Ndarja e Kosovës/ Andi Bushati debat të ashpër me Hashim Thaçin

Ndarja e Kosovës/ Andi Bushati debat të ashpër me Hashim Thaçin

22:12, 31/01/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë i ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’, ku ka debatuar me analistin Andi Bushati, lidhur me qëndrimet e ndërkombëtarëve në raport me marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Bushati shprehet se presidenti Thaçi, nuk u tregon të vërtetën qytetarëve kur flet për korrigjimin e kufijve dhe e përshkruan atë thjesht si një ndryshim teknik.

Bushati tha se fakti që ky proces ka shqetësuar disa prej kancelarive europianve, tregon se nuk bëhet fjalë për një korrigjim teknik por për diçka më shumë dhe potencialisht të rrezikshme.

Nga ana tjetër, presidenti Thaçi shprehet se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se bashkësia ndërkombëtare, është e unifikuar në qëndrimin pro marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Pjesë nga debati:

Andi Bushati: Sot ju thatë se korrigjimi i kufijve është dicka teknike, një demarkim teknik, siç ka ndodhur me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Shumë faktorë ndërkombëtare, kur e keni bërë me Malin e Zi, i keni patur në krah. Fakti që, që në Gusht kur ju folët, kemi një ortek shqetësimi të kancelarive europiane por edhe të intelektualëve dhe njohësve të Ballkanit, domethënë se ata nuk janë aq budallenj sa të shqetësohen nga nje demarkim teknik.

Nëse Angela Merkel, thotë se kush do të ndryshojë kufijtë në Ballkan, të bëjë mirë hesapet me integrimin e vendit, nëse ministri Gjerman i Europës, flet për efekt domino, nëse Britania e Madhe shprehet e shqetësuar, nëse ish negociatorët e Bosnjes i shkruajnë Mogherinit se këtu kemi të bëjmë me pazar dhe tregëti territoresh, do të thotë se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me diçka teknike.

Dëgjo, nuk mund të shqetësohet Angela Merkel dhe qeveria britanike, se disa komunarë të Preshevës, i lind një ditë në kokë të ndryshojnë kufijtë. Ata e kanë kuptuar se këtu ka dicka më të madhe. Fakti që ju po thoni tani, ai njeriu i nderuar që e ka zgjedhur populli i Preshevës, ju shtyu ju dhe futi gjithë Europën dhe përëndimin në këtë shqetësim, është i pabesueshëm. Prandaj shumë njerëz mund të thonë, cfarë fshihet mbas kësaj, që Hashim Thaçi po na gënjen.

Hashim Thaçi: E para, kjo është ide e imja, demarkimi teknik i kufijve duhet të përmbyllet sa më shpejt. Por, është edhe logjikë e negociatave përfundimtare.

Demarkimi i kufijve do të ndodhë, unë kam idenë se duhet të përfshijë Preshevë, Medvegjëndhe Bujanovcin. Unë mendoj se është një përmirësim, i së drejtës historike, për Kosovën. Në anën tjetër, unë jam takuar me të gjithë lidershipin e botës, për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Unë nuk kam opinione të lira, unë kam një qëndrim si President i vendit.

Marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, nuk do të përfshijë vetëm demarkimin e kufijve, por gjendjen që jemi tash, një status quo, është e padurueshme, e pa qëndrueshme dhe e rrezikshme për Kosovën dhe tendencat e dobësimit të shtetit të Kosovës, në rrafshin e brendshëm dhe ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, konflkti i ngrirë, gjithashtu është i rrezikshëm për Kosovën, rajonin dhe Serbinë. Nëse shkrihet ky konflikt ka përmasa tragjike për të dy kombet.

Kutia e pandorës, se është bërë zhurmë e madhe, është e hapur i nderuar në Ballkan. Marrëveshja përfundimtare e Kosovës me njohje reciproke e mbyll kutinë e Pandorës. Konflikti i Bosnjes është më i vjetër se i Kosovës dhe do të vazhdojë.

Ne edhe para vitit të ri, në Bruksel, të gjithë liderët e rajonit, duke përfshirë të Kroacisë, të Bosnjes, të Serbisë, të Malit të Zi, Maqedonisë, kemi dalë, me deklaratë të përbashkët nga Brukseli, që e mbeshtesim dialogun Kosovë- Serbi dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshje.

Andi Bushati: Përse ka shqetësim kur është thjesht rregullim teknik? Këta nuk flasin për rregullim teknik, këta flasin për rrezik.

Hashim Thaçi: Jo, jo, kjo është konspiracion. Kush flet për rrezik? Njeri gjallë në këtë botë nuk flet për rrezik. E gjithë bota e do marrëveshjen paqësor Kosovë-Serbi.

Andi Bushati: Marrëveshjen patjetër, por këtu është futur koncepti i ndryshimit të kufijve.

Hashim Thaçi: Në instalimin dhe njohjen e kufijve ndërshtetëror, Kosovë- Serbi. Kufiri i Kosovës nuk është vullneti i qytetarëve të Kosovës, as kufiri shqiptar, nuk është i vullnetit i qytetarëve shqiptarë. Kur kanë vendosur shqiptarët ndonjëherë për kufijtë e veta? Ma thuaj një herë në histori.

Andi Bushati: Ama, sa kanë patur në dorë, kanë luftuar të mos shesin copa të kufijve të tyre.

Hashim Thaçi: Unë vetë kam luftuar.

Andi Bushati: Padyshim, nuk e mohon njeri.

Hashim Thaçi: Në vitin 1912, a është shpallur Shqipëria e pavarur, a mbetën mbi pesëdhjetë përqind të territoreve jashtë? T’i akuzojmë Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin për tradhëti?

Andi Bushati: Ky është modeli që duhet marrë? Nëse jeni me këtë model, dakord, lëmë një pjesë jashtë, që të bëjmë pavarësinë, jam dakord. Sapo e mora përgjigjen.

Hashim Thaçi: Unë jam me modelin që nuk dua konflikt të ngrirë. Unë punoj që ky konflikt të tejkalohet dhe të arrihet marrëveshje paqësore.

Andi Bushati: Po diskutojmë për mënyrën se si

Hashim Thaçi: Përmes një procesi që ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Të jesh i bindur, edhe sot bashkësia ndërkombëtare, janë unike dhe kështu do të jenë deri në fund.

Andi Bushati: Jo, unë di të lexoj deklarata. Ju më thoni çfarë kam dëgjuar pas mureve, unë se çfarë është thënë publikisht.

Hashim Thaçi: Bashkimi Europian dhe SHBA, janë shumë unike në pozicionin e tyre, për zgjidhjen e cështjes Kosovë-Serbi, në një marrëveshje paqësore.

Andi Bushati: Çdo njeri mund të krahasojë deklaratat.

Hashim Thaci: E ke lexuar qartë, letrën e Presidentit Trump? I ke lexuar qëndrimet e Bashkimit Europian?

Andi Bushat: Po dhe nuk ju them që nuk e keni me vete administratën amerikane. E keni patjetër me vete, por ama, nuk keni Londrën dhe Berlinin. Këto janë faktet.

Hashim Thaci: Këto janë konspiracione.

Andi Bushati: Jo, këto janë deklarata publike.

Hashim Thaçi: BE dhe SHBA janë unike, në raport me procesin e dialogut. Përse ky hezitim në raport me administratën amerikane? Ju lexoni deklaratat e një njeriu që ka deficit patriotik.

Andi Bushati: Jo aspak, zero. Problemi është ky zoti Thaci, që nuk mund ti themi shqiptarëve, që Britania dhe Gjermania, ngatërrohen, se këtu do bëhet thjesht një korrigjim i vogël teknik. Pra, duhet t’i shikojmë shqiptarët në sy dhe ti themi të vërtetën sepse ky është thelbi i problemit.

Hashim Thaçi: Unë shqiptarët i shikoj në sy, kam luftuar për ta dhe për vendin tim, i besoj shtetit të Kosovës, e di se dikush pretendon se do të gaboj por Hashim Thaci nuk gabon në këtë drejtim.

Andi Bushati: Edhe ne shpresojmë shumë të mos gabosh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco