Meta flet për krizën politike në vend dhe rajonin, deklarata e plotë e Presidentit

Meta flet për krizën politike në vend dhe rajonin, deklarata e plotë e Presidentit

19:02, 04/03/2019
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i uroi sot mirëseardhjen Presidentit të Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, i cili me ftesë të Kreut të Shtetit po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidenti Pahor zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis delegacioneve zyrtare.
Të dy Presidentët ndanë mendimin se ka ardhur koha për impulse të reja dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, në tërësi dhe në fusha të veçanta me interes të ndërsjellë.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve dhe nënvizoi se Sllovenia është një partnere e rëndësishme rajonale dhe europiane për Shqipërinë.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë që Sllovenia i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian dhe që i jep për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.
Duke u ndalur tek bashkëpunimi ekonomiko-tregtar, të dy Presidentët ndanë mendimin se niveli i këtyre shkëmbimeve është ende larg potencialeve që dy vendet kanë, ndaj dhe nevojitet një impuls i ri dhe shfrytëzim më i mirë i kuadrit të përbashkët ligjor.
Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen për angazhimin dhe mbështetjen nga Sllovenia të projekteve zhvillimore e sociale në disa qytete të vendit.

Të dy Presidentët vlerësuan praninë e komunitetit shqiptar në Slloveni dhe nënvizuan se ai komunitet përbën një vlerë të shtuar në marrëdhëniet miqësore midis dy vende.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta dhe Presidenti Pahor ia kushtuan bashkëpunimit rajonal dhe nevojës së forcimit të këtij bashkëpunimi dhe forcimin e frymës euro-atlantike në të gjitha vendet e rajonit.
Duke u ndalur në përgatitjet e ardhshme të Samitit të Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të organizohet nga Presidenti Meta në Tiranë, më 8-9 maj të këtij viti, dy Presidentët shprehën besimin se Samiti do t’i japë një shtytje të re dialogut dhe mirëkuptimit mes vendeve të rajonit, si dhe avancimit të agjendës së tyre europiane.
Pas bisedimeve zyrtare, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.

Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:
“Kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në vendin tonë, Presidentit të Republikës së Sllovenisë dhe mikut tonë, zotit Borut Pahor.
Bisedat tona ishin shumëplanëshe dhe në vëmendjen tonë është bashkëpunimi për të intensifikuar më tej marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve tona, pasi dua të nënvizoj se Sllovenia është një partnere e shkëlqyer rajonale dhe europiane për Shqipërinë.
Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen që Presidenti Pahor dhe Sllovenia i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë për përshpejtimin e procesit të integrimit europian.

Mbështetja e Sllovenisë është shumë domethënëse dhe inkurajuese për të vijuar reformat dhe për të përmbushur standardet.
Në Shqipëri ka një numër të konsiderueshëm sipërmarrësish sllovenë, por ne jemi të bindur që marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve ofrojnë mundësi shumë më të mëdha se sa niveli aktual i shkëmbimeve dhe marrëdhënieve ekonomike në të gjitha fushat, përfshirë ato të energjisë, infrastrukturës, turizmit, ambientit, agrobiznesit e me radhë.
Niveli i shkëmbimeve ekonomike e tregtare është ende larg potencialeve që dy vendet kanë, ndaj besoj se me një bashkëpunim edhe më të efektshëm do të shfrytëzojmë më mirë kuadrin e përbashkët ligjor.

Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen për disa nga projektet zhvillimore që mbështeten nga Sllovenia në vendin tonë, sidomos në bashkitë e Ersekës, Elbasanit, të Vlorës apo edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Njëkohësisht dua të vlerësoj shumë praninë dhe kontributin e komunitetit shqiptar në Slloveni, duke e vlerësuar atë si një aset dhe një vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona.
Miratimi nga Parlamenti slloven i ligjit mbi të drejtat kulturore kolektive të grupeve etnike, në vitin 2017, ofron mundësi më të mira për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe të kulturës edhe nga komuniteti shqiptar në Slloveni.
Natyrisht që, një vëmendje të veçantë i kushtuam zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku vlerësuam bashkërisht impaktin mjaft pozitiv që ka krijuar zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë së Veriut dhe hapja e rrugës së anëtarësimit të saj në NATO dhe njëkohësisht në Bashkimin Europian.
Dua të vlerësoj angazhimin e Sllovenisë në rajonin tonë dhe në mënyrë të veçantë kemi diskutuar me Presidentin Pahor për përgatitjet e Samitit të ardhshëm të Procesit të Brdo-Brijunit, që do të zhvillohet në Tiranë më 8-9 maj të këtij viti.
Ky Samit organizohet në një koordinim të ngushtë me liderët e këtij procesi, Presidentin Pahor dhe Presidenten e Kroacisë.
Po kështu, Sllovenia do të mbajë këtë vit Samitin e Iniciativës së Tre Deteve, iniciativë e 12 Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian që janë në aksin mes Detit Balltik, Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Shpresojmë që kjo iniciativë gjithashtu të nxisë më tej bashkëpunimin ekonomik e infrastrukturor në këtë aks të rëndësishëm e strategjik euro-atlantik.

Gjithashtu, kam theksuar në këtë takim rëndësinë e madhe që ka realizimi i procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si një domosdoshmëri për t’i dhënë fund izolimit të dy milionë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, pasi sikurse është konfirmuar edhe nga Komisioneri Avramopulous, Kosova i ka përmbushur me kohë të gjithë kushtet teknike për të merituar mbajtjen e një premtimi.
Po kështu për ne është shumë e rëndësishme që të vijojë dialogu Kosovë-Serbi me qëllim garantimin e të ardhmes europiane të dy vendeve por edhe forcimin e perspektivës europiane të rajonit tonë.

Edhe njëherë dua të falënderoj Presidentin Pahor për këtë vizitë që po zhvillon në vendin tonë dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer si në planin bilateral, ashtu edhe atë rajonal, por edhe për avokatinë e tij si President i Sllovenisë dhe të qeverisë së vendit të tij për integrimin europian të vendit tonë dhe të rajonit tonë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco