Fatura rritet sërish, 450 mln euro për 20 km rrugë

Fatura rritet sërish, 450 mln euro për 20 km rrugë

16:39, 20/11/2018
A+ Aa A-

Fatura e konçesionit të rrugës Thumanë-Kashar nuk ka të ndalur dhe rritet thuajse çdo ditë. Ministri i Financave Arben Ahmetaj zbuloi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se shifra e negociuar e rrugës mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë koncesionare Gener 2 është 56 miliardë lekë ose plot 450 milionë euro.

"Thumanë Kashar do të ketë një kosto totale 56 miliardë lekë dhe do të shlyhet për 13 vjet," deklaroi Ahmetaj para deputetëve socialistë në Komision.  

Thumanë-Kashar është një aks 20.8 kilometër i gjatë. Kjo do të thotë se 1 kilometër e kësaj rruge do të kushtojë 21.6 milionë euro. Me këtë çmim, Thumanë-Kashar shndërrohet zyrtarisht në rrugën më të shtrenjtë në Europë. Në vend të dytë, renditet autostrada Bar-Moljarë në Mal të Zi, që u ndërtua po me koncesion nga një kompani kineze për një kosto mesatare prej 20 milionë euro për 1 kilometër. 

Rruga Thumanë-Kashar do të ndërtohet me konçesion nga kompania Gener 2. Kjo kompani do ta ndërtojë rrugën me paratë e veta dhe do ta mirëmbajë atë për 13 vjet. Në këmbim qeveria do t'i paguajë Gener 2, plot 450 milionë euro me këste të barabarta për 13 vjet.

Vet Ministria e Infrastrukturës nuk e ka njoftuar ende publikisht përfundimin e negociatave dhe vlerën përfundimtare të saj. Por shifra e bërë publike nga Ahmetaj në komisionin e ekonomisë është gati zyrtare.

Në 13 vitet e ardhshme, nga hyrja në fuqi e kontratës, qytetarët shqiptarë do të paguajnë deri në 40 milionë euro në vit për ndërtimin e rrugës, fatura e së cilës rritet gati nga dita në ditë.

Rritja e madhe e kostove për këtë rrugë, por edhe disa akse të tjera që do të ndërtohen me koncesion është pranuar edhe nga vetë deputetët e maxhorancës "Në relacionin e buxhetit të shtetit për vitin 2018 na është dhënë si kosto për Thumanë-Kashar vlera 33.5 miliardë lekë, ndërkohë që në buxhetin e vitit të ardhshëm na është dhënë nje vlerë tjetër me diferencë të ndjeshme," deklaroi Erjon Brace duke pyetur Ahmetajn për arsyet. Ky i fundit është përgjigjur se vlera fillestare prej 33 miliardë lekësh ishte parashikim ndërsa ajo prej 56 miliardë lekësh është fatura reale e bazuar në projektin konkret.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco