Pasuritë e pajustifikuara, si KPK po përdor standarte të dyfishta për të mbajtur Prelën në sistemin e drejtësisë

Pasuritë e pajustifikuara, si KPK po përdor standarte të dyfishta për të mbajtur Prelën në sistemin e drejtësisë

11:42, 25/01/2019
A+ Aa A-

Çlirim Gjata, Sekretari për Çeshtjet Ligjore në PD, iu drejtua Komisionit të Vetingut sot lidhur me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prelën, duke i kërkuar që të ruajë standartin në rastin e procesit të verifikimit të figurës së saj.

Gjata publikoi para medias, të gjitha shkeljet që janë vërejtur në deklarimin e pasurisë së zonjës Prela, duke filluar nga apartamenti që ajo ka blerë së fundmi prej administratorit të një firme që po hetohet pikërisht nga institucioni i drejtuar prej saj.

“Ne kemi këtu dosjen e zonjës Prela me shkeljet që ajo ka bërë, dosje e cila ndodhet në vetting, pra ndodhet në KPK. Nuk është se kemi shpikur diçka të re, nuk kemi bërë ndonjë hetim, thjesht këto janë të gjitha të dhëna që ndodhen në zyrat e Komisionit të Vetingut. 

Ku qëndron problemi? Çështja është se përse nuk i merr në konsideratë, nuk i merr në shqyrtim? 

Kemi disa raste, të cilat duhen  hetuar me shumë seriozitet që të mbahet i njëjti standard si në rastet e tjera, që Komisioni i Pavarur të Kualifikimit, të Vettingut, të mos bjerë në atë që quhet standard i dyfishtë. Kur qëllon njëri i nënës, tjetri i njerkës, çfarë  ndodh? 

Duke filluar me rastin e parë, me një apartament që zonja Prela e ka blerë në “Rrugën Tefta Tashko Koço”, tek një Kompani, Administrator i së cilës është në ndjekje penale, është nën hetim po nga Krimet e Rënda. 

Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton. 

Tjetër moment. 

Çmimi është shumë më i lirë se sa i tregut, është nga 300 deri në 500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katror, dhe kjo del nga vetë thirrjet që kjo Kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo, ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250 deri në 500 Euro më shtrenjtë për metër katror se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela.  Atëherë përse ky preferencim, përse kjo ulje e çmimit pikërisht për këtë Prokurore,  e ndodhur në këto kushte.

Në zyrat e Vettingut ndodhen rastet e tjera. 

Blerja e apartamentit në Durrës për 1 milionë lek të reja, shitet për 4 milion lek të reja. Apo blerje trojesh, apartamentesh, pronash, më lirë, apo shitje më shtrenjtë, apo shumë më shtrenjtë se ç’është çmimi i tregut.  A hetohet këtu për pastrim parash? Apo për fiktivitet, apo për kontrata fiktive? E ka detyrim organi i vettingut ta bëjë këtë. 

Por, ajo që është më e rëndësishme është procesi gjyqësor që bashkëshorti i zonjës Prela ka hapur me Kompaninë ku ka punuar, për mospagim taksash.  Megjithëse për vite me rradhë ka përfituar të ardhura dhe s’ka paguar taksa, kujtohet tani, pikërisht, pasi është futur nën proces verifikimi zonja Prela, bashkëshorti i saj ka hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë përkatëse, kundër kompanisë “Bruci”, tek e cila ka punuar, deri në mars 2018. Dhe këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh. 

Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për dëshpërblim, për pagesë taksash apo sigurimeve pas 7 viteve, pasi është e parashkruar. E drejta e kësaj padie është e parashkruar.  Nuk e ditkërka zonja në fjalë si juriste, që bashkëshorti nuk mund të hapë një padi pas shtatë vitesh? Është bërë fiktive, pra vërtetë s’i kemi paguar, por e ka fajin kompania dhe unë po e padis në gjyq. 

Tani kaq e trashë është gatuar kjo dhe tregon që ka një mbështetje shumë të fuqishme politike të organet e vetingut derisa bën veprime të tilla.  Që nga blerja e apartamenteve, administratorët e kompanisë të cilët janë në konflikt interesi, çmime preferenciale, shitblerje pasurish të paluajtshme e deri tek procesi gjyqësor dhe fiktiv për t’ia hedhur ligjit, i themi ne. 

Institucioni i vettingut duhet të heqë dorë nga standardi i dyfishtë. Dhe ç’është më e bukura, nëse një prokuror e ka shkarkuar nga detyra, i cili kishte bërë një blerje të fshehtë dhe thoshte se jetoj me qera, të njëjtën gjë bën edhe zonja Prela me apartamentin. E ka bërë blerjen, por letrat janë lënë, pasi të kalojë vettingu. Pra ndodhemi para së njëjtave kushte. Përse të mos ketë të njëjtin trajtim si Prokurori tjetër? 

Të gjitha këto i keni. Do t’jua nisim edhe elektronikisht, me adrea, me linqe, me të gjitha elektronikisht, ku dalin faktet, apartamentet, sipërfaqet, metrat katrorë, gjithçka çfarë ka ndodhur, kërkesë-padia fiktive që ka ngritur, rasti i Prokurorit apo disa raste të tjera të ngjashme. 

Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa institucioni i vettingut të mbajë të njëjtin standard për raste të ngjashme. Ndryshe, këtu ka ndërhyrje politike.  

 

  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco