presin deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

Por sot jemi në një situatë të re, kur pas lëshimit të mandateve nga PD-LSI, rrezikohet që në parlament të arrihet numri i votave të cilat duhen sipas kushtetutës, për shkarkimin e presidentit; 2/3 ose 94 vota.

Por çfarë thotë Kushtetuta për këtë rast të jashtëzakonshëm, por që në këtë situatë të po të jashtëzakonshme ku e ka futur vendin, Edi Rama, nuk është çudi që të ndodh?

Në neni 90, pika 2 thuhet: ‘Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij’

Më pas vazhdohet në Kushtetutë me pikën 3, të Nenit 90: Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Pra nëse në një situatë hipotetike, mazhoranca e Rilindjes, ndërmerr në një parlament të kontrolluar prej saj me 94 vota një aksion për shkarkimin e presidentit Meta, atëherë ku akt duhet certifikuar në Gjykatën Kushtetuese.

Por kjo e fundit aktualisht nuk ekziston dhe sipas radhës dhe ritmit që po ecën procesi i Reformës në Drejtësi, gjasat janë që do të duhet edhe shumë kohë, që vendi më në fund të ketë një Gjykatë Kushtetuese.

Kalojmë në opsionin tjetër, i cili u paralajmërua nga vetë Ilir Meta ditën e sotme; një vetë-largim nga posti i presidentit, pavarësisht nga arsyet se pse e bën këtë akt madhor dhe ekstrem.

Për këtë rast, Kushtetuta jep përgjigje në  Nenin 91 të saj dhe tekstualisht në pikat 1 dhe 2  të tij.

‘Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij’, përcakton pika 1.

Pra nëse Ilir Meta nga paralajmërim e shndërron në fakt vetë-largimin e tij nga posti i presidentit, automatikisht president i vendit bëhet Gramoz Ruçi që aktualisht mban pozicionin e kryetarit të Kuvendit.

Por Kushtetuta ka parishikuar, edhe sa zgjat kjo situatë dhe si zgjidhet më pas përfundimisht dhe kjo bëhet në  pikën 2 të Nenit 91.

‘Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë’, thotë Kushtetuta e Shqipërisë.

Pra gjithmonë nëse marrim të mirëqenë, një situatë kur Ilir Meta vetë-lagohet nga posti i lartë, Gramoz Ruçi, ka të drejtë që të ushtrojë detyrat e tij vetëm për 60 ditë. Pas kësaj mazhoranca e Ramës nëse parlamenti aktual plotëson numrin 140 për të qenë i ligjshëm sipas Kushtetutës, me 94 vota mund ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, vendin vakant të presidentit.

Pra nga do që të vërtitet kjo çështje; edhe nëse Rama merr nismën e shkarkimit të Ilir Metës; edhe nëse ky i fundit vetë-lagohet me vullnetin e tij nga posti i lartë, duhet me patjetër që vendi të ketë një Gjykatë Kushtetuese e cila nuk duket as në horizont.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Gramoz20/03/2019 18:12

Ne rast se presidenti dorhiqet, dhe meqense kryesigurimsi gramoz eshte kryekar i kuvendit, un propozoj qe baxhella Linda rama te behet presidente, atehere me te drejte Shqiperia do te quhej nje vend me demokraci te konsoliduar.

demir20/03/2019 15:51

me mire pa qeveri e shtet sesa me hajdute zullumqare neper zyra

Edi20/03/2019 15:08

Cfare doreheqje do beje Ilir Meta?! Pa Gjykate Kushtetuese, pa President Shqiperia do ishte si ne 1908.

Shto koment

Denonco