Lajmi i fundit

LIVE/ Adi Krasta në 'A Show'

Bejtja për sirianët: Si për armët kimike, Rama ka ngritur dorën vetë për të marrë refugjatët

Bejtja për sirianët: Si për armët kimike, Rama ka ngritur dorën vetë për të marrë refugjatët

14:50, 23/06/2018
A+ Aa A-

 

 

Analisti Andi Bejtja thotë se qeveria shqiptare nuk po tregohet transparente në lidhje me çështjen e refugjatëve dhe, nëse merr vendime individuale, do të shkaktojë revolucion në Shqipëri, ndërsa kontradiktat brenda maxhorancës të krijojnë dyshime për veprime të fshehta

Bejtja, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, tha se ka një plan austriak për të strehuar refugjatët në Shqipëri, por shqetësimi që ka për këtë çështje lidhet me një kontradiktat e krijuara nga qeveria shqiptare, pasi Ministri i Brendshëm shprehet për mundësi pranimi, ndërsa kryeministri refuzon plane të tilla.

Kjo situatë për analistin Bejtja i jep të drejtë çdo shqiptari që të mendojë për mundësinë e ardhjes së tyre në vendin tonë, edhe pse mundësitë e pranimit janë jashtë kapaciteteve. Ndërsa e quan absurde krahasimin që bëhet refugjateve siriane me ato të Kosovës në vitit 1999, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre, në ndryshim me sirianët që nuk kanë shpresa rikthimi, shprehu ai.

Z.Bejtja, si e gjykoni debatin për mundësinë e ardhjes së 600 mijë refugjatëve në Shqipëri?

Në një vend normal, duhet të besonim qeverinë e cila thotë, se “nuk kemi negociata të tilla për këtë çështje, por duke qenë se në Shqipëri kemi akoma disa precedentë, ku ka pasur ngjarje të mëdha të cilat janë tentuar që të kalohen në heshtje dhe më pas kanë plasur. Këtu kujtojmë armët kimike, një lajm që erdhi nga mediat ndërkombëtare dhe kjo çështje u bë epidemi në popull. Shqipëria nuk ka transparencë lidhur me këtë çështje.

Ka pasur qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje, kjo vjen edhe nga mënyra sesi disa deputet të PS-së janë shprehur, duke gjykuar këtë situatë në aspektin e mikpritjes Shqiptare. Si i argumentoni këto qëndrime?

Unë mendoj, se kjo çështje është shumë delikate që mund t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë për t’i mirëpritur këto refugjatë. Jemi një vend që kemi më shumë refugjatë se Siria, të cilët shkojnë në Europë. Kjo histori nuk ka lidhje me mikpritjen apo zemrën e shqiptareve. Edhe krahasimi që bëhet nga disa eksponent me mikpritjen e kosovarëve në vitin 1999, nuk është i ngjashëm sepse edhe atëherë e pamë, që ato mijëra kosovarë e gjetën zgjidhjen tek mirëpritja e shqiptarëve, jo te fuqia dhe kapaciteti i qeverisë për t’i mirëpritur. Prandaj, ky paralelizëm që po bëhet nuk është i drejtë, sepse të ashtuquajturit refugjatë kosovar, pas mbarimit të krizës do ktheheshin në shtëpitë e tyre, gjë e cila ndodhi. Ndërsa në rastin e të ashtuquajturës krizë siriane asnjëri nuk e ka garancinë e kthimit në shtëpitë e tyre. Me konfliktin që po ndodh në Siri, kjo gjë është e pamundur. Krahasimi me krizën kosovare është i pavend, ndërsa ne gjejmë më shumë pika krahasimi te zemra, sesa te logjika.

Sipas jush, nga ka ardhur propozimi i pritjes së një shifre prej 600 mijë refugjatësh në Shqipëri?

Kemi dëgjuar nga mediat ndërkombëtare për një projekt austriak në lidhje me këtë çështje. Flitet se mund të ndërtohen qendra të tilla në Shqipëri ose në Libi. Megjithatë asgjë nuk është konfirmuar, por po të ndodhte befasisht do të ishte një skandal i vërtetë. Nga ana tjetër mendoj, se Shqipëria duhet t’i bëjë pyetjen vetës; pse vendet e tjera nuk i pranojnë, ndërsa ne që nuk kemi kapacitetin e duhur për të pritur një numër kaq të madh refugjatësh i pranojmë. Nuk ka kapacitete, coftë të sigurisë dhe të shumë aspekteve të tjera, duke cenuar sigurinë kombëtare dhe jetën e përditshme shqiptare.

Mendoni se pranimi i refugjateve është një kusht nga Evropa për çeljen e negociatave apo interesa të fshehta të qeverisë shqiptare?

Mendoj, se Europa nuk ka pse të vendosë kushte të tilla, në lidhje me hapjen e negociatave, kjo është e pandershme. Nuk mendoj se do vendoseshin kushte të tilla për negociatat, të padëgjuara më parë. Ajo që dyshoj unë është se ashtu, si në rastin e armëve kimike vetë i pari i qeverisë së shqiptareve është bërë vullnetar në këtë çështje, duke menduar, se mund të ketë përfitime politike nga Europa. E ritheksoj, se Evropa nuk besoj të ketë luajtur mëndësh dhe t’i vendose kushte të tilla Shqipërisë për integrimin.

A mendoni, se ka veprime të fshehta nga pala e qeverise shqiptare për këtë çështje dhe sa i besueshëm është qëndrimi i kryeministrit?

Unë mendoj, se kryeministri nuk mund ta marrë personalisht një vendim të tillë, por duhet të konsultohet dhe të testohet nga opinioni publik, duhen pyetur të gjitha forcat politike dhe pa dyshim nuk mund të kalojë jashtë parlamentit, sepse Shqipëria është një republikë parlamentare. Prandaj një insiative individuale në lidhje me këtë çështje, do të ishte një gabim shumë i madh. Mendoj se ka një plan austriak për të stabilizuar këta emigrantë, por ajo që më shqetëson është një kakofoni brenda qeverisë Shqiptare në lidhje me këtë temë. Kemi një zëvendës ministër të vendit, i cili doli pak ditë më parë dhe tha, se “mund t’i pranojmë këta refugjatë”, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS-së thotë të kundërtën. Pra, këto dy qëndrime të ndryshme nuk janë të mira për opinionin publik dhe me të drejtë i krijojnë përshtypjen njerëzve se këtu po luhet diçka e fshehtë. Unë insistoj, Shqipëria nuk mund t’i pranojë 600 mijë emigrantë në një vend me 3 milionë banorë, pavarësisht dëshirave të ndryshme të njerëzve, ndërsa një vendim individual i kryeministrit do të sillte një revolucion të vërtetë në Shqipëri.

A është koha të krijohet panik te Shqiptarët për këtë situatë?

Kriza e refugjatëve është një krizë, e cila në Gjermani po i lëkund pushtetin Merkelit dhe po sjell lëkundje të mëdha edhe në vende të tjera. Normalisht që një krizë kaq e madhe Europiane dhe botërore, mund ta prekë edhe vendin tonë. Shqipëria duhet të tregohet e “zgjuar”, duke parë kapacitetin e saj dhe jo thjesht zemrën apo dëshirat individuale.

Marrë nga Gazeta Shekulli

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco