Kryemadhi nga Lezha: Dogjëm mandatet, sepse shteti është i kapur

Kryemadhi nga Lezha: Dogjëm mandatet, sepse shteti është i kapur

14:50, 10/03/2019
A+ Aa A-

Gjatë takimit me qytetarët e Lezhës dhe anëtarët e LSI në këtë qytet, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi se vendimi për djegien e mandateve është një akt për të ndërgjegjësuar qytetarët se shteti është i kapur, por edhe një zgjedhje e duhur pasi opozita nuk mund të ishte një opozitë fasadë e kësaj qeverisje. Duke bërë një përmbledhje të veprimtarisë së LSI në Parlament për një periudhë prej një viti e gjysëm, Kryemadhi renditi një sërë propozimesh dhe iniciativash të rëndësishme të LSI për Reformën në Drejtësi,

Vettingun, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor. “Këto propozime të rëndësishme të LSI-së të cilat do të siguronin mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi jo vetëm që u refuzuan, por as nuk u diskutuan”, tha Kryetarja e LSI-së Kryemadhi gjatë takimit në Lezhë. Në këto kushte, ajo theksoi se LSI nuk mund të pranonte të ishte një opozitë fasadë dhe se djegia e mandateve ishte një akt për të ndërgjegjësuar të gjithë qytetarët, se shteti është i kapur. “Në fakt djegia e mandateve solli një ndryshim në jetën politike, por edhe në jetën tonë. Shumë prej nesh ishin në dilemë, ti digjnim apo mos ti digjnim, sepse në fund të fundit pluralizmi ka parlamentin, ka fjalën e lirë, ka angazhimin e opozitës në parlament dhe ka përfshirjen e opozitës në parlament, jo vetëm në vendimmarrje, por edhe në analizën dhe diskutimin.

Po ju bëj një historik shumë të shkurtër të një viti e gjysëm opozitë të LSI në Parlament. Kemi kërkuar në 27 shtator të 2017-ës që në muajin e parë të sesionit të parë ndryshimin e buxhetit për organet e Vettingut. Çdo të thotë kjo? Do të thotë që procesi i Vettingut të ishte në një efekt sa më të shpejt në një mënyrë të tillë që Reforma në Drejtësi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, SPAK, Byroja e Hetimit, të ndërtoheshin sa më shpejt. Kemi kërkuar për të zgjedhur një Prokuror të Përgjithshëm me 84 vota, sepse ashtu e thoshte ligji, por nuk e pranuan. Kemi kërkuar për të ndryshuar amendamentet kushtetuese, bashkë me Partinë Demokratike, të cilat Gjykata Kushtetuese i kishte shfuqizuar për funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, dhe as nuk e morën në diskutim.

Kemi kërkuar dhe i kemi votuar ligjin për Vettingun e Policisë dhe sot e kësaj dite, mbas një viti e ca Vettingu për Policinë nuk ka filluar. Kemi kërkuar përfshirjen e ligjit për koncesionet e famshme, për PPP-të që ka dhënë gjithë Shqipërinë me koncesion. Ka mbi tre vjet që nuk merret në diskutim. Na hiqet e drejta e fjalës për të disktuar kur vijnë dekretet për ministrat e rinj, të cilët nuk kanë jetuar ndonjëherë në Shqipëri. Kanë vetëm një vit që janë bërë shtetas shqiptar dhe nuk kanë paguar asnjëherë taksa për Shqipërinë, as nuk banojnë në Shqipëri. Kemi kërkuar diskutime për projektligje nga më të ndryshmet për të diskutuar, por me forcën e kartonit, i hiqej e drejta e fjalës opozitës.  Por çfarë do të bëheshim ne në atë Parlament? Fasadë e shëmtuar e qeverisjes së Edi Ramës? Kurrë!  Kurrë nuk do ta pranonim këtë.

Sepse është tradhti kombëtare, ti shërbesh sot Edi Ramës. Dhe nëse ne do të ishim një opozitë në Parlament, ku do të bënim sikur bënim opozitë, me një fjalim njëherë në javë nga 10 minuta, për ti krijuar bindjen qytetarëve shqiptar se ne po bëjmë opozitë, do të ishte e tepërt dhe do të ishte me të vërtetë shumë jo profesionale nga ana jonë dhe jo e moralshme. Prandaj  për çdo njëri që është skeptik për djegien e mandateve, ky vendim erdhi për të ndërgjegjësuar çdo qytetar, çdo socialist, çdo punonjës të administratës publike që shteti sot është i kapur. Është i kapur parlamenti, drejtësia është e kapur, ekonomia shqiptare është e kapur, rendi dhe siguria është e kapur nga bandat dhe krimi i organizuar. Ka vetëm një rrugë, përballjen me këtë grup kriminal që ka kapur shtetin. Dhe ne nuk do tërhiqemi asnjë hap pas”, tha Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco