Braimllari: I vetmi provokator që kërkon të destabilizojë vendin është Edi Rama

Braimllari: I vetmi provokator që kërkon të destabilizojë vendin është Edi Rama

16:17, 12/02/2019
A+ Aa A-

Pak ditë nga protesta e opozitës në Tiranë, Policia e Shtetit u ka bërë apel forcave politike të angazhuara për tubimin e 16 shkurtit që të shmangin retorikat, të cilat nxisin veprime kundër rendit e qetësisë publike.

Po ashtu Policia e Shtetit ndan me publikun shqetësimin për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.

Lidhur me këto deklarata ka reaguar edhe deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari, i cili shprehet se, "Policia e Shtetit duhet të shkëputet nga ndikimi politik i Edi Ramës, i cili ka treguar publikisht që nuk është në krahë të oficerëve të ndershëm të policisë, por në krah të krimit të organizuar".

Deputeti opozitar shton se, "Policia e Shtetit dhe ne e sigurojmë publikun se kur të ndërrohet ky sistem kriminal në krye të qeverisë, Policia e Shtetit, ushtria, mjekët, mësuesit, profesionistët e çdo fushe, do të jenë të pavarur, të lirë të punojnë me ndershmëri".

Deklarata e deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari:


Jam në këtë komunikim me mediat në lidhje mbi deklaratën e Policisë së Shtetit, mbi protestën e ditës së shtunë, datë 16 shkurt, ora 11, të thirrur përpara Kryeministrisë. 
Policia e Shtetit detyrën kryesore të saj ka ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike në vend dhe nuk ka për detyrë të bëjë politikë. Policia e Shtetit duhet të zbatojë ligjin dhe të ruajë rendin dhe sigurinë publike, të mos kthehet në polici politike si ajo që u përdor gjërësisht në fushatën elektorale, duke u bërë njësh me krimin e organizuar, duke mbajtur kriminelët dhe duke marrë pjesë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. 
Ende janë në kërkim tre drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët në vend që të ruanin rendin dhe sigurinë publike, u bënë njësh me krimin duke u kthyer në trafikantë ndërkombëtarë. 
Policia e Shtetit duhet të shkëputet nga ndikimi politik i Edi Ramës, i cili ka treguar publikisht që nuk është në krahë të oficerëve të ndershëm të policisë, por në krah të krimit të organizuar, duke kompromentuar rëndë rolin e Policisë së Shtetit. Paralajmërojmë Edi Ramën të mbajë larg provokatorët ditën e shtunë. I vetmi provokator që kërkon të destabilizojë vendin është Edi Rama. Këtë ai e ka të vërtetuar.
Policia e Shtetit nëse ka informacion për elementë me rekorde kriminale, të cilët përbëjnë rrezik për rendin dhe stabilitetin e vendit, të luftojë dhe ti godasë ata me forcën më të madhe çdo ditë, sot, nesër, pasnesër. Për këtë është Policia e Shtetit dhe ne e sigurojmë publikun se kur të ndërrohet ky sistem kriminal në krye të qeverisë, Policia e Shtetit, ushtria, mjekët, mësuesit, profesionistët e çdo fushe, do të jenë të pavarur, të lirë të punojnë me ndershmëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco