'Të qeverisësh me gaz, pse Rama i përgjigjet opozitës me gjuhë arrogante nga jugu'

'Të qeverisësh me gaz, pse Rama i përgjigjet opozitës me gjuhë arrogante nga jugu'

21:19, 27/02/2019
A+ Aa A-

Nga Agron Gjekmarkaj

Dita e djeshme mori trajtën dramatike të së pazakonshmes, qysh kur zëdhënësit e Kuvendit Popullor shpallën se mbajtja e seancës plenare spostohej nga e enjtja në të martë.

Gjithësa nënkuptohej për faktin se opozita kishte paralajmëruar protestë. E pamundur është t’u ikësh me truk shkaqeve që na kanë çuar në këtë pikë. Kjo është psikoza e atyre, që trukun e kanë babë dhe nanë të sjelljes politike, të cilët kohën e harxhojnë për të gjetur atë e jo zgjidhjen.

Ky gjest nuk i ndihmoi aspak atentatorët e kronologjisë parlamentare. Përkundrazi, i nxiti militantët e opozitës dhe qytetarët, që në pak orë të mblidheshin të shumtë e të vendosur në kundërshtinë e tyre. Dikur, jo shumë muaj më parë, për të grumbulluar aq njerëz duheshin javë pune nga partitë, ndërsa dje vetëm pak orë.

Hazërllëku për t’iu përgjigjur ftesës ishte mbresëlënës. Toka, mbi të cilën ecën Kryeministri ka filluar të rrëshqasë. Ndoshta, në momentin kur kjo ndodh, disa ambasadorë në Tiranë bëjnë nani-nani.

Të qeverisësh duke luajtur me ditët dhe orët, si dhe duke u fshehur, është ana e pasme e medaljes së krizës më të rëndë politike, që ka pllakosur vendin që prej dy dekadash. Zemërimi nuk menaxhohet me skema kohore. Ai nuk është çështje orari.

Tjetra anë konfigurohet tek arsyet e shumta e të cituara dendur, që çuan opozitën drejt vendimit ekstrem për të djegur mandatet parlamentare. Sistemi ynë politik, vetëm formalisht është pluralist sot për sot, kur në fakt një individ dhe një parti e vetme dhe e vetmuar janë në komandë të gjithçkaje.

Ngjyrat gri të sallës së Parlamentit mbrëmë dhe ato të gazit jashtë kundër mijëra protestuesve përkufizuan marrëdhënien e re ndërmjet pushtetit dhe qytetarëve. Edi Rama, edhe të martën në darkë nuk pati kurajën të hynte në Parlament, duke i lënë të vetët jetimë nën peshën e rëndë të ngjarjeve.

Ata dukeshin të kërrusur e të mbledhur sa një grusht, teksa hynin aspak kryelartë (vetëdije kjo) rrethuar me pezëm e ngarkuar me përgjegjësitë e shefit të tyre asidekiku larg nga rrëmuja e rrëmeti.

Rama ka zgjedhur t’i hedhë benzinë zjarrit me një gjuhë fyese e arrogante nga rrethet e jugut, ku beson se ka më shumë mbështetës, duke vepruar si komitetet e rebelimit në vitin 1997. Shqipëria po thyhet në mes, pikërisht nga mënyra se si ai ka qeverisur e mbi të gjitha, si po e bën këtë gjatë këtyre javëve, ku kërkohet maturi e arsye. Kryeministri po e mbron pushtetin e tij me gaz lotsjellës, ndërkohë që ka tapuar veshët e lidhur sytë.

Pastaj habitet, çmeritet pse e qysh e krahasojnë me Maduron. Çfarë po bën ndryshe i fandaksuri i Venezuelës? Në të vërtetë, Edi Rama është më i qeshur se Maduro, më gazmor, më hokatar, vishet ku e ku më ndryshe, flet për parime europiane në letër e për NATO-n, për SHBAtë e aleatë, tregon barsoleta sa herë ka rast, por njësoj edhe ai po hedh brutalisht gaz e policë kundër atyre që qeveris.

Qytetarët e të dyve u thonë të ikin, se vendi është në buzë të greminës e ata u kthehen se janë të lumtur e të verbër që nuk e kuptojnë. Demonstruesit në sheshe u thonë se kanë uzurpuar demokracinë, ata u përgjigjen de demokracia është kjo që iu ofrojnë ata.

Njerëzia u thotë ‘na mbytët me korrupsion e lakej’, ata iu përgjigjen se ‘janë reforma e bamirës, me të cilët fati ju ka ndihur’. Të dy njësoj e shpallin opozitën armike të interesave kombëtare dhe e kundrojnë nga lartësia e zyrave, teksa ajo rrit numrat e saj në shesh. Edi Rama kudo po flet për një Shqipëri fantastike e sureale, që u librua e çlirua më në fund nga ata që po i fusin shkopinj ndër rrota. Kryeministri seriozisht ka nevojë për doktor. Nuk e kemi fjalën për Sali Berishën, se ai është për zemër dhe ka vite që e ka braktisur profesionin.

Nuk lë rast pa shprehur kënaqësinë Edi Rama, që mund t’i mbarojë shpejt seancat, që mund të rrijë pa frikën e bojës dhe të vezëve e mbi të gjitha, që nuk do ta kundërshtojë e shajë askush me fjalë allasoj.

Dje nga Lushnja, atë kumt dërgoi anembanë. Skënderbeu i Rilindjes tanimë mund të venerohet nga kalorësit e tij tahmaqarë virtytesh të larmishme. E shohin në dritë syrit dhe i thonë imzot, udhëhiqna si di ti me sqimë e madhështi, me vendosmëri e shpirt të gjerë. Shpëtoje Gjergj Shqipërinë nga të liqtë, armiqtë dhe fiqtë.

Kjo mënyrë e të qeverisurit është pjellë makabre e fantazisë së një njeriu, të cilit demokracia i rri më keq se qillotat e spektakleve të tij komunikative. Por siç u pa mbrëmë, tani e tutje e ka të domosdoshme të modifikojë buxhetin e shtetit, për të blerë sasi të mëdha gazi lotsjellës.

Atij dhe maskës në Ministrinë e Brendshme do t’u duhet ta përdorin çdo ditë kundër të gjithë atyre, që i thonë se qeveria e tij i ka duart e zhytura në korrupsion masiv, në kapje totale të shtetit dhe institucioneve, në trafik votash dhe në zbrazjen e vendit nga njerëzit, në këtë dekadencë e banalitet që ka përfshirë aurën e shtetit tonë.

Kjo është epoka e Edi Ramës, e Kryeministrit, i cili qeveris me gaz lotsjellës derisa shqiptaret të mos e lejojnë që paratë e mbetura nga koncesionet dhe tenderët 20 milionë për kilometër të shpenzohen për t’i helmuar. Pas 30 vitesh demokraci, kemi përsëri një Parlament monist, por së paku mbrëmë shumë prej qytetarëve tanë filluan punën për t’ia shkurtuar ditët.

Kot e ka Edi Rama, se nuk e mund dot lirinë, as me gazin lotsjellës, as me atë që shpërndan vetë nga ERTV-ja.

Botuar në gazetën Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Devolli28/02/2019 00:13

Osum, e kemi kritikuar të giithë opozitën që lejoi EDramën të pushtojë e të shkatërrijë të gjitha kollonat e shtetit me në krye "drejtësinë", duke u Enverizuar 100%. Duhej filluar shumë më herët, por më mirë vonë se kurrë. Tani jemi të gjithë bllok me popullin, me opozitën, kundër EDramës dhe rilindjes së komunizmit.

Osumi27/02/2019 23:02

Agron! Qe je djale i zgjuar askush nuk e ve ne dyshim, por reagimi juaj eshte paksa i vonuar. Kjo ndoshta per shkak te merise me liderin e opozites. Por demin e ke bere meqenese me shume ke kritikuar opoziten se ripjerdhjen.

Shto koment

Denonco