Ça muhabeti është ky o Baton?

Ça muhabeti është ky o Baton?

10:28, 27/11/2018
A+ Aa A-

“Mikut i lëshohet kryet e vendit”. Kështu thotë Kanuni, që më poshtë shton menjëherë se “edhe pse i lëshohen kryet e vendit, miku nuk prin, por e prin”. Që do të thotë në shtëpi time kakaris unë, jo miku.

Ky rregull duket se ka vlerë universale sidomos kur në botën që jetojmë ka lloj- lloj sorollopësh që ngatërrojnë veten me gjithçka. Duket se këtij rregulli që është alfa e mirësjelljes, Edi Rama, i ka vënë shqelmin sot në Kosovë kur me më të dashurin parim të jetës së tij: Ku jam unë, lajmi jam unë, ka folur qesim në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së tij dhe asaj të Kosovës.

“Ça karin”, thënë në anglisht “What the Fuck”, kjo ka qenë shprehja e përdorur disa herë të cilën zoti Rama e kishte përgatitur enkas për këtë mbledhje. Më saktë për titujt që do prodhonte ky takim. Dhe në fakt agjencia serbe “Tanjug” e ka sjellë në vëmendje këtë fjalor “profan” të kryeministrit shqiptar që kudo ku shkon, pavarësisht vendimeve që merren sheh një spektakël personal, ku ai është patjetër më i bukuri i krejtve.

Ramushi i shkretë, që pak ditë më parë tha se jepte dorëheqje nëse bashkohej Shqipëria me Kosovën për ta shpallur Edin kryeministër të mbarë shqiptarëve, duket se nuk kullandris dot tavolinën që shtron, përderisa me Kanun e me norma normale, lejon që Miku të shkelë me këpucë mbi tavolinë. Këtu nuk po flasim për krrupën që të sjell një sjellje e tillë e pavend, e cila edhe kur e sheh në televizion të provokon gjithfarë reagimesh. Pasi më së pari vlen norma.

Normalisht nga kjo mbledhje duhet që lajmi të dilte nga qeveria e Kosovës e cila ka një pozicion më delikat dhe është në një situatë që duhet të ekuilibrojë shumëçka. Jo. Lajmi është “Ça karin” e Edi Ramës që vjen vërdallë duke bërë gallatë strategjike, si titan i skenës politike ballkanike.

Njëherë miku Aleksandër, pozimi në Beograd, pastaj mikpritja e mikut në Tiranë, pastaj atletet dhe brekushet, më tej akoma thirrje Europës të mbledhë mendtë e kokës. Pallavra nuk ka fund e bashkë me të edhe apologjia e kësaj anomalie futuriste firmosur si përherë nga Baton Haxhiu. Ah po, shqiptarët që akuzojnë Hashim Thaçin për tradhëtar janë gomerë.

Ça karin është ky muhabet Baton, nuk na e thua? Lëre fare se e dimë ça mendon: Punë Edi Rame mor burrë i dheut, ça e merr seriozisht! Marrë nga Respublica.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco