Lajmi i fundit

LIVE/ Rinis mbledhja e Këshillit Bashkiak në Himarë

Dy fytyrat e Edi Ramës, për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën

Dy fytyrat e Edi Ramës, për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën

12:48, 26/11/2018
A+ Aa A-

Situata e brendshme në Shqipëri, e cila si pasojë e korrupsionit galopant dhe lidhjeve tashmë të dekonspiruara të qeverisë me krimin e organizuar po agravon me shpejtësi, duket se e ka detyruar kryeministrin, Edi Rama, që të hidhet me shpejtësi në prehrin e “nacionalizmit”.

Gjatë këtyre 5 viteve në pushtet, Edi Rama, është shfaqur për këtë çështje me dy fytyra. Herë si një armik i madh i “Shqipërisë së madhe” dhe bashkimit të shqiptarëve që jetojnë në dy shtete të ndryshme, e herë si partizan i njësimit nën një president apo shtet së fundmi.

Këto dy qëndrime krejtësisht të kundërta të Edi Ramës ndaj kësaj çështjeje, gjithmonë kanë qenë në varësi të zhvillimeve të brendshme dhe atyre ndërkombëtare. Sa herë që i është dashur që të fitojë pikë në sallonet e Bashkimit Europian, ai shfaqet si një lider anti-nacionalist dhe bashkëpunues i madh me Beogradin. Por kur kupton, se situata e brendshme po i rrëshqet me shpejtësi si pasojë e skandaleve dhe bëmave të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ai nxiton të gjejë strehë te nacionalizmi, duke provokuar rëndë gjithë politikën rajonale.

Kështu bëri edhe ditën e sotme gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive Kosovë-Shqipëri në qytetin e Pejës, ku Rama i ka surprizuar të gjithë, kur ka folur për një projekt konkret, sipas të cilit deri në vitin 2025 do të kemi një bashkimit të dy shteteve shqiptare.

Madje ai i ka kërkuar live kryeministrit Haradinaj, që të nisë sa më shpejt puna nga dy ministritë e Jashtme, për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.

Ky Ramë që shfaqet sot për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, madje edhe duke përcaktuar projekte dhe afate kohore, vetëm 2 vite më parë mendonte krejtësisht ndryshe. Ishte koha kur i ishte premtuar, se do të kishte hapje të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Kështu më 17 Tetor 2016 Edi Rama në një intervistë për “Al Xhazira” deklaroi, se bashkimi me Kosovën, nuk ka qenë asnjëherë qëllim për Shqipërinë.

Por vetëm 6 muaj më pas në 19 prill të vitit 2017, pikërisht kur opinioni dhe politika ziente nga skandali i kanabisimit të gjithë vendit dhe shfaqjes së Saimir Tahirit si protagonist në organizata kriminale, Edi Rama, do të vraponte drejt shpellës së lavdishme të nacionalizmit për të kërkuar strehë dhe mbrojtje.

“E vetmja mënyrë për të mbajtur Ballkanin në këtë frymë paqësore dhe bashkëpunuese… është të mbahet e hapur rruga e BE-së… Askush nuk do të donte të kthehej nga vetja dhe të kërkonte për bashkime më të vogla, të gjithë do të pëlqenin të bashkoheshin në unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë sigurisht unione të vogla mund të ndodhin” tha Rama duke folur për një bashkim të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë.

Gjithmonë i gjendur nën situatën e agravimeve të skandaleve të shumta brenda vendit, pasi pas Tahirit ju shtua edhe Xhafaj, në muajin Shkurt të vitit 2018, gjatë fjalimit në parlamentin e Kosovës me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, Rama i hodhi përsëri benzinë zjarrit nacionalist në Ballkan.

“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, po pse jo një president simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i qëllueshëm në rrafshin e racionales, por historia na këshillon se çfarë është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”, Deklaroi përpara ligjvënësve kosovar kryeministri i Shqipërisë.

Pas kësaj Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan ashpër duke e quajtur këtë deklaratë, si nxitëse kundër paqes dhe integrimit të vendeve ballkanike në BE.

Kështu i njëjti Edi Ramë pasi tolloviti politikën shqiptare në të dy anët e kufirit duke tentuar të largojë vëmendjen nga megavjedhjet dhe skandalet me krimin e organizuar brenda Shqipërisë, vetëm pas një muaji më 16 Maj të vitit 2018, shfaq një fytyrë tjetër.

Duke folur për Euroneës ai deklaroi; “Unë gjithmonë kam thënë se kam një ëndërr që në të bashkohemi nën një qiell të Bashkimit Evropian dhe kurrë nuk kam ëndërruar për një ‘Shqipëri të Madhe’ sepse kam ëndrra të mëdha, për një ‘Evropë të Madhe’, me të gjithë shqiptarët brenda”, është shprehur kryeministri i Shqipërisë duke shtuar se as që bëhet fjalë për një bashkim të mundshëm mes dy shteteve shqiptare.

Dhe ja ku jemi sot, duke parë një fytyrë tjetër të Edi Ramës në Pejë. Ndërkohë që Tirana po zien nga protesta e banorëve të Astirit, të cilat u zbuluan shqiptarëve se deri ku ka arritur makutëria e vjedhjeve, që bën qeveria e tij nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, ai hedh tezën e një bashkimi të shpejtë Kosovë-Shqipëri. Ose më saktë i hedh benzinë zjarrit nacionalist, duke e ditur mirë se pas kësaj do të kemi reagime të ashpra nga Beogradi, BE e SHBA, por njëkohësisht edhe shumë “pikë” shqiptarizmi!

Një strategji e menduar mirë kjo, për të krijuar një tymnajë të madhe nacionaliste në rajon, me shpresë se ky tym, do ta shpëtojë nga derexheja ku e ka çuar veten dhe qeverinë e tij me shpejtësi.

Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco