Skandal me pasaportat në Ministrinë e Jashtme. U transportuan në çanta rrobash, si u vodhën në Athinë

Skandal me pasaportat në Ministrinë e Jashtme. U transportuan në çanta rrobash, si u vodhën në Athinë

20:27, 21/02/2019

Policia greke e Kakavijës ka bllokuar një numër të madh të pasaportave të reja të emigrantëve shqiptarë në vendin fqinj, që ishin dërguar nga Ministria jonë e Jashtme.

Pasi kishin aplikuar për pasaporta në konsullatat tona në Athinë, Selanik dhe Janinë, shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Greqi prisnin këto ditë që të merrnin pasaportat e reja. Por mënyra skandaloze se si ato u transportuan nga Ministria jonë e Jashtme drejt Greqisë, hodhi në erë këtë procedurë.

Pasaportat e reja të përgatitura nga kompania koncesionare Aleat, ishin futur në çanta, me të cilat zakonisht transportojmë rroba dhe pa asnjë shoqërues të ministrisë, ishin dërguar me linjën e autobusëve Tiranë-Athinë.

Por gjatë kontrollit të Policisë greke në Pikën Kufitare të Kakavijës, kjo dërgesë ka krijuar dyshime dhe çantat janë bllokuar.

Burime nga agjencia e transportit të udhëtarëve thanë për gazetën “Panorama” se Policia greke ka ndaluar shoferin e autobusit si të dyshuar në një trafik me pasaporta shqiptare ndërkombëtare.

Kjo situatë ka krijuar shqetësime dhe për udhëtarët e autobusit, të cilëve po u bëhej e pamundur lëvizja drejt Greqisë. Shoferi ka sqaruar autoritetet greke se ishte një dërgesë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, dërguar ambasadës sonë në Athinë me pasaportat e reja të bashkëkombësve tanë. Të çuditur për këtë lloj ngarkese dhe nën dyshime të forta ndaj shoferit, Policia greke ka hyrë në kontakte me Ministrinë e Jashtme të Greqisë, nga e cila kërkoi që të kontaktonte homologen e saj në Tiranë. Pas disa orësh, situata është sqaruar, shoferi është lënë i lirë të vazhdojë rrugën me autobusin e tij, por çantat me pasaporta janë bllokuar në Kakavijë deri në mbërritjen e punonjësve diplomatikë të autorizuar për tërheqjen e tyre.

Sipas Konventës së Vjenës, e cila përcakton qartë se si bëhet transportimi i materialeve diplomatike, dy janë rrugët e transportit të tyre: përmes pakove diplomatike me avion si kargo ajrore, ose me rrugë tokësore me mjet me targa diplomatike CD dhe të shoqëruar nga një korrier diplomatik. Gjithmonë pakoja diplomatike ka firmën e një kutie të stampuar, me elementë sigurie dhe tregues dhe duhet të ketë letër shoqëruese. Në asnjë pikë të nenit 27 të Konventës së Vjenës nuk thuhet që pakot diplomatike mund të dërgohen me autobusë të udhëtarëve dhe të pashoqëruar nga korrierë diplomatikë. Gazeta “Panorama” kontaktoi konsullin tonë në Janinë, Pervin Gjikuria, i cili nuk e mohoi bllokimin e pasaportave nga Policia greke, por e cilësoi si një procedurë në vijim që po ndiqet.

“Është vetëm një proces, i cili është në vijim dhe që do të zgjidhet për shumë pak kohë. Nuk kemi të bëjmë me sekuestrim, por vetëm me verifikim. Sepse ka një procedurë të caktuar se si kalojnë dokumentet e kësaj natyre nga një shtet në një tjetër. Nuk ishte postë diplomatike. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, u shpreh konsulli Gjikuria. Por peripecia me pasaportat nuk ka mbaruar në Kakavijë. Një pjesë e tyre janë vjedhur në Athinë. Pasi një punonjës i ambasadës sonë në Athinë e tërhoqi nga Kakavija këtë dërgesë me pasaporta të Ministrisë së Jashtme, makina ku ndodheshin pasaportat është vjedhur në një parkim në Athinë.

Si pasojë, janë vjedhur dhjetëra pasaporta të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Përtej skandalit për sigurinë e dërgesës diplomatike që është bërë jashtë çdo standardi ndërkombëtar, vjedhja e pasaportave ka dhe një kosto shumë të lartë, pasi shqiptarët që kanë aplikuar për to kanë paguar nga 150 euro dhe është e paqartë se kush do të paguajë riprodhimin e pasaportave të reja, pa marrë parasysh këtu dhe vajtjen e tyre përsëri për të aplikuar pranë shërbimeve tona konsullore në Greqi, në Athinë, Selanik dhe Janinë. Marrë nga Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku21/02/2019 23:44

Gjikuria, Fusha.... të gjithë klientët e EDramës që kanë pushtuar të gjitha hallkat e shtetit. Skandalet e katunarisë të ngjitur në majë të plehut ku komandon gjeldeti. Deri ky do katandisemi me këtë të çmendur bashkë me diletantët që e rrethojnë dhe që lexojnë shumë libra?

t21/02/2019 20:45

ky eshte jo skandal por krim.

Shto koment