LSI zbulohen sloganin: Shqipëria, shtëpia juaj

LSI zbulohen sloganin: Shqipëria, shtëpia juaj

17:45, 12/01/2019
A+ Aa A-

LSI zhvillon Konventën Kombëtare. Miratohet rezoluta për 7 pika. LSI angazhim maksimal për çeljen e negociatave në Qershor.

Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi sot Konventën Kombëtare. Delegatët e LSI nga e gjithë Shqipëria votuan me unanimitet rezolutën me 7 Pika të propozuar për votim, në të cilën shprehej angazhimi i plotë i LSI për të dhënë të gjithë kontributin e saj në rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe që Qershori të jetë muaji i çeljes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Përveç Rezolutës, Konventa Kombëtare e LSI prezantoi dhe sloganin që LSI do të ketë gjatë gjithë kësaj periudhe në prag të zgjedhjeve lokale. “Shqipëria, shtëpia juaj” do të jetë tashmë slogani i LSI-së, i cili ashtu sikurse u theksua edhe në fjalën e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, misioni i LSI-së është i qartë: “Të kthejmë shqiptarët në Shqipëri. Të kthejmë shqiptarët në Shqipëri që të ndërtojmë Shqipërinë. Të ndërtojmë Shqipërinë europiane, të ndërtojmë atë Shqipëri për të cilën kemi aspiruar. Shtëpia e shqiptarëve është Shqipëria dhe vetëm duke u kthyer në Shqipëri për të ndërtuar prosperitetin dhe integritetin e vendit tonë. Ky është misioni kombëtar i të gjithë të rinjve dhe të rejave shqiptarë kudo që janë. Ky është misioni ynë kombëtar, i nënave shqiptare. Ky është misioni ynë për të kthyer besimin te vajzat e reja. Ky është misioni ynë për të kthyer të ardhmen e Shqipërisë në Shqipëri. E ardhmja e Shqipërisë janë djem dhe vajzat e shqiptarëve. E ardhmja e Shqipërisë janë ata studentë. E ardhmja e Shqipërisë janë ata gjimnazistë, e ardhmja e Shqipërisë janë me qindra, mijëra të rinj e të reja që e duan Shqipërinë. Shqipëria është e shqiptarëve. Shqipëria është e para për ne. Shqipëria është ajo për të cilën kemi të gjithë nevojë”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi. Gjatë fjalës së saj në Konventën Kombëtare të LSI-së, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi renditi 27 premtimet e pambajtura të qeverisë së Rilindjes, dështimi për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, ulja e TVSH-së për energjinë elektrike, shëndetësia falas, arsimi falas etj etj.

Fjala e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi në Konventën Kombëtare të LSI-së

Përshëndetje, mirënjohje dhe respekt për anëtarët e Konventës së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia jonë e cila e ka emrin Lëvizje Socialiste për Integrim është ajo parti politike e cila në asnjë moment nuk do tradhtojë gjakun e mijëra burrave dhe grave që dhanë për Shqipërinë tonë të pavarur, të lirë dhe krenare. Kjo parti nuk do të tradhtojë kurrë flamurin e saj kombëtar, i cili valëvitet krenar edhe pse qeveria e rilindjes dhe e krimit kërkon që t’i uli kokën. Ju që jeni këtu mbi mijëra burra dhe gra, vajza e djem, të rinj e të reja, të moshuar, punëtorë, intelektualë, mësues, biznesmenë, të papunë, japim fjalën sot në emër të të gjithë anëtarëve të LSI-së, votuesve tanë, që ne nuk tradhtojmë Shqipërinë, vendin tonë, atdheun tonë. Ai vend ku na ka bërë krenarë për këta që jemi, ai vend i cili ka mbijetuar me mijëra vite, me shekuj përballë pushtuesve, tradhtarëve dhe ata që kanë përdhosur flamurin tonë.

Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Ashtu siç luftojmë për shtëpinë tonë, ashtu do të luftojmë edhe për Shqipërinë. Do të luftojmë për djemtë dhe vajzat shqiptare që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, jetën dhe familjen e tyre këtu në Shqipëri.

Motra dhe Vëllezër, shtëpia e shqiptarëve është Shqipëria. Si grua dhe si nënë, por në fakt si çdo shqiptar që lufton për familjen e tij, për shtëpinë e tij, ne duhet të luftojmë për atdheun tonë. Ne nuk duhet të ndalemi në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëria. Sot Shqipëria më shumë se kurrë ka momentet e saj më të vështira dhe prandaj ne sot duhet të harrojmë idealin politik, ideologjinë politike. Sot e vetmja ideologji që duhet të qarkullojë, jo vetëm në LSI, po në të gjithë klasën politike është vetëm një. Shqipëria është shtëpia jonë, është atdheu ynë. Shqipëria është familja jonë, për të cilën ne duhet të kujdesemi ashtu siç kujdesemi për shtëpinë tonë. Ne ju detyrohemi shumë të rinjve dhe të rejave. Ne ju detyrohemi grave dhe vajzave shqiptare.

Në vitin 1990 isha gjimnaziste maturante në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Nuk e dija çfarë ishte demokracia. Nuk e dija se çfarë ishte pluralizmi politik. Isha si ato studentë që janë sot në rrugët e Tiranës, apo që janë ngujuar në auditoret e fakulteteve. Por vetëm një gjë e dija: e dija shumë mirë që kompromisi me të shkuarën nuk është gjë tjetër vetëm se të lë mbrapa dhe nuk të lë të zhvillohesh. Kompromisi me atë që dhunon dhe shtyp popullin e tij, nuk është gjë tjetër, veçse bëhesh dhe ti shfrytëzuese dhe dhunuese e popullit. Kuptova një gjë: që populli është ai që të ngre në piedestal dhe populli është ai që të tërheq zvarrë, edhe si monument, edhe si skulpturë, edhe si identitet, por edhe si njeri. Prandaj them sot një përkrahje të madhe për ata studentë dhe studente, për ata djem dhe ato vajza të cilët na dhanë dinjitet, na dhanë shpresë, por mbi të gjitha na dhanë besim që të bashkuar ne kemi për të fituar.

Nuk bëhet fjalë për të fituar politikisht, por bëhet fjalë për të fituar patriotikisht. Sepse sot më shumë se kurrë është në diskutim çështja e identitetit kombëtar. Sot ne jemi të bindur që kemi një rrugë, dhe është një rrugë, e cila do të na ndajë nga një e keqe shumë e madhe. Është rruga e përballjes, është rruga e përplasjes, është rruga e betejës me të keqen. Kjo është rruga për të cilën ne duhet të sakrifikojmë çdo gjë. Po të jetë e nevojshme edhe jetën, sepse çdo prind e jep jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve të tij.

Ju e dini shumë mirë që Shqipërisë i janë premtuar 300 mijë vende të reja pune. Por në fakt nuk pamë 300 mijë vende të reja pune, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar nga Shqipëria. Nuk pamë 300 mijë vende të reja pune, por pamë me qindra dhe mijëra biznese të mbyllura dhe të falimentuara. Nuk pamë 300 mijë vende të reja pune, por pamë lot nënash që qanin sepse nuk kishin mundësi për të ushqyer fëmijët e tyre. Ne e dimë shumë mirë premtimin që u bë nga Rilindja për uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës në mënyrë të tillë që familjet e varfra të kishin mundësi për të pasur pak bukë thatë më shumë në tavolinat e tyre. Por dhe kjo nuk u bë.

Ne e dimë shumë mirë që u premtua ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 20% në 6%. Jo vetëm që nuk u bë , por çmimi i energjisë elektrike u rrit më shumë. Në 2015 shqiptarët paguanin për 300 kë/orë, 2310 lekë të reja energji elektrike, sot po për 300 kë/orë shqiptarët paguajnë 2850 lekë të reja energji elektrike. Ky është premtimi i Rilindjes.

Të mos të kthehemi më te shëndetësia falas, apo tek utopia e cila është edhe mashtrimi i radhës. Sot për familjet shqiptare shëndetësia është një nga shpenzimet më të shtrenjta. Është një nga % e shpenzimet me të mëdha për xhepat e tyre. 57% e buxhetit të shëndetësisë paguhet nga shqiptarët me para në dorë. Dhe vetëm 43% paguhet nga taksat e shtetit. Po e thjeshtëzoj. Shqiptarët kur shkojnë në spital dhe paguajnë për ilaçet, për dorezat, për infermierët, për mjekët, për sanitarët, e për çdo gjë, kanë paguar për 2018 480 milionë euro që i kanë nxjerrë nga xhepat e tyre. Që do të thotë që këto para po të investoheshin në ekonomi, do ishin hapur me mijëra vende të reja pune. Shqiptarët kanë hequr nga xhepat e tyre 480 milion euro për t’i vendosur në buxhetin e shëndetësisë falas të premtuar nga rilindja e krimit. Sot buxheti i shëndetësisë është 2,9% e GDP-së. Pra është një vlerë që është më pak sesa shqiptarët paguajnë nëpërmjet sigurimeve shëndetësore, të cilët jeni ju ata që i paguani se në të kundërt vjen dhe të burgos policia e rilindjes së krimit.

Arsimi. Kemi dëgjuar për arsimin këto muaj më shumë se çdo gjë tjetër. Kemi një premtim 5% të buxhetit të shtetit. Por nuk është 5%, është 2,4%. Jo vetëm që kemi dhe një premtim qesharak dhe diletant, ku thotë që 40% të pagës së mësuesit do ta rrisim. Jo vetëm që nuk është rritur, por edhe ajo pak rritje që është, është thjesht rritja e inflacionit.

Nuk dua të ndalem shumë në terma ekonomikë, sepse nuk do të mbarojmë kurrë. Por sot vetëm nga një kërkim i vogël dhe i shkurtër serioz në internet, e pakta që mund të themi dhe mund të gjejmë, janë 26 premtime të pambajtura të qeverisë së rilindjes së krimit. Po i lexoj shkurtimisht. “Do t’i rikthejmë kontrollin Shqipërisë nëpërmjet Policisë së Shtetit.” Dje e dëgjuam sesi u vodhën armët në depot e ushtrisë. Rritet kriminaliteti në 2018, vetë INSTAT, institucioni i qeverisë, thotë është rritur me 50% më shumë.”Do normalizojmë trafikun rrugor”, vetëm në janar kanë humbur 13 vetë jetën. “Korrupsionin në Shqipëri do ta luftojmë”, Departamenti Amerikan i Shtetit thotë, korrupsioni në Shqipëri, i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes. Edhe pse ne nuk jemi më pjesë e tepsisë. Qeveria përdori pa kriter propozimet e pakërkuara për koncesionet e famshme PPP. Do të kemi një përgjysmim të TVSH për ushqimet më jetike të shportës. Shqiptarët vazhdojnë dhe paguajnë në varfërinë e tyre çmimet e larta, të çmimeve që ofrojnë oligarkët në supermarkete. Krijimin e kartës së performancës së shkollës që do të thotë që prindërit do të njihen me të dhënat në shkollat e tyre. Jo vetëm që nuk njihen por fëmijët e tyre kërcënohen haptas në ambientet e shkollave shqiptare.

Në Bibliotekën kombëtare, do të përfundojë dixhitalizimi. Jo vetëm që nuk u bë dixhitalizimi, por u përmbyt dhe ajo bibliotekë kombëtare që kemi.

Ne synojmë të fuqizojmë pozitën e grave dhe vajzave përmes punësimit dhe nxitjes së sipërmarrjes. Me qindra mijëra gra dhe vajza sot janë pa punë. Por jo vetëm që janë pa punë por ndihen të shfrytëzuar, ndihen të përdhosura, ndihen pa përkrahje dhe çdo ditë e më shumë ndihen të dhunuara verbalisht nga një qeverisje dhe nga bandat e krimit të organizuar.

Do të krijohen inkubatorët e biznesit rinor. Për kë inkubator e ka fjalën? Për inkubatorët e njerëzve që paguajnë me taksat e shtetit shqiptar për të luajtur dhe për të bërë like dhe share në Facebook-un e Kryeministrit tonë. Nëse ky është inkubator unë mendoj që ky nuk e nxit punësimin e të rinjve por përkundrazi, i kthen ata në vegla të përdorshme të krimit të organizuar.

Do të nxitet sistemi i kredive dhe mikrokredive si dhe do të krijohen lehtësira fiskale për sipërmarrjen e të rinjve. Me qindra e mijëra të rinj e të reja, sot janë larguar nga Shqipëria, të cilët sot kërkojnë një jetë më të mirë. Por përkundrazi gjejnë vetëm luftë, gjejnë vetëm debat dhe gjejnë vetëm mbyllje të dyerve nga qeveria shqiptare.

Do të ndërtojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor që do të jetë paguesi i vetëm për kujdesin shëndetësor. Përkundrazi të gjitha shërbimet shëndetësore, sot janë dhënë me koncension, pra shqiptarët, paguajnë më shumë se ç’kanë pas paguar më përpara.

Do të kemi energjinë e ulët që absolutisht jo vetëm që nuk u ul, por u ngrit.

Rama tha për vitin 2015 se vitin tjetër do të hapim negociatat. Jo vetëm që nuk i hapi negociatat, por po mbyll çdo derë të bashkimit evropian, për ta çuar Shqipërinë drejt antarësimit të saj në BE. Sepse një Shqipëri Europiane do të jetë një Shqipëri e pahapur, e çliruar nga krimi i organizuar, e pastruar nga korrupsioni. Dhe do të jetë një Shqipëri Europiane, që do tu shërbejë qytetarëve të saj.

Projekti i Unazës së Re, i cili është një nga projektet që ne e njohim por ta dini që është një nga projektet më të mëdha korruptive. I cili jo vetëm që vjedh paratë e taksapaguesve shqiptar por shemb dhe shtëpitë e shqiptarëve në mënyrën më harbutë dhe në mënyrën më të tmerrshme. Do të ndërtoj ishull në lumin e Osumit në Berat. Do të vendos nën kontrollin e parlamentit, Institutin e Statistikave. Do të mbështesë me pension, fëmijët e policëve të vrarë. Jo vetëm që nuk i ka mbështetur por as nuk është kujtuar ndonjëherë për ta. Qoftë dhe për ti falënderuar dhe për të qenë krenar qe prindërit e tyre kanë dhënë jetën në mbrojtje të institucioneve të shtetit shqiptar.Do të ulte borxhin publik, por në fakt nga 64%, e çoi në 74%. Do të ndërtonte rrugën e lumit të Vlorës, do të ndërtonte rrugën e Arbërit, do të merrte 200 milion dollarë nga përpunimi i naftës në vend. Do të premtonte që 5% të GDP-së do ta çonte për arsimin, por në të kundërt zvogëloi çdo gjë. Do të krijonte rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët dhe do t’u jepte një pagë shpërblim të 13. Jo vetëm që nuk i rriti, por i rriti taksat duke i taksuar mbi të ardhurat dhe pagën e 13 iu a mohoi, në mos e futi në xhepin e tij. Do të krijonte lirinë e shtypit dhe pluralizmin e informacionit, por në të kundërt po ngre ligj, për t’ju mbyllur gojën shqiptarëve. Po ngre ligj për ti mbyllur gojën çdo gazetari apo gazetareje që është kundër ideve të tij. Do të bënte planifikim rajonal që do të realizonte dy programe të rëndësishme: programin e 10 poleve turistike në Shqipëri, Korridorin e Kaltër. Kemi vetëm një korridor, korridorin e drogës. Për këtë ka mbajtur të vetmin premtim me ndërkombëtarët. Kemi luftën kundër narkotikëve, por përkundrazi, fëmijët e shqiptarëve ndihen të rrezikuar. 2.4% e tyre janë përdorues të kokainës, që do të thotë që mbi 70 mijë të rinj dhe të reja janë viktima të krimit të organizuar. Do të rriste kushtet nëpër shkolla, por përkundrazi, sot arsimi i mesëm dhe 9 vjeçar mbyllet për shkak te kushteve të rënduara, temperaturave të ulëta dhe mungesës së kushteve më minimale. Kështu me rradhë siguria ushqimore, bujqësia, etj.

Rezoluta që lexoi Klajda është një angazhim politik i yni, por jo vetëm politik, është edhe një angazhim moral. Prandaj sot unë do t’ ju kërkoja, por jo vetëm me bindje, edhe me shpirt, edhe me zemër për ta votuar atë rezolutë.

Duke e përmbledhur shkurtimisht, dua sot të bëj dhe një sqarim përsa i përket protestës së studentëve. Studentët shqiptarë nuk janë anëtarë të partive politike. Studentët shqiptarë janë fëmijët e shqiptarëve dhe duke qenë fëmijët e tyre, është detyrimi ynë moral, por dhe prindëror për t’u kujdesur për ta. Prandaj duke folur për ta, të cilët ndezën brenda jetës politike jo vetëm revoltën, por përgjegjësinë publike që duhet të ketë çdo politikan, çdo deputet, çdo drejtues i institucioneve shtetërore, ndezën përgjegjësinë publike që duhet të ketë çdo qytetar, sepse detyrimet e shtetit janë të detyrueshme për institucionet shqiptare ndaj qytetarëve të tyre.

Ne morëm një mësim të mirë nga studentët shqiptarë, i cili zgjoi sado pak revoltën brenda nesh. Ne sot jemi në këtë konventë për të kuptuar që ne detyrimet tona politike i kemi mbaruar. Tashmë kemi detyrime kombëtare.

Detyrimi im kombëtar është që jo vetëm të mbrojmë ata studentë, por ne Fier të bashkohemi dhe të mbrojmë naftëtarët. Në Bulqizë të ngrihemi, të bashkohemi dhe të mbrojmë minatorët. Në Durrës, Lezhë e Vlorë të ngrihemi dhe të mbrojmë peshkatarët. Në Sarandë e kudo të ngrihemi e të mbrojmë të gjitha bizneset, të cilat gjobiten dhe falimentohen për shkak të konkurrencës së pandershme edhe pse ata punojnë vetëm dy muaj në vit, qeveria jonë i masakron me taksa.

Ne duhet të ngrihemi për biznesin e vogël dhe për biznesin e mesëm. Ne duhet të ngrihemi për mësuesit e terrorizuar, të cilët kërcënohen çdo ditë. Ne duhet të ngrihemi për mjekët dhe infermierët që punojnë në kushte të vështira dhe mizerabël. Ne duhet të ngrihemi për pensionistët, të cilët marrin lëmoshën e mbijetesës nga qeveria e rilindjes dhe e krimit.

Ne duhet të ngrihemi, për të gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët janë larguar nga Shqipëria por me zemër dhe me shpirt janë këtu. Ne duhet të ngrihemi për ata policë, ku 80% e tyre kërkojnë të largohen nga Shqipëria. Duhet të ngrihemi për ata djem dhe vajza të cilët kanë dëshirë për arsim cilësorë dhe të përballueshëm për të gjithë. Ne duhet të ngrihemi për banorët e Unazës së Re të cilët u bënë simbol i protestës kundër një projekti grabitqar dhe imoral. Ne duhet të ngrihemi për studentët dhe studentet. Ne duhet të ngrihemi për të gjitha ata shqiptar që ndihen sot të varfër, të pamundur, për ata shqiptar që nuk kanë zë të flasin ne duhet të jemi zëri i tyre. Për ata shqiptar që nuk kanë sy të shikojnë. Ne duhet të jemi sytë e tyre. Për ata shqiptar, të cilëve iu kanë burgosur zemrat, ne duhet të jemi çliruesit e zemrave te tyre. Ne duhet të ngrihemi për ato gra dhe vajza shqiptare të cilat luftojnë me forcë për integritetin e tyre dhe për të ardhmen e tyre. Ne duhet të ngrihemi për ato nëna të cilat janë kryefamiljare dhe shesin gjakun e tyre për të ushqyer fëmijët e uritur. Ne duhet të jemi ato vajza shqiptare të cilat rrëmbehen nga krimi i organizuar dhe janë kthyer në lodra për pedofilët dhe kriminelët në Europë. Ne duhet të luftojmë për vajzat tona që të jenë me integritet, dinjitet dhe besim. Ne duhet të luftojmë për familjet tona, ne duhet të luftojmë për djemtë tanë të cilët duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre, por e vetmja mundësi është rruga e largimit. Ne duhet të luftojmë për ato nëna të cilat kanë veshur shaminë e zezë në kokë për fëmijët e tyre që i ka vrarë krimi i organizuar dhe trafiku i drogës

Ne duhet të luftojmë për ato burra dhe djem, trupat e të cilëve nuk gjenden sot akoma për shkak të krimit që ka zaptuar Shqipërinë. Ne duhet të luftojmë për jetën e fëmijëve tanë, të cilët duan të jenë krenarë në vendin e tyre. Ne duhet të luftojmë për fëmijët që do të lindin në Shqipëri. Ne duhet të luftojmë për brezat që do të vijnë në Shqipëri. Ne duhet të luftojmë për ato nëna të reja që qumështi për të ushqyer fëmijët e tyre të jetë bekim për shqiptarët. Ne duhet të luftojmë të kthejmë besimin në Zot, sepse vetëm besimi në Zot, do të na kthejë besimin te institucioni i familjes. Shqipëria për ne është familja, Shqipëria për ne është shtëpia jonë. Ne e duam Shqipërinë ashtu siç duam familjen tonë. Ne duhet ti japim dorën njeri-tjetrit sot. Pa dallimesh bindje politike. Jo vetëm për të thënë që jemi sot politikisht, por ne jemi sot shpirtërisht me të gjithë shqiptarët kudo që janë ata. Sepse vetëm kështu ne do të kemi mundësi të ecim përpara.

Shqipëria është një vend i vogël dhe ne jemi një popull i vogël. Por mos harroni, ne jemi një popull që ka një zemër të madhe, që ka një zemër luftëtare. Ne jemi një popull ku gjiri i nënës Shqipëri me forcë besim dhe dashuri për vendin. Ne jemi një popull i cili nuk dorëzohet përpara hordhive të çdo antishqiptari dhe të çdo njeriu, që kërkon të transformojë historinë e shqiptarëve. Ne jemi një popull që dimë të luftojmë. Ne jemi një popull që kemi mbijetuar me mijëra vite përballë pushtimeve të huaja. Ne jemi një popull që në thelb është i lirë si shqiponja që fluturon në qiell të pastër dhe të kaltër.

Ne jemi një popull që askush nuk mund ta përdhosi. Kush ka tentuar ta shtypë, ta shfrytëzojë mund të ketë qenë i fortë për momentin se ka qenë në numër, por fundi i tij ka qenë i frikshëm dhe i dhimbshëm. Ne kemi një mision. Misioni ynë është i qartë, të kthejmë shqiptarët në Shqipëri. Të kthejmë shqiptarët në Shqipëri që të ndërtojmë Shqipërinë. Të ndërtojmë Shqipërinë europiane, të ndërtojmë atë Shqipëri për të cilën kemi aspiruar. Të ndërtojmë atë Shqipëri për ata djem dhe ato vajza të cilët kanë dhënë jetën, të ndërtojmë Shqipërinë për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve, të ndërtojmë Shqipërinë që ta kenë shtëpinë e tyre.

Shtëpia e shqiptarëve është Shqipëria dhe vetëm duke u kthyer në Shqipëri për të ndërtuar prosperitetin dhe integritetin e vendit tonë. Ky është misioni kombëtar i të gjithë të rinjve dhe të rejave shqiptarë kudo që janë. Ky është misioni ynë kombëtar, i nënave shqiptare. Ky është misioni ynë për të kthyer besimin te vajzat e reja. Ky është misioni ynë për të kthyer të ardhmen e Shqipërisë në Shqipëri. E ardhmja e Shqipërisë janë djem dhe vajzat e shqiptarëve. E ardhmja e Shqipërisë janë ata studentë. E ardhmja e Shqipërisë janë ata gjimnazistë, e ardhmja e Shqipërisë janë me qindra, mijëra të rinj e të reja që e duan Shqipërinë. Shqipëria është e shqiptarëve. Shqipëria është e para për ne. Shqipëria është ajo për të cilën kemi të gjithë nevojë. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për identitet dhe integritet. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për forcë, sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për besim. Sot më shumë se kurrë shqiptarët kanë nevojë për lëvizje, ashtu siç kemi edhe emrin Lëvizja Socialiste për Integrim, le të kthehet Lëvizja e Solidaritetit Kombëtar për Shqipërinë. Të gjithë ti japim dorën demokratit, socialistit, ballistit dhe komunistit, legalistit, të krishterë dhe mysliman, të bashkohemi të tërë për një kauzë, për kauzën e vendit tonë, për kauzën e Shqipërisë sonë, për kauzën e familjes sonë. Vetëm kështu ne mund ti bëjmë ballë këtij uzurpimi nga e keqja që i ka bërë Shqipërisë. Ky uzurpim i mallkuar, ky uzurpim ka vetëm një rrugë për ta shkatërruar, bashkimi i të gjithë shqiptarëve për ta përmbysur dhe për ta rrëzuar, duke qenë ne politikanët të parët dhe populli me ne. Ne do të marrim përsipër çdo sfidë dhe çdo betejë në emër të shqiptarëve dhe në emër të të rinjve dhe të rejave, në emër të atyre djemve dhe vajzave të cilët besojnë se Shqipëria ka të ardhme. Unë besoj se Shqipëria ka të ardhme. Jam e bindur që edhe ju besoni që Shqipëria ka të ardhme.

Prandaj duke u lutur në Zot, lutemi çdo ditë që t’ju japi çdo ditë të gjithëve ju forcë dhe besim. I lutem çdo ditë që të na falë mëkatet tona për mosveprim ndaj kësaj të keqeje që ka uzurpuar, i jam mirënjohëse çdo ditë për besimin dhe përkrahjen që kam te ju dhe i lutem çdo ditë që ta shtojë më shumë. Por më lejoni që në emrin tuaj, të gjithë së bashku, të besojmë në Zot dhe ti lutemi Zotit që të kemi një Shqipëri të begatë, që të kemi një Shqipëri të ndritur, që të kemi një Shqipëri që të jetë familja e shqiptarëve, që të kemi një Shqipëri siç e meritojmë. Ti lutemi çdo ditë që ti kthejë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, të ndërtojnë familjen e tyre. Zoti qoftë me ju, Zoti na dhëntë forcë, zoti na dhëntë forcë që të përballemi me këtë të keqe të madhe dhe jam e bindur që Zoti do të na ndriçojë në rrugën për të ecur përpara dhe për të mos u ndalur më përballë kësaj të keqeje. Ne kemi një mision, të kthehemi në vendin tonë, të luftojmë në vendin tonë, të luftojmë për familjen e shqiptarëve, sepse sistemi i vlerave qëndron te familja. Pa familje nuk ka vlera. Pa familje nuk ka atdhe. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja. Zoti ju ruajt ju dhe gjithë shqiptarët kudo që janë.

Tani si Kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryesia ekzekutive më ka lënë si detyrë që të hedh për votim rezolutën që lexoi Klajda Gjosha. Kush është dakord? (Salla voton Pro). Atëherë, Grupit Parlamentar të LSI, edhe kryesisë, por edhe të gjithë ju që jeni delegatë nëpër rrethe na del një detyrë e madhe, detyra për ta realizuar dhe për të vënë në vend rezolutën e miratuar. Ne duhet të luftojmë një orë e më përpara për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ne angazhohemi si forcë politike dhe proeuropiane. Angazhimi ynë nuk do të ndalet në asnjë moment me çdo kosto dhe me çdo detyrim nga LSI për të arritur të gjitha pikat e rezolutës dhe jo vetëm, por edhe për ta çliruar Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe. Do të jemi në kontakt sepse ky është fillimi i fundit të Rilindjes së krimit, por është edhe fillimi i një fillimi të mbarë të së ardhmes së Shqipërisë së vërtetë, të Shqipërisë së shqiptarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco