Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Droga e Xibrakës

Efraim Diveroli: Pse trillova për Shkëlzen Berishën

Efraim Diveroli: Pse trillova për Shkëlzen Berishën

11:36, 19/03/2019
A+ Aa A-

Kjo është dëshmia e Efraim Diverolit dhënë në Gjykatën e Floridas në datën 7 maj 2018, ku tregon se si e ka trilluar dëshminë për Shkëlzen Berishën.

Në dëshminë e tij, pronari i kompanisë së AEY, tregon se këtë histori e kishte trilluar me qëllim që të ushtronte presion ndaj kontraktuesit të tij të armëve.

Dëshmia e Diverolit eshte botuar diten e sotme ne gazeten Panorama.

ImageDëshmia e Efraim Diverolit në Gjykatën e Florida:

Deklarata nga Efraim Diveroli në Gjykatën e Floridës, SHBA, më 7 maj 2018

Unë, Efraim Diveroli, në përputhje me 28 U.S.C. 1746, deklaroj si më poshtë:

Unë e bëj këtë deklaratë bazuar në njohuritë e mia personale.

Nëse thirrem si dëshmitar, unë mund të dhe do të dëshmoja me kompetencë për çështjet e shtruara në këtë deklaratë.

AEY u krijua në shtetin e Floridës me zyra qendrore në Miami Beach.

Në 2006 dhe 2007, AEY është angazhuar në prokurimin e armëve dhe municioneve.

Gjatë kësaj kohe, unë kam qënë Presidenti dhe pronari i AEY dhe kam menaxhuar dhe drejtuar veprimtarinë e AEY.

David Packouz ishte një konsulent dhe i referohej vetes si drejtor dhe zv.President i AEY.

Alexander Podrizki ka qënë një agjent i AEY me vendndodhje në Tiranë, Shqipëri.

Më 26 janar 2017, Komanda e Mbarëvajtjes së Ushtrisë të Shteteve të Bashkuara, që është sektor i Departamentit të Mbrojtjes, zgjodhi AEY për të përmbushur kontratën me numër W52P1J-07-D0004 për gjetjen dhe dërgimin e municioneve të ndryshme në Republikën Islamike të Afganistanit, përfshirë këtu fishekë të kalibrit 7.62x54 mm dhe 7.62x39 mm.

Kontrata kishte një vlerë prej 298,000,000 dollarësh.

Midis të tjerave, kontrata përmbante një klauzolë që nuk e lejonte AEY të përmbushte kërkesat e kontratës me municion të blerë ‘direkt ose indirekt’ nga kompani ushtarake komuniste kineze.

AEY nënkontraktoi një kompani të huaj, Evdin lrt., për prokurimin e fishekëve me kalibër 7.62x54mm dhe 7.62x39 mm.

Nënkontraktori i AEY i mori këta fishekë nga Kompania për Import Eksportin Ushtarak në Shqipëri (‘MEIKO’).

Fishekët e MEIKO-s ishin prodhuar nga fabrika në Republikën e Kinës, mes viteve 1958 dhe 1974.

Fishekët do të dërgoheshin nga Shqipëria në Afganistan nëpërmjet fluturimeve të organizuara nga AEY.

Në mënyrë që të kursenim kostot e transportit, përfaqësues të AEY vendosën të çmontonin arkat e drurit ku ishin depozituar kutitë e fishekëve.

Në prill 2007, unë dërgova Podrizkin në Shqipëri si një agjent të AEY për të mbikëqyrur procesin e çmontimit të arkave të drurit dhe ngarkimin e fishekëve në avionët transportues.

Gjatë këtij procesi, Podrizki zbuloi që fishekët e MEIKO-s ishin prodhuar në Kinë.

Packouz, Podrizki dhe unë kuptuam që gjetja dhe dërgimi i fishekëve të prodhuar në Kinë ishte një shkelje e klauzolës kontraktuale, që ndalonte dërgesën e fishekëve të marrë në mënyrë indirekte nga kompani ushtarake komuniste kineze.

Natyrisht, Packouz, Podrizki dhe unë diskutuam me njeri-tjetrin dhe njerëz të tjerë të AEY për mënyrën se si të evitonim këtë shkelje.

Një nga alternativat e propozuara ishte për të parë nëse Departamenti i Shtetit do të lejonte AEY të dërgonte fishekët e prodhuar në Kinë.

Unë pata korrespodencë me Departamentin e Shtetit në lidhje me këtë çështje nëpërmjet e-maileve që shkëmbyem mes 20 dhe 24 prillit 2007.

Departamenti i Shtetit na informoi që AEY nuk lejohej të dërgonte fishekët e prodhuar në Kinë.

Packouz, Podrizki, unë dhe të tjerë tek AEY vendosëm që të fshihnim origjinën e fishekëve, duke u hequr paketimin origjinal që kishte shenja kineze dhe letrat identifikuese në gjuhën kineze dhe duke i ripaketuar fishekët në kuti kartoni.

AEY në fillim punësoi “Xhoi shpk”, një kompani shqiptare për të ripaketuar fishekët në kutitë e kartonit.

Kontakti për AEY te “Xhoi” ishte presidenti i “Xhoit”, Kosta Trebicka.

Pasi AEY punësoi Trebickën për të ripaketuar fishekët, Podrizki më informoi se trebicka kishte filluar të pyeste kontaktet e tij në qeverinë shqiptare në lidhje me kontratat e MEIKO-s me Evdin.

Trebicka i tha Podrizkit dhe Podrizki më pas më tha mua, që Evdin po e blinte municionin me një kosto prej 0.02 dollarësh për çdo fishek.

Gjatë kësaj kohe, AEY kishte rënë dakord me Evdin që të paguante 0.035 dollarë për fishek.

Kur mësova çmimin që Evdin po paguante MEIKO-n për fishekët, vendosa që AEY duhet të rinegocionte marrëveshjen për shitblerjen e fishekëvë direkt me zyrtarët e MEIKO-s.

Si rezultat, në maj 2007 vendosa të organizoj një takim personal me drejtorin e MEIKO-s, Ylli Pinarin.

Në fund të majit 2007 unë shkova në Tiranë, Shqipëri.

Gjatë kohës që qëndrova në Shqipëri, Podrizki dhe unë u takuam me përfaqësues të MEIKO-s për të negociuar një çmim të ri për fishekët.

Pjesëmarrësit e atij takimi ishin unë, Podrizki, Pinari, Mihal Delijorgji dhe individë të tjerë, që nuk e identifikuan veten.

Gjatë këtij takimi më informuan që AEY mund t’i blinte fishekët me një çmim më të lirë nëse AEY do të prishte marrëveshjen që kishte me Trebickën për ripaketimin e fishekëve.

Trebicka më kishte informuar që, nëse AEY do të përpiqej ta prishte kontratën me Trebickën për ripaketimin e fishekëve, Trebicka do të raportonte për aktivitetin e AEY në agjenci dhe institucione të ndryshme të qeverisë amerikane, gjë që ai në fund e bëri.

Unë e kuptova që Trebicka do të reagonte keq për prishjen e kontratës dhe mund të prishte punë për AEY në Shqipëri.

U ndjeva i shantazhuar nga Trebicka dhe për t’i bërë presion që të mos fliste dhe për të marrë reduktimin e çmimit të fishekëve, unë, pa asnjë bazë faktike, vendosa t’i them Trebickës që kontrata e fishekëve ishte nën kontrollin e mafies shqiptare dhe që djali i Kryeministrit të Shqipërisë ishte i përfshirë.

Të nesërmen e takimit e informova Trebickën që AEY do të prishte kontratën për ripaketimin e fishekëve nga “Xhoi”.

Gjithashtu, pa asnjë bazë faktike, i thashë Trebickës që Shkëlzen Berisha, djali i Kryeministrit të Shqipërisë, ishte një nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n dhe që mafia shqiptare po kontrollonte kontratën e fishekëve.

Berisha nuk ishte pjesëmarrës në takimin me MEIKO-n dhe nuk ka pasur asnjë lloj përfshirjeje me kontratën e fishekëve të AEY.

Unë kam parë fotografi të Berishës dhe asnjëri nga pjesëmarrësit e takimit me MEIKO-n nuk i ngjante Berishës.

Përshkrimi im për Berishën si një “tip skandinav, me tipare të zbehta” në librin tim “Kur tregtoja armë”, është qartazi i gabuar.

Berisha nuk ka tipare “skandinave” apo “të zbehta”.

Sidoqoftë, një nga pjesëmarrësit në atë takim kishte tipare të zbehta.

Unë e trillova historinë për pjesëmarrjen e Berishës, në mënyrë që që të avancoja interesat e biznesit të AEY.

Qëllimi kryesor ishte që Trebicka të mos fliste.

Gjithashtu, unë isha në dijeni që një histori e tillë mund të ndihmonte AEY për të marrë mbështetje nga Departamenti i Shtetit  në marrëdhënien mes AEY dhe MEIKO-s.

Disa javë para takimit me MEIKO-n, Podrizki më tha që ai kishte komunikuar me zyrtarë të ambasadës amerikane në Shqipëri për të kërkuar mbështetjen e tyre dhe për t’u bërë presion zyrtarëve shqiptarë që t’u përgjigjeshin kërkesave të AEY.

Podrizki, nëpërmjet e-mailit më informoi që një zyrtar i ambasadës amerikane në Shqipëri i tha që ambasada nuk i ndihmonte dot nëse ishte duke ndodhur diçka e jashtëligjshme.

Unë mendova që trillimi i korrupsionit nga djali i Kryeministrit do të ndihmonte AEY të merrte mbështetje nga ambasada.

Deklaroj nën rrezikun e dënimit për mashtrim që deklaratat e mësipërme janë të vërteta dhe të sakta.

Firmosur më 7 maj, 2018.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco