Detaje të reja zbulojnë prapaskenën e ‘ekzekutimit’ të Xhafajt nga Rama

Detaje të reja zbulojnë prapaskenën e ‘ekzekutimit’ të Xhafajt nga Rama

11:17, 02/11/2018
A+ Aa A-

Baton Haxhiu edhe pse me ‘letra’ nuk është i deklaruar, asnjëherë nuk e ka mohuar se është një nga këshilltarët më të ngushtë të Edi Ramës. Këtë fakt ai e shfaq hapur nëpër studio televizive, ku herë pas here flet me ‘ne’, kur bëhet fjalë për Rilindjen dhe vetë kryeministrin.

Një nga detyrat që ai ka marrë përsipër dhe Rama e ka ‘fiksim’ është ajo kalkulimit të sondazheve të shpeshta, për popullaritetin e qeverisë dhe të kryeministrit.

Natën e mbrëmshme në emisionin ‘Open’ të Eni Vasilit, gazetari Baton Haxhiu në debat e sipër lëshoi si ‘pa dashje’ një deklaratë e cila e nxjerr zbuluar dhe blof Edi Ramën, në lidhje më largimin e papritur nga qeveria të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Kryeministri vazhdon ti qëndrojë versionit ‘zyrtar’, se ish-ministri i Brendshëm është larguar vetë. Madje në mediat pranë tij u përhap edhe një ‘legjendë urbane’, sipas së cilës ai personalisht dhe Gramoz Ruçi kanë bërë ‘luftë të madhe’, që Xhafaj të ndryshonte mendjen dhe të mos largohej.

 Duke diskutuar këtë temë në emisionin e mbrëmshëm Haxhiu tha se, ‘sipas  sondazheve që kemi kryer ne, rezultonte se 76% e opinionit ishte për largimin e ministrit të Brendshëm, pasi ai pësoi goditje në imazh pas çështjes së të vëllait’.

Pas zbulimit të këtij fakti ai foli edhe më hapur për arsyen e largimit të Xhafajt; ‘Edi Rama e bëri këtë për PS-në, për zgjedhjet, për një mandat të tretë’.

Pra këshilltari i ngushtë i Ramës ndryshe nga ajo që i është servirur publikut deri tani, por që e thotë edhe vetë Xhafaj me gjysmë zëri, na thotë se kemi të bëjmë me një shkarkim të ministrit të Brendshëm dhe jo me një dorëheqje dhe lagim me dëshirë.

Gazetari Baton Haxhiu duket se ka zbuluar kështu një të vërtetë (shkarkimin) por ka thënë vetëm gjysmën e saj, për motivet e këtij largimi.

Sondazhet që përmend ai mund të kenë pasur peshën e vetë në vendimin e papritur të Ramës, por po aq e vërtetë është edhe arsyeja që ministri i Financave Arben Ahmetaj dha pak ditë më parë, në emisionin ‘5 pyetje nga Babaramo’.

‘Autoriteti i kryeministrit është i padiskutueshëm. Zoti Xhafaj e di shumë mirë çfarë do të thotë autoriteti. Policia duhet trajtuar me më shumë dashuri dhe ministri i Brendshëm ka një pozicion shumë të vështirë’, ishte deklarata surprizë e ministrit Ahmetaj, për çështjen Xhafaj.

Kështu nëpërmjet beniaminit të tij financave mësojmë se Xhafaj nuk ka ikur me dëshirë, as thjesht për sondazhet që tregojnë se qenka ‘delja e zezë’ e Rilindjes, por sepse ka sfiduar autoritetin e padiskutueshëm të Edi Ramës. Të dyja këto variante, si ai i këshilltarit Haxhiu edhe ai i Ahmetajt konvegojnë në faktin, se Xhafaj është shkarkuar dhe jo dorëhequr.

Që mes Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt ka një luftë të ftohtë tani për tani, kjo nuk diskutohet. I pari që nga Lushnja në të njëjtën ditë që njoftoi ‘dorëheqjen’ pa arsye të ministrit të tij, foli për ‘gurë që i hidhen çatisë së shtëpisë së përbashkët, se brenda partisë nuk mund të jesh i lirë etj, etj’, kurse Xhafaj në krah të Erion Veliajt shigjetoi duke thënë; ‘Ka njerëz që ulen në një karrige dhe janë të kënaqur, se kanë kapur një karrige; ka njerëz që marrin pushtet dhe janë të lumtur që janë të pushtetshëm’.

Nuk mund të thuash e besosh, që si Haxhiu ashtu edhe Ahmetaj kanë guxuar që të flasin në kokë të vetë. Duket se Rama formalisht kërkon që të ruajë variantin e ‘vetë-largimit’ të Xhafajt, kurse nga ana tjetër dërgon sinjale të qarta, se si ai do të përfundojë kushdo që i sfidon autoritetin.

Në kuadër të këtyre mesazheve ishte edhe heqja e fotografisë së Fatmir Xhafajt nga faqja e Këshillit të Ministrave pa mbushur 24 orë nga dorëheqja e tij dhe pa u votuar në parlament, ministri i ri, duke shkelur çdo rregullore dhe protokoll.

Kështu mund të themi, se ditë pas dite po kthjellohet e vërteta e çështjes Xhafaj e cila më shumë se sondazhet e Baton Haxhiut ka në thelb të vetë, zhvillimet ndaj kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako e për të tjerë eksponentë të lartë të Rilindjes. Por mbi të gjitha; marrjen nën kontroll total të ministrisë së Brendshme, nga vetë Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco