Kauza e Astirit dhe armiku i Astirit, mos prisni t’u vijnë edhe ju te dera e shtëpisë!

Kauza e Astirit dhe armiku i Astirit, mos prisni t’u vijnë edhe ju te dera e shtëpisë!

10:46, 25/11/2018
A+ Aa A-

Deputeti demokrat Klevis Balliu ka publikuar një reagim ndaj situatës me të cilën po përballen banorët e unazës së re, të cilët prej 3 javësh janë në protestë duke kërkuar dëshmshpërblimin për pronat e tyre.  

Balliu shkruan se “nëse qytetarët e Tiranës mendojnë se është e padrejtë që dikush të shkatërrojë shtëpitë e qytetarëve për të fituar disa para, atëherë ata duhet të vijnë në mbështetjen e tyre.

Nëse ata mendojnë se kjo është diçka normale atëherë ata le të rrinë në shtëpitë e tyre deri sa korrupsioni i qeverisë ti trokasi në dyert e tyre, praktikisht siç ndodhi me korrupsionin tek Teatri tek Bulevarti i trenit, në Shkozë etj.”.

Ja reagimi i plotë i Klevis Balliut

Për më shumë se 20 ditë disa qytetarë të Tiranës që jetojnë në Unazën e Re prej 25 apo 30 vitesh janë në protestë. Bashkë me to janë edhe fëmijët e tyre në mosha të ndryshme nga 6 deri në 18 vjeç.

Protestojnë, bllokojnë rrugën, përplasen me policinë, me politikanë, me analistë dhe me disa qytetarë. Çohen në mëngjes dhe pyetja e parë e fëmijëve është: A do na nxjerrin sot nga shtëpia? Fëmijët ndërkohë diskutojnë se babai i tyre është në burg, në spital ose në shtëpi i dërrmuar nga përplasjet me policinë. Gjithë ditën diskutojnë se si vllain ja quajnë kriminel apo dhe se si fëmijën ja dhunuan gjatë arrestimit. Dhe pas gjithë këtyre diskutimeve, pyetjeve dhe strapacimi thonë sërish se në çfarë ore do të mblidhemi sot.

Qëndresë e madhe, e fortë dhe guximtare të mendosh që ndodhen aty për të mbrojtur shtëpitë dhe pronat e tyre, pasi një njeri kërkon të mbushi xhepat me një projekt korruptiv dhe kundër ligjit. Vjen ora 5, aty të gjithë bashkë, sytë nga politika nga gazetarët, nga kamerat, me shpresë dhe me trimëri. Diskutimet vazhdojnë por s’mungon zëri i të rinjve të zonës që premtojnë: ‘Shtëpitë tona do ti mbrojmë me gjak’, dhe fill pas tyre bashkohen njëherazi qytetarët dhe ja ku del energjia e tyre. Kauza është e qartë, por kush është armiku i Astirit që po i mban në këtë presion 24 orë në 24. Është korrupsioni. Po po korrupsioni masiv. Është korrupsioni qeveritar që kërkon të shembë shtëpi e biznese të qytetarëve. Kërkon që në këtë hapësirë të ndërtojnë një pjesë të Unazës së Madhe me çmimin më të lartë në botë. Vetë 2 kilometra rrugë do të kushtojnë 40 milion Euro.

Në fakt nuk do të kushtojnë kaq shumë, pasi pjesën më të madhe do ta grabisin këta mamuthë të korrupsionit. Korrupsioni frymëzon shkeljen e ligjit jo vetëm për tu kryer por edhe për mos tu zbuluar. Pasi duhet që pasi të bësh vjedhje, për të qenë i përgatitur për ndonjë denoncim të opozitës, të kapësh prokurorin dhe drejtësinë. Gjithashtu korrupsioni do forcë që mos të ndëshkohesh nga ligji, ndaj mblidhen me mijëra policë përballë disa fëmijëve, zonjave shtatëzanë e qytetarëve.

Por duhen ca arrestime të këtyre burrave të shtëpive që zonjat të mbeten vetëm, sepse janë më të brishta dhe mund ti bëhet presion më lehtë, të paktën këtë kanë menduar. Por nuk funksionon. Zonjat sërish janë në protestë edhe pa burrin, prapë në përplasje me instancat shtetërore. Por korrupsioni, që është problem për ta është edhe për të tjerët sepse ai merr paratë e buxhetit. E pas korrupsionit, ajo që ngelet pas është një buxhet 0, çka do të thotë se qytetarët ngelen pa shërbime sepse politikanët i kanë harxhuar ose i kanë vjedhur me saktë paratë e shqiptarëve. Pyesin disa. Sa do durojnë? Përgjigjja është e qartë.

Deri sa qeveria të thotë që këto shtëpi nuk prishen sepse projekti është abuziv. Atëherë çfarë ngelet nëse kjo bandë në pushtet nuk tërhiqet? Dikush ka thënë: Që të ndërtosh duhet të shkatërrosh. Por ç’të shkatërrosh kur është shkatërruar? Shkatërron shkaktarin. Tani ngrihet edhe pyetja a do ja dalim? Gjithçka në fakt varet nga Tirana dhe qytetarët e saj. Nëse qytetarët e Tiranës mendojnë se është e padrejtë që dikush të shkatërrojë shtëpitë e qytetarëve për të fituar disa para, atëherë ata duhet të vijnë në mbështetjen e tyre.

Nëse ata mendojnë se kjo është diçka normale atëherë ata le të rrinë në shtëpitë e tyre deri sa korrupsioni i qeverisë ti trokasi në dyert e tyre, praktikisht siç ndodhi me korrupsionin tek Teatri tek Bulevarti i trenit, në Shkozë etj. Ai mosreagim tanimë për ta është një pishman i madh. Të shpresojmë që qytetarët e tjerë të Tiranës mos të bëjnë të njëjtin gabim por të ndjekin shembullin e këtyre banorëve tek Astiri, në mënyrë që korrupsioni i banditëve të veshur me pushtet të marrë goditjen finale. Në mënyrë që këta banorë por dhe të tjerë nesër të gëzojnë pronat e tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco