Protesta e opozitës/ Edi Paloka tregon se cili është synimi final

Protesta e opozitës/ Edi Paloka tregon se cili është synimi final

17:02, 25/01/2019
A+ Aa A-

Opozita e bashkuar e ka lajmëruar se do të nisë një seri protestash, ku më e madhja prej tyre do të mbahet në 16 shkurt në orën 11:00.

Nënkryetari i selisë blu, Edi Paloka ka treguar objektivin e protestës. Ai është shprehur se protesta do të jetë fillimi i një serie të re, pa treguar mënyrat.

Ai thotë se synohet një protestë e vazhdueshme dhe çdo veprim i opozitës do të bëhet në funksion të saj.

‘16 shkurti është një kulm por nuk është fundi. Nga aty do të fillojë një seri tjetër, për të cilën ne sigurisht duke u updetuar, do të marrim dhe vendimet. Qëllimi është një protestë e vazhdueshme. Nuk ka më kthim pas.

Çdo lëvizje që ne do bëjmë qoftë dhe qëndrimi ndaj parlamentit do të ketë vetëm një funksion: t’i japim zë protestës qytetare. Nuk kemi më as qeveri kemi një tryezë me kukulla që i lëviz Rama’, është shprehur Paloka, shkruan Balkanweb.

Sipas tij, Partia Demokratike nuk kërkon marrjen e pushtetit me protesta. Synimi, sqaron Paloka, është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, me një qeveri tranzitore pasi me Edi Ramën kryeministër është e pamundur.

‘Synimi që ne kemi është realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk ka synim marrjen e pushtetit me protesta. Në funksion të kësaj do të formatohet dhe qeveria që ne kërkojmë. Por nuk mund t’ju them një formulë, do të jetë e përbërë nga demokratë nga socialistë apo teknikë. E vetmja gjë që kemi të qartë është që sa të jetë Edi Rama zgjedhje të lira ne nuk do të bëjmë’, deklaron deputeti demokrat.

Po cila është arsyeja, që Partia Demokratike vendosi që nga mbështetëse e protestave të jetë udhëheqëse e tyre?

‘Qytetarët pafundësisht na kanë kërkuar që protestat t’i drejtojmë ne. Për t’i dhënë zë pakënaqësisë së tyre dhe kërkesave të tyre. Për këtë arsye ne i kemi bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që gjithë atyre që kanë arsye të protestojnë të ngrihen t’i bashkohen opozitës si e vetmja mënyrë dhe mundësi për të zgjidhur problemet e tyre’, deklaroi nënkryetari.

Paloka thotë se paralelisht me organizimin e protestave PD po përgatitet edhe për zgjedhjet duke nisur organizimin e të gjitha degëve, pavarësisht datës në të cilën ato do zhvillohen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco