Soreca: Vendimi përfundimtar për të hapur negociatat, nuk mund të merret si i mirëqenë

Soreca: Vendimi përfundimtar për të hapur negociatat, nuk mund të merret si i mirëqenë

07:10, 13/01/2019
A+ Aa A-

Flet ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca: “Shqipëria ka nevojë kyçe për reforma që do të nxisin konkurrencën dhe zhvillimin”

Pranvera e 2019-s do të jetë një periudhë prove për Shqipërinë, kjo pasi pritet që Komisioni Europian të paraqesë raportin vjetor për vendin tonë, për t’u shqyrtuar më pas nga shtetet anëtare të Këshillit të BE-së. Gjatë vitit 2018 pati debate të shumta për shtyrjen e fillimit të negociatave, megjithatë përfundimet e Këshillit të qershorit të kaluar nuk shtuan ndonjë kusht të ri për hapjen e negociatave. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, në një intervistë për “Monitor”: 

Z. Soreca, Shqipëria pritet të fillojë procesin e negociatave me BE-në vitin e ardhshëm. A e konsideroni Shqipërinë gati për këtë hap?

Ambasadori: Përfundimet e Këshillit të Ministrave të BE-së të qershorit të kaluar kanë identifikuar qartë rrugën që duhet ndjekur për të filluar negociatat e anëtarësimit. Komisioni Europian do të paraqesë Raportin e tij Vjetor në pranverën e 2019-s, i cili do të shqyrtohet nga Shtetet Anëtare në Këshillin e Bashkimit Europian në qershor.

Kujtoj se Komisioni Europian ka rekomanduar tashmë në Raportin e tij të fundit Vjetor, në fillim të këtij viti, hapjen negociatave me Shqipërinë dhe se Parlamenti Europian e ka konfirmuar së fundmi qëndrimin e tij në favor të fillimit të negociatave kur miratoi Rezolutën e tij mbi Raportin e Komisionit. Përfundimet e Këshillit të qershorit të kaluar nuk shtuan ndonjë kusht të ri për hapjen e negociatave.

Shqipërisë iu kërkua përparim i mëtejshëm në prioritetet e vendosura në vitin 2014, si dhe arritjen e rezultateve të prekshme dhe konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është thelbësore që Shqipëria të fokusohet tani në arritjen e këtyre rezultateve, në mënyrë që t’i mundësojë Komisionit Europian të konfirmojë rekomandimin e tij, si dhe t’u tregojë Shteteve Anëtare se është arritur progres i mjaftueshëm.

Është e rëndësishme që tani të gjitha përpjekjet dhe burimet të orientohen drejt këtij objektivi të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët e tij. Vendimi përfundimtar për të hapur negociatat e anëtarësimit nuk mund të merret si i mirëqenë dhe do të varet nga veprimet që Shqipëria do të vazhdojë të ndërmarrë në muajt e ardhshëm.

Do të ishte një gabim i madh nga ana e Shqipërisë që të mos përqendrohej tani për të bërë gjithçka që është në kompetencën e saj për t’u paraqitur me dokumentet në rregull në takimin e qershorit.

Ka shenja shumë inkurajuese që na thonë se arritja e këtij objektivi është e mundur. Progresi i rëndësishëm i kohëve të fundit i bërë në zbatimin e reformës në drejtësi me themelimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, përfaqëson një hap të madh, duke i hapur rrugë emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe gjyqtarëve dhe prokurorëve në SPAK dhe BKH. Këto zhvillime tregojnë se reforma në drejtësi po funksionon dhe është e pakthyeshme.

Po ashtu, masat ligjzbatuese të kohëve të fundit kundër krimit të organizuar, janë mirëpritur. I përgëzoj shumë këto zhvillime. Është absolutisht thelbësore që të sigurohet qëndrueshmëria e rezultateve të arritura deri më tani. Vendi duhet të bashkohet për të arritur këtë qëllim historik. Gatishmëria e Shqipërisë varet në mënyrë thelbësore nga një konsensus i fortë midis të gjitha partive politike për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Për shembull, duke finalizuar punën për reformën e Kodit Zgjedhor, një komponent thelbësor i Konkluzioneve të Këshillit të qershorit të kaluar. Është bërë një punë shumë e mirë dhe konstruktive, në kuadër të aktiviteteve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë tani përgjegjësi dhe t’i shfrytëzojnë të gjitha këto përpjekje për të gjetur një marrëveshjeje për një propozim të përbashkët për ndryshime në ligjin zgjedhor, i cili mund të miratohet sa më parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku13/01/2019 10:56

Kam dyshim që ky italiani po rrit çmimin, nuk don me ik nga Shqipëria më i "varfër" se sa ushtarët paraardhës të sorosit, baxhellët vllahutin-lu-mogherin.

Shto koment

Denonco