Borchardt ende me shpresa: Reforma zgjedhore nuk ka marrë fund

Borchardt ende me shpresa: Reforma zgjedhore nuk ka marrë fund

15:20, 21/11/2018

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Bernd Borchardt, ka folur sot për reformën zgjedhore, situatën në KQZ dhe paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Rama. Ambasadori ka ngritur shqetësimin se koha po ikën për reformën zgjedhore.

Pyetje: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar punën për përgatitjen e zgjedhjeve të 30 qershorit me kodin ekzistues. Puna në komisionin bipartizan për reformën zgjedhore ka ndaluar. A mendoni se ka kohë ende që të integrohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe zgjedhjet vendore të bëhen me standardet që kërkohen nga OSBE/ODIHR-i?

Ambasadori Borchardt: Fillimi i punës nga KQZ-ja nuk do të thotë se reforma zgjedhore ka marrë fund. Ajo ende mund të miratohet. U gëzova shumë kur dëgjova nga kryetari i Partisë Demokratike që Partia Demokratike do të vazhdojë të marrë pjesë në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore. Megjithatë, koha po ikën.

Disa çështje mund të rregullohen në një fazë disi të vonë, por çështje të tjera si depolitizimi i komisioneve zgjedhore apo çështje që shkojnë përtej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-t, si për shembull votimi elektronik dhe teknologjitë e reja të votimit në përgjithësi, kanë nevojë për kohë në mënyrë që të bëhen përgatitjet, të trajnohen njerëzit dhe të informohen zgjedhësit. Sa u takon këtyre çështjeve, jemi që tani shumë vonë.

Pyetje: Z. Ambasador, kemi një situatë, të themi, jo normale në përbërjen e KQZ-së. Afati për partitë opozitare politike për caktimin e kandidatëve për anëtarëve të tyre në KQZ ka kaluar. Si do ta konsideronit këtë situatë dhe a mundet KQZ-ja në mungesë të anëtarëve të propozuar nga opozita të vijojë punën për përgatitjen e zgjedhjeve? A do të ishin zgjedhjet me standarde?

Ambasadori Borchardt: Keni pasur edhe më herët zgjedhje, ku KQZ-ja ka pasur vetëm katër anëtarë, ndërsa tani ka pesë. Thënë kjo, kjo situatë është sigurisht për të ardhur keq. Kjo do të thotë që nuk përdoren të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore.

Pyetje: A do të ishit dakord për paketën antishpifje të propozuar nga kryeministri Rama?

Ambasadori Borchardt: Sapo e theksova edhe në fjalimin tim se marrja e masave kundër shpifjes nuk është diçka e keqe në vetvete. Nga njëra anë, kemi të drejtën e njeriut, lirinë e shprehjes, nga ana tjetër kemi të drejtën e mbrojtjes së dinjitetit. Ne japim dy rekomandime thelbësore në këtë fushë: njëri është që mbrojtja e dinjitetit kundrejt shpifjes të mos bëhet përmes Kodit Penal; ndërsa rekomandimi i dytë është që kjo vijë e hollë ndarëse midis këtyre dy të drejtash të përcaktohet bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në bazë të praktikave më të mira evropiane.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco