Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Beteja e Tendës së Qypit, Meta: Sakrifica e dëshmorëve, meriton përulje e nderim

Beteja e Tendës së Qypit, Meta: Sakrifica e dëshmorëve, meriton përulje e nderim

13:04, 25/01/2019
A+ Aa A-

Presidenti i Republikës ka qëne gjatë ditës së sotme në Nishicë të Skraparit për të përkujtur betejën e Tendës së Qypit e zhvilluar gjatë LANÇ.

Njoftimin për këtë vizitë e ka njoftuar kreu i shtetit në faqen e tij në facbook.

Ja postimi i tij i plotë:

Nder i veçantë të isha sot në Nishicë të Skraparit, për përkujtimin e një prej ngjarjeve më të lavdishme dhe heroike të LANÇ, 75-vjetorin e betejës madhështore të Tendës së Qypit, nga 20-26 Janari i 1944, që paralajmëroi dimrin e fundit të pushtuesve. Lavdi përjetë 17 dëshmorëve partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese dhe Grupit të Skraparit, që u drejtua trimërisht nga Heroi i Popullit, Zylyftar Veleshnja. 

Gjaku i derdhur për çlirimin e Atdheut, jo vetëm nderoi dhe lartësoi Shqipërinë në koalicionin botëror anti-fashist, por na shpëtoi nga copëtimi dhe mosekzistenca. Ndaj sakrifica sublime dhe vepra e ndritur e heronjve dhe dëshmorëve tanë, meriton përulje e nderim nga të gjithë ne, pasi shkëlqen edhe sot duke na ndriçuar rrugën për të ardhmen europiane.

Ja edhe njoftimi i zyrës së shtypit të Presidencës për ceremoninë.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Skraparin, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të organizuar në Nishicë me rastin e 75-vjetorit të betejës historike të “Tendës së Qypit”.

Kreu i Shtetit pasi u takua me autoritetet vendore, dhjetra banorë e veteranë, me të cilët ndau respektin dhe nderimet për veprën heroike dhe sakrificat sublime të Dëshmorëve të Atdheut, vuri në dukje se: 

“Është kënaqësi e veçantë, që së bashku me Kryetarin e Bashkisë, z.Nesim Spahiu, të marr pjesë në këtë veprimtari mjaft të rëndësishme, që i kushtohet 75-vjetorit të betejës së Tendës së Qypit, njërës prej më heroikeve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Është njëra prej betejave që ka zgjatur më shumë, duke u zhvilluar në kushte mjaft të vështira, ku kanë dhënë jetën 17 prej bijave dhe bijve më të mirë të popullit të Skraparit dhe të forcave të Brigadës I Sulmuese, që morën pjesë në të.

Është një betejë që i bën krenarë të gjithë shqiptarët, por padyshim edhe të gjithë ne që jemi me origjinë nga Skrapari.

Jemi edhe më krenarë për heroizmin e Zylyftar Veleshnjës, i cili edhe pse i plagosur nuk u largua nga fronti i betejës, por edhe për shumë partizanë të tjerë të grupit të Skraparit, të cilët e kanë merituar atë kujtim dhe nderim që populli ynë ua bën në mënyrë të jashtëzakonshme.” – nënvizoi Presidenti Meta.

“Mbrojtja e vlerave të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare është një detyrë e të gjithëve ne, që ta transmetojmë brez pas brezi, pasi është e rëndësishme të kuptohet që liria nuk jepet njëherë e përgjithmonë.

Për lirinë janë bërë sakrifica të pashembullta, dhe çdo nënvlerësim i këtyre sakrificave mund të rrezikojë në të ardhmen lirinë, sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Na duhet gjithmonë t’i edukojmë të rinjtë me këtë ndjenjë atdhedashurie e të forcojmë identitetin kombëtar, sepse globalizimi i rrezikon popujt e vegjël dhe vendet e vogla.

Ndaj jemi këtu që të nderojmë ata që e shkruajtën këtë histori të lavdishme me gjakun e me sakrificat e tyre. 

Të nderojmë të gjithë ata veteranë sikurse ishte edhe rasti i kreut të veteranëve të Beratit, Orhan Frashërit, i cili u nda nga jeta fatkeqësisht pak ditë më parë, duke qenë gjithmonë aktiv në ngjarjet e këtij qarku, si dhe të gjithë të tjerët për atë që kanë bërë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi krenarë me të gjithë brezat duke u gëzuar që kemi edhe të rinj, edhe fëmijë sot këtu.” – u shpreh Presidenti Meta.

“Një falënderim të veçantë popullit të kësaj zone, ku kanë ndodhur këto luftime e beteja të përgjakshme, e ku është shkruajtur njëra prej historive më të lavdishme të luftës partizane!

Ne e dimë shumë mirë që u bë gjithë ajo luftë, u derdh gjithë ai gjak, dhe prapë pas çlirimit, kërkonin të na rreshtonin me bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit në mënyrë që të copëtohej Shqipëria. 

Dhe ishte kjo luftë e jashtëzakonshme, ishte ky gjak i derdhur që mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, të cilën e gëzojmë edhe sot e që duhet ta ruajmë si sytë e ballit” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti i Republikës

Image

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco