Furtunë në Policinë e Shtetit, lëvizje drejtuesish në Tiranë e rrethe

Furtunë në Policinë e Shtetit, lëvizje drejtuesish në Tiranë e rrethe

16:30, 13/03/2019
A+ Aa A-

Ditët e fundit, në Policinë e Shtetit janë kryer disa lëvizje të papritura në nivele të larta drejtuesish. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu është shkarkuar nga detyra Drejtoresha Rajonale e Kufirit dhe Migracionit në Durrës, Lindita Nushi dhe në vend të saj u emërua Ndue Doci.

Ndryshime pati edhe në Tiranë, ku pas shkarkimit të Kastriot Skënderajt në vend të tij është komanduar Dhimitraq Ziu. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Skënderaj u shkarkua pas përplasjes së banorëve për shembjen e një banesë tek shkolla “Petro Nini Luarasi”, por siç raportoi Syri.net më ditë më parë, shkarkimi i tij ka ndodhur realisht më datë 9 mars, dmth para përplasjes së banorëve me Policinë dhe Përmbarimin.

Pas shkarkimit si numri një i Policisë së Kryeqytetit, Skënderaj është emëruar këshilltar pranë Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu.

Pak ditë para drejtorit të Policisë së Tiranë u shkarkua edhe Drejtori i Policisë së Vlorës, Gentjan Shehaj, si dhe ai i Fierit, Albert Nushi.

Në krye të Drejtorisë së Vlorës është emëruar Artion Duka, ndërsa në atë të Fierit Andon Marko.

Gjithashtu ndryshime ka pësuar edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme. Kështu Arben Caka është emëruar drejtues i Tiranës, ndërsa në Fier është caktuar Arben Frashëri.

Në ditët në vijim priten që të ndryshohen edhe drejtues të tjerë të SHÇBA në rrethe, kjo për shkak se ky institucion me ndryshimet e reja ligjore të propozuara nga Ministria e Brendshme do të ngarkohet për të kryer procesin e vetting-ut në radhët e uniformave blu.

Por furtuna e shkarkimeve duket se nuk do të ndalet me kaq.

Mësohet se do të ketë shkarkime edhe në radhet e shefave të komisariateve në kryeqytet.

Këto veprime po merren për motivacionin “mospërmbushje të detyrës në lartësinë e kërkuar”.

 

Qarkullojnë shumë emra të njohur të Policisë së Shtetit, të cilët mund të transferohen në Tiranë, por ende nuk ka asnjë gjë konkrete.

Ndërkohë sot është emëruar zv/drejtori i Policisë së kryeqytetit, Klodjan Bilushi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Laluci13/03/2019 17:22

Dmth Ardi Veliu pasi e shkarkon drejtorin e policis se Tiranes per “mospermbushje te detyrave ne lartesine e kerkuar”, e emeron direkt keshilltar te vetin. Ore keta tallin topet me popullin apo si????

Shto koment

Denonco