Ngjarjet politike që i dhanë 'fytyrën', 2018-ës

Ngjarjet politike që i dhanë 'fytyrën', 2018-ës

10:53, 02/01/2019
A+ Aa A-

Ngjarjet më të rëndësishme sociale dhe politike në Shqipëri gjatë vitit 2018.

Janar 2018 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin dy deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rahovica, si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Të dy deputetët kishin fshehur të kaluarën e tyre.

Shkurt 2018 – Qytetarët protestuan kundër marrëveshjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Protestuesit i kërkuan qeverisë të jetë transparente me publikun në lidhje me këtë marrëveshje.

Mars 2018 – Gati dy vite pas miratimit të Reformës në Drejtësi, nisi procesi i rivlerësimit kalimtar të magjistratëve (gjyqtarëve dhe prokurorëve), i njohur si “vetingu”. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë rreth 77 vendime për magjistratët deri tani. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe kandidatët për në institucionet e reja të drejtësisë ishin të parët që iu nënshtruan vetingut.

Prill 2018 – Filloi vetingu i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky proces çoi në mbetjen e Gjykatës Kushtetuese me një anëtar të vetëm, Vitore Tushën, mandati i së cilës kishte mbaruar në vitin 2017. Ndërkohë anëtarët e tjerë të kësaj gjykate u larguan për shkak ose të dorëheqjeve, ose të vetingut (Besnik Ymeraj, Altina Xhoxha, Fatos Lulo, Bashkim Dedja, Gani Dizdari, Fatmir Hoxha, Sokol Berberi, Valdimir Kristo).

Maj 2018 – Nisi protesta kundër projektit të qeverisë dhe bashkisë për shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Artistët vazhdojnë të protestojnë përditë, duke kundërshtuar shembjen dhe duke denoncuar korrupsionin që karakterizon projektin e autoriteteve në këtë zonë. Projekti i paraqitur në muajin mars nga qeveria u kthye në një ligj të posaçëm, që do t’i jepte një kompanie të drejtën pë të realizuar këtë projekt pa garë, në kundërshtim me Kushtetutën, MSA-në dhe Ligjin për Prokurimin Publik. Për këtë projekt reagoi dhe Komisioni Europian, duke e detyruar Qeverinë të kthente ligjin dhe të respektonte procedurat ligjore.

Qershor 2018 – Këshilli Evropian vendosi ta shtyjë për një vit vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministrat e vendeve të BE-së i kërkuan qeverisë shqiptare të përmbushë pesë kushte: zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, si dhe miratimin e një kodi të ri elektoral.

Gusht 2018 – Përfundoi vetingu i anëtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila mbeti me vetëm katër anëtarë nga 19 gjithsej (Xhezair Zaganjori, Medi Bici, Ardian Dvorani, Edmond Islamaj), si rezultat i dorëheqjeve, ose i procesit të vetingut. Dy anëtarë të kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori dhe Edmond Islamaj, janë edhe anëtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelit (KPA). Ndërkohë në Gjykatën e Lartë janë grumbulluar gati 15 mijë çështje në pritje për gjykim.

Shtator 2018 – Banorët e Kukësit protestuan kundër vendosjes së tarifës në Rrugën e Kombit. Protestës iu bashkua edhe Këshilli Bashkiak i Kukësit. Në këtë protestë pati përplasje mes policisë dhe qytetarëve, 11 prej të cilëve përfunduan në arrest me burg.

Tetor 2018 – Xhisiela Maloku akuzoi Rexhep Rrajën për dhunim. Rraja është djali i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Emiljano Nuhu, oficeri i policisë pranë të cilin u bë denoncimi, tha se ishte kërcënuar në prani të deputetit Rraja, Kryetarit të Grupit të PS-së Taulant Balla dhe Kryetarit të Bashkisë Krujë, Artur Bushi.

Nëntor 2018 – Në fillim të muajit banorët e Unazës së Re nisin protesta të përditshme kundër projektit që parashikon shembjen e shtëpive të tyre. Projekti parashikon shembjen e mbi tre mijë ndërtesave për banim dhe shërbime. Më shumë se gjysma e tyre ishin në proces legalizimi. Emisioni “Të Paekspozuarit” në “News 24” zbuloi një muaj më vonë se kompania DH Albania, fituese e tenderit për një nga tre lotet e projektit, e paraqitur si degë e një shoqërie amerikane, ka falsifikuar të gjithë dokumentet e tenderit. Ky lot u anulua pas publikimit të skandalit.

Në nëntor 2018 Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm, kohë pasi opozita publikoi një video-përgjim, ku dukej se shfaqej vëllai i Xhafajt si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Dhjetor 2018 – Në fillim të muajit studentët braktisën auditoret, duke refuzuar pagimin e tarifave të larta. Në muajin maj qeveria kishte nxjerrë një VKM, që i detyronte studentët të paguanin më tepër për provimet e mbartura. Reagimi i studentëve u shfaq në formën e protestave. Ata hartuan një kërkesë me tetë pika, për të cilat nuk pranojnë dialog me qeverinë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) nuk arriti të formohet, në mënyrë që ushtrojë funksionin e tij. Shorti i hedhur në muajin dhjetor e la KED-in me shtatë anëtarë, nga nëntë gjithsej, pas largimit të Bashkim Dedes dhe mungesës së kandidaturës nga Prokuroria e Përgjithshme. Katër anëtarë të KED-it nuk kanë kaluar akoma procesin e vetingut.

Në dhjetor të këtij viti u konstituua Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ). KLGJ është organi që do të merret me emërimin e gjyqtarëve të rinj dhe me krijimin e Gjykatës së Posaçme. Në krye të KLGJ-së u zgjodh Naureta Llagami.

Në muajin dhjetor u konsituua edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Nga mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve u zgjodhën gjashtë anëtarët e rinj të KLP-së, tre prej të cilëve (Antoneta Sevdari, Gentian Osmani dhe Arben Dollapaj) janë edhe anëtarë të Kolegjit të Posaëëm të Apelimit (KPA). KLP do të emërojë prokurorëve e rinj, Prokurorin e Përgjithshëm dhe ata të Prokurorisë së Posaçme./Exit.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco