Kryemadhi e vendosur: Do ta rrethojmë Parlamentin çdo ditë sa herë do të bëjnë seancë

Kryemadhi e vendosur: Do ta rrethojmë Parlamentin çdo ditë sa herë do të bëjnë seancë

17:21, 26/02/2019
A+ Aa A-

Pas liderit të opozitës Lulzim Basha, fjalën e ka marrë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila deklaroi se, parlamenti do të rrethohet nga opozita çdo ditë që shumica ta mbledhë për seancë.

"Sot frikacakët përdhosën për të disatën herë selinë e Kuvendit. Këta treguan se nuk janë përfaqësues të popullit, por të të Abdylajve, Habilajve dhe kriminelëve.

Nuk ekziston respekti për votuesit e tyre socialistë, por për Vangjushin dhe të gjithë kriminelët e tjerë që përdorën paratë e drogës për të bërë Edi Ramën kryeministër. Nuk mbetet gjë tjetër për të thënë vetëm 'Rama ik, Rama ik'.

Fenomeni i Ramës, nuk duhet ta shikojnë më sytë e shqiptarëve, pasi largoi 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria, që shkatërroi ekonominë shqiptare për të pasuruar 5 njerëz. Ai parlament i cili është thjeshtë krenaria e Ramës, do të jetë turpi i shqiptarëve.

Prezanca jonë do të jetë çdo ditë kur ajo seli e parlamentit, më parë ka qenë foltorja e fjalës së lirë, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do i bëjë asaj. Do ta rrethojmë çdo ditë sa herë do të bëjnë seancë", u shpreh ndër të tjera Monika Kryemadhi.

Fjala e plotë e Monika Kryemadhit:

Qytetarë të Tiranës, përshëndetje, por dua të them diçka, hajdutët kanë frikë dhe sot frikacakët përdhosën për të disatën herë selinë e Kuvendit, selinë e atij Kuvendi ku për hir të së vërtetës parlamentarët nuk kanë frikë nga populli i tyre, por përkundrazi, e përfaqësojnë atë. Ata sot treguan edhe njëherë që nuk janë përfaqësues të popullit.

Ata treguan edhe njëherë që janë përfaqësues të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve, që jo vetëm vodhën, kërcënuan shqiptarët, por edhe i varfëruan ata. Ai Parlament ku sot kanë më shumë se katër orë që janë ngujuar deputetët nga frika, sot tregon edhe njëherë që është parlamenti që punon vetëm për pesë veta.

Ai parlament sot tregoi edhe njëherë që në thelbin e zemrës së tyre nuk ekziston respekti dhe dashuria për votuesit e tyre socialistë, por ekziston vetëm dashuria për Vangjushin dhe për gjithë kriminelët e tjerë, që përdorën paratë e drogës për të bërë Edi Ramën kryeministër të Narkoshtetit. Nuk ngelet gjë tjetër për të thënë; Rama ik.

Fenomeni i Edi Ramës është një fenomen i cili nuk duhet ta shikojë më sytë e shqiptarëve në qindra dhe mijëra vjet. Një fenomen që shkatërroi Shqipërinë, të ardhmen e shqiptarëve, që largoi 400 mijë shqiptarë nga Shqipëria, që largoi djemtë dhe vajzat, që shkatërroi dhe varfëroi ekonominë shqiptare për të pasuruar vetëm pesë njerëz.

Një fenomen që i ka kthyer shkollat shqiptare në vende nga më të tmerrshme të abuzimit dhe të mungesës së sistemit arsimor. Prandaj çdo fjalë e jona këtu është e tepërt, por për një gjë jam e sigurtë. Ai parlament i cili sot është krenaria e Edi Ramës është dhe do të jetë gjithë jetën turp i shqiptarëve. Do të jetë turp i shqiptarëve, ashtu siç kanë qenë vendimet më të turpshme që herë pas herë ka pasur në historinë e Shqipërisë dhe i kanë kushtuar asaj. I kanë kushtuar për lirinë dhe demokracinë e saj.

Motra dhe vëllezër. Sot nga ky shesh ju drejtohem atyre socialistëve të ndershëm, të cilët sot vuajnë sot njësoj si ju, që janë papunë, që kanë falimentuar bizneset e tyre nga taksat e larta, që u janë larguar fëmijët e tyre në emigracion për një vend pune më të mirë, për të gjithë ato nëna dhe baballarë, të gjithë ata shqiptarë të cilët ndjejnë çdo ditë e më shumë mundësitë për të shkolluar e për ti rritur fëmijët e tyre e kanë çdo ditë e më të pakët. Prandaj sot prezenca jonë nuk është vetëm për sot.

Por do të jetë çdo ditë. Do të jetë çdo ditë dhe në çdo moment, që ajo seli e parlamentit e cila në çdo moment ka qenë foltorja e fjalës së lirë në këto 27 vjet, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do ti bëjë asaj, sa herë që ata do të duan të bëjnë seancat e krimit të organizuar në atë parlament.

Sinqerisht me dorë në zemër po ju them edhe dy fjalë. Sot më shumë se kurrë misioni i politikës është që të largojë këtë fenomen vrasës të shpresës të shqiptarëve. Ky fenomen e ka emrin Edi Rama, por po ju them edhe një gjë tjetër. Ne zgjodhëm të ishim si ju, ne zgjodhëm të dilnim në shesh si ju, ne zgjodhëm të lëmë çdo gjë për të treguar që Edi Rama është vetëm dhe sot ai është vetëm.

Edhe pse ka disa deputetë aty brenda, pjesën më të madhe i ka kundra. Sepse nuk ka as burrë, e as grua në atë sallë, të cilët do të marrin mbi supet e tyre dhe mbiemrin e tyre për fëmijët e tyre, turpin e tradhtisë, në shërbëtorë dhe argat të krimit të organizuar, kur në fakt duhet të jenë shërbëtorë të popullit të tyre. Zoti ju ruajttë ju, Zoti i ruajttë shqiptarët, Zoti e bekoftë Shqipërinë.

 


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco