Spiun me dëshirë/ Më caktoni një detyrë shoku zv/ministër!

Spiun me dëshirë/ Më caktoni një detyrë shoku zv/ministër!

21:34, 18/07/2018
A+ Aa A-

Nga Kastriot Dervishi

Bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit për mënyrën e rekrutimit të tyre ndaheshin në dy grupe: vullnetarë me material shtrëngues dhe patriotikë me dëshirë.

Në grupin e parë, pra të rekrutuar me material shtrëngues (kërcënime për burgosje, marrje peng të familjarëve, etj) hynin kryesisht të deklasuarit.

Në grupin e dytë hynin kryesisht komunistët dhe elementi antiparti të cilët rekrutoheshin me dëshirë dhe që përfaqësonin mjaft mirë karakteristikat e “njeriut të ri” të socializmit.

Vërehen mjaft rast kur elementi antiparti, i përjashtuar nga partia jo për arsye të qëndrueshme, duke dashur të gjente “shlyerjen e gabimeve” ishte i gatshëm të binte në pozitat e rekrutimit. Më poshtë rasti i një elementi antiparti, i cili kishte pasur funksione të larta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe si ambasador. I gjendur në një pozitë ku nuk donte të ishte, ai u rekrutua me dëshirë.

Atje ku ishte si gjysmë i internuar (Cërrik), letërshkruesi kërkonte t’i caktohej detyrë, ose ndryshe të transferohej e të spiunonte diku tjetër. Letrën e ka shkruar nga Tirana. Udhëheqja e ministrisë e shqyrtoi letrën. Letërmarrësi shkruan: “T’i jepet përgjigje se ai, front ka atje ku është. Nuk do të lëvizë”.

Letra:

“Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, shokut Rexhep Kolli, Tiranë. Në radhë të parë më lejoni t’ju uroj shëndet të mirë e plot suksese në detyrën e lartë fisnike që ju ka besuar Partia dhe shoku Enver. Pastaj më lejoni gjithashtu t’ju parashtroj sa vijon: Ka vite që i prirë nga ndjenja e detyrës ndaj Partisë dhe udhëheqjes së Ministrisë, të më bëhet i mundur aktivizimi në çdo detyrë sipas nevojave të organeve tona dhe nën drejtimin e tyre. Megjithëse kjo lutja time u miratua, akoma deri tani aktivizimi nuk është bërë realitet për mungesë kushtesh objektive. Sikurse dihet mirë nga shokët e të tjerët, në kushtet që jam dhe në vendin ku banoj e punoj sot, nuk ekzistojnë kushtet e duhura që të afrohem ose të më afrohet ndonjë objekt me interes për organet tona që ta përpunoj e zbuloj si duhet. Prandaj prej kohësh më është thënë se do të më lëvizni për dikur gjetkë në Tiranë ose edhe në Durrës (ku kam dhe bijën time), por deri më sot, ky problem nuk është zgjidhur. Prandaj ju lutem shoku zëvendësministër, kushtojini pak kohë çështjes time dhe dispononi si të jetë më mirë që të mund të jap edhe unë kontributin tim modest në shërbim të Partisë time të dashur mbi çdo gjë në botë, siç ka qenë është e do të jetë deri në fund të jetës sime, aspirata dhe qëllimi themelor në punë e në jetë. Me respekt e dashuri të thellë, mbetem ushtari më i devotshëm i Partisë dhe i themelonjësit të dashur të Partisë e popullit e popullit tonë, shokut Enver Hoxha që të na rrojë sa malet tona dhe militanti më besnik e i bindur i organeve tona.

Tiranë 6 shkurt 1982”

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

FR19/07/2018 10:16

Emrin, emrin! Duam te shohim se c'pozite mban sot ai (ose ajo bija e tij e dashur) ne radhet e Partise se lavdishme Socialiste, "partise se tij te dashur", sic shkruan ai! Emrin, ju lutem! Mos i kurseni keta!

Bubrreci18/07/2018 22:09

Bolli fshehet gjerat. Thuajini hapur te gjitha . Kush eshte ky spiun kaq i devotshem? Mund ta njohin vetem ata qe kane jetuar me te ne Cerrik , por keto monstra ku edhe sot kane privilegjet si ne kohe te "xhaxhit" duhet te demaskohen dhe te publikohen dosjet online. Gjithkush te kete akses ne dosjet e sigurimit. Vetem keshtu kjo rinia e sotme qe eshte e tredhur nga trute, dhe qe e ka mendjen vetem per lokale, makina , para te fituara lehte e pa pune, per droge e hashash si dhe shkuma parti do te kete mundesi te njohe te kaluaren dhe vuajtje e ketij populli fatkeq.Duke njohur historine do te mund te ndergjegjesohen dhe te luftojne qe te mos kthehemi ne diktature sepse sinjalet jane shume premtuese. Lexuesve te ketyre rreshtave u keshilloj te shohin filmin gjerman "Vala" ku nje mesues filozofie kreu nje eksperiment me nxenesit e nje klase dhe per disa muaj arriti te instalonte ne klase frymen e njeshit duke eleminuar cdo mendim ndryshe. Ai me kete tregoi qe eshte fare e lehte qe diktaturat te vendosen serisht duke iu referuar rregjimit nazist ne Gjermani. Prandaj ne respekt te te gjithe te persekutuarve qe u moren rinine, lirine prinderit dhe shume here dhe jeten tregohuni nje here te pergjegjshem dhe demaskojini me emra tere bashkepunetoret e sigurimit te shtetit. Dhe te largohen perfundimisht nga drejtimi dhe nga administrata publike e sila eshte plot me SPIUNE.

Shto koment

Denonco