‘I lutem zotit që gjithë rinia shqiptare të emigrojë’- Iriqi bisedon me ministren Lindita Nikolla

‘I lutem zotit që gjithë rinia shqiptare të emigrojë’- Iriqi bisedon me ministren Lindita Nikolla

19:12, 06/12/2018

Iriqi:- Shumë masive protesta e studentëve sot.

Lindita:- Bëjmë bisedë tjetër Iriq se po më ngel zemra. Brenda në zyrë më dukej vetja sikur isha në një anije të madhe që e kishte marrë hopa në krahë dallga  e studentëve dhe nuk dihej ku po më hidhnin. Kaq e pata mendova. U ula në gjunjë dhe iu luta zotit.

Iriqi:- Përse iu lute?

Lindita:- Që sa më parë të ikë në emigrim krejt rinia shqiptare. Jo vetëm studentët,por edhe  gjimnazistët se me kaq zemërim që kanë mund të vijnë në protestë edhe fëmijët e çerdheve.

Iriqi:- Po pse të urrejnë kaq shumë?

Lindita:- Qyqja,pse ti pandeh se e kanë me mua? E kanë inatin me Llamin.

Iriqi:- Me Llamin?

Lindita:- Kështu e quajmë Ramën. Kallam,por për respekt i themi Llami. Ai ka vite që bën të fortin me popullin. Se mbrohet nga 400 gardistë andaj. Por sot i mbushi.

Iriqi:-Çfarë të tha?

Lindita:- Më pyeti si është kjo VKM e tarifave. Se  ai nga që nuk vjen në asnjë mbledhje qeverie nuk ia ka haberin vendimeve. Te qeveria jonë edhe një taksë për të vdekurit,po e solli Rama e votojmë ne. I thashë si ishte puna. Ai tha bjeri shkurt se nuk marr vesh nga këto gjëra. Ia shpjegova prapë e prapë s’kuptoi gjë. Ç’duan studentët,më tha. Kanë katër kërkesa,i thashë. Ok, plotësojua të  gjashta,më tha. Do ishte pas vizës së katërt,se nuk mbushte fare.

Iriqi:- Më tej?

Lindita:-Më tej pyes Rucin se si do ia bëjmë. Ai nisi të qeshte. Nuk pushonte. Po mua gjete të më pyesësh,tha. Jam alifmatrak,ku kuptoj unë kredite dhe mastera. Ma mbylli. Mora Tualetin. Ai vetëm qante. Të ka vdekur ndonjë,e pyeta. Jo,jo,më keq. Kanë dalë në protestë ca kushërinj të mi e kam frikë mos e merr vesh Rama. Atëherë po i drejtohem Majkos,thashë. Sa mori vesh Majko se studentët janë ngritur kundër qeverisë,u xhindos. Jam me studentët,se jam dhjetorist, bërtiste. Do jap dorëheqjen,tha dhe ma mbylli cel. O zot na u shtua dhe problemi i Pandit ,po mendoja. Atëherë vendosa të marr në cel gocën që ka studiuar në Francë. Si ndodhte atje kur protestonin studentët,e pyeta. Jepte dorëheqje ministri i arsimit,më tha.

Iriqi:- Do japësh dorëheqje?

Lindita:- Kështu mendova. Por Blendi Fevziu ma prishi mendjen. Kot do dorëhiqesh, më tha. Ja e bënë në Francë e grevat nuk pushojnë. Po ike ti protestat nuk do rreshtin. Po ç’të bëj,i thashë. Hajde në Opinion dhe bëj debat me ca punonjës të Klanit që do i prezantoj unë si studentë. Bini në ujdi te emisioni im.

Iriqi:- Pranoi Rama?

Lindita:- Me Ramën veç në mëngjes mund të flasësh. Tani në mbrëmje ai nuk njeh veten. Njëherë e mora në cel mbasdite dhe sa i thashë jam Lindita ,më tha,o Linda a e piu qumështin Zaho?

Iriqi:- Beson se protesta do vazhdojë?

Lindita:- Po mos e shuajti Fevziu do i kërkoj ndihmë Muçit. Të shohim. Më vjen të qaj.

Iriqi:- Pse?

Lindita:- Se më duket sikur po na vjen fundi. Ishim mirë e bukur. Nuk ngrihej njeri. Ah,sikur të ikin gjithë të rinjtë do jetë qetësi atdheu,si në varreza. Ketë lus e këtë kërkoj. Amen!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

.06/12/2018 21:13

Hahahahaha o linda a e piu qumshtin zaho ... vdiqa

Shto koment

Denonco