Lleshi ndryshon ligjin/ Ja kush do ti nënshtrohet vettingu në Polici

Lleshi ndryshon ligjin/ Ja kush do ti nënshtrohet vettingu në Polici

16:55, 01/03/2019
A+ Aa A-

Procesi i vetingut në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës e SHÇBA pritet të nisë për pak ditë, por të vetmit që do të përballen me komisionin duket se do të jenë 300 drejtuesit e lartë.Urdhri i dytë duket se ka anuluar të parin.

Ministri Sandër Lleshaj ka propozuar disa ndryshime thelbësore në ligjin e miratuar më parë, të ideuar nga paraardhësi i tij Fatmir Xhafaj. E me këto ndryshime, më shumë se 12700 punonjës Policie e Garde do të marrin frymë lirisht. Ndryshe nga drejtuesit e lartë, vetingun e tyre do ta bëjë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Me propozim të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën ndryshimet ne ligjin 12/2018 për vetingun në Policinë e Shtetit.

Këto ndryshime parashikojnë që ky proces të kryhet për funksionet e larta drejtuese në Polici dhe në SHÇBA. Vetëm 300 drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët do të vlerësohen për 3 komponentët, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aspektin profesional, nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i kryesuar nga Viktor Bërdo.

Projektligji me 10 nene, që pritet të votohet në Kuvend, shfuqizon nenet e ligjit për Komisionin Qendror të Vlerësimit dhe Komisionin Vendor të Vlerësimit, si dhe Sekretariatet Teknike të tyre. Ato zëvendësohen nga SHÇBA, që do kryejë verifikimin për të gjithë punonjësit e tjerë të Policisë, nga ata me gradën kryekomisar deri tek punonjësit e nivelit bazë me gradën më të ulët.

VETINGU

Ligji i vetingut u pati dhënë vetëm 1 muaj kohë punonjësve të Policisë për të kryer të gjitha procedurat e nevojshme, në funksion të plotësimit të 3 formularëve që do vërtetojnë: Pastërtinë e figurës, pasurinë dhe aspektin profesional. Vetë punonjësit e Policisë e konsideronin si një mision të pamundur. Plotësimi i dokumentacionit nisi në prill dhe u mbyll në maj të vitit të kaluar. Shumë nga punonjësit e Policisë, që e kishin parë si mundësi edhe largimin nga Policia, u larguan, duke mos i dorëzuar dokumentet. Jo se kishin frikë nga vetingu, por nga dyshimet se nuk do ishin në gjendje të gjenin në kohë dokumentet që u duheshin. Për disa prej tyre, shtëpitë, makinat, arsimimi i fëmijëve, ishin produkt i një pune të gjatë e kursimeve familjare.

Por siç shpreheshin ata: “Kush e kishte menduar se duheshin ruajtur të gjitha borderotë, faturat, aktet noteriale, që edhe mund të kenë humbur…” Për të gjitha këto, atyre u duhej të orvateshin institucioneve për t’i gjetur, duke u përballur me burokracitë që këtu na ndodh rëndom t’i ndeshim. Madje, për disa kishte edhe kosto shumë të lartë financiare për buxhetin e tyre modest familjar. Nuk munguan edhe rastet më të rënda. Dy punonjës Policie kryen vetëvrasje gjatë kohës kur duhej të plotësonin dokumentacionin përkatës për vetingun. Zyrtarisht nuk u tha asnjëherë se arsyeja ishte kjo, por miqtë e familjarët e tyre nuk gjenin dot asnjë motiv tjetër për të shpjeguar motivet që i çuan ata t’i jepnin fund jetës. E pasi ndodhi e gjithë kjo, duket se dikush u kujtua që nuk paska qenë i nevojshëm ky stres që iu shkaktua punonjësve të thjeshtë të Policisë së Shtetit. Ligji i vetingut ndryshoi në favor të tyre, por jo pa pasoja.

ORËT SHTESE

Një tjetër kërkesë e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, në favor të punonjësve të Policisë së Shtetit, drejtuar Këshillit të Ministrave, përveç ndryshimeve në ligjin e vetingut, janë edhe pagesat e prapambetura. Burime nga Ministria e Brendshme thanë dje se me kërkesë të ministrit Lleshaj, Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar akordimin e fondit për pagesën e detyrimeve të prapambetura për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për pagesën e orëve shtesë, turneve të dyta, etj..

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco