3 pyetje ministres që qau: Me kë komunikon Dritan Dajti? Kë shantazhon? Kush i ka dalë garant ta lirojë?

3 pyetje ministres që qau: Me kë komunikon Dritan Dajti? Kë shantazhon? Kush i ka dalë garant ta lirojë?

15:21, 10/02/2019
A+ Aa A-

"Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u japë shpjegime shqiptarëve."

Ky qe reagimi i fortë i Partisë Demokratike sot, ndaj qendrimit të ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë Brendshme për farsën gjyqësore që u luajt me vrasësin e 4 policëve, e cila e shpëtoi atë nga burgu i përjetshëm.

Nga fjala e ministres Etilda Gjonaj: "Jam sot përpara jush në këtë deklaratë për shtyp, për një rast të paprecedent dhe shokues të ndodhur në vendimmarrjen e drejtësisë shqiptare dy ditë më parë lidhur më çështjen e Dajti. Vendimi i trupës së gjyqtarëve për pranimin e gjykimit të shkurtuar dhe uljen e dënimit me 25 vjet për një të pandehur që akuzohet për vrasjen e 4 policëve tregon qartë se kemi të bëjmë me një aferë korruptive dhe në kundërshtim me Kodin e procedurës penale."

Deklarata e  plotë e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

3 ditë me vonesë, të shtrënguar nga presioni ndërkombëtar dhe revolta e opinionit publik, kukullat e Edi Ramës në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Drejtësisë u bënë pjesë e teatrit kriminal me aktor Dritan Dajtin dhe regjisor Edi Ramën. 

Lotët e krokodilit nuk e ndryshojnë dot faktin se vrasësi i 4 Dëshmorëve të Atdheut, Dritan Dajti, është praktikisht i liruar nga drejtësia e re e Edi Ramës. 

Shqiptarët mund të gënjehen njëherë, por jo përgjithmonë! 

Në vend që t’u besojnë kërcënimeve qesharake të eunukut të Ramës në Ministrinë e Brendshme, shqiptarët e dinë se karrigia e Edi Ramës është blerë nga votat e krimit të organizuar, i cili, fatkeqësisht, nuk luftohet dot me lotë krokodili. 

Faktet janë kokëfortë: 
1. Edi Rama kishte nën kontroll Gjykata e Lartë, kur ajo zhvlerësoi dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe i hapi rrugë vendimit skandaloz që siguron lirinë e shpejtë të një prej kriminelëve më të tmerrshëm. 

2. Edi Rama, njeriu që përgojon gjithë Tiranën,  heshti kur Gjykata e Lartë ndihmoi Dritan Dajtin, heshti edhe 3 ditë më parë, pas vendimit skandaloz për Dritan Dajtin. 

3. Në qeverisjen e Edi Ramës të gjithë bandat dhe kriminelët më të rrezikshëm janë lënë të lirë, që nga Hakmarrja për Drejtësi, Banda e Durrësit tek Banda e Lushnjës dhe trafikantët ndërkombëtarë të kokainës në Xibrakë. 

Në vend të lotëve të krokodilit për një vendim të dirigjuar nga Edi Rama, Ministrja e Drejtësisë duhet t’i kërkojë prokurorisë që të zbardhë përgjimet nga burgu të Dritan Dajtit dhe t’u thotë shqiptarëve: 

Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti? 

Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës? 

Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?

Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete, jo lojra fjalësh e mashtrime për shkarkime gjyqtarësh nga qeveria që ka në dorë të shkarkojë Vangjush Dakon, por vazhdon ta mbrojë atë për blerjen e votave në bashkëpunim me të ngjashmit e Dritan Dajtit.?
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Labi10/02/2019 16:25

I liron kriminelët se po afron fushata e zgjedhjeve dhe i duhen

Shto koment

Denonco