‘Dua të luaj në ‘Romeo dhe Bexhetja’-Iriqi bisedon me Luftar Pajën

‘Dua të luaj në ‘Romeo dhe Bexhetja’-Iriqi bisedon me Luftar Pajën

20:35, 22/06/2018
A+ Aa A-

Iriqi:- Si je?

Paja:- Tani mirë, por para ca muajsh thashë se u dhjeva.

Iriqi:- Pse?

Paja:- Se qeveria na e preu ilaçin e gjakut. Pra do na linte të n’trashej dhe do na binte damllaja.

Iriqi:- Ç’është damllaja?

Paja:- Damllaja është si qeveria. Goditje në tru. Të merr gojën,këmbën dhe duart. Ja,si sot që shumë shqiptarë varin veten e vrasin veten,se u ka rënë damlla Rama.

Iriqi:- Më duket çudi që ti lavdëron qeverinë e tani e shan.

Paja:- E shaj sa herë dua diçka. Dola në tv për ilaçet dhe fap më mori në cel ministrja e Shëndetësisë. Më dha ilaçet pa lekë për një vit. Sa herë të lavdërosh qeverinë do marrësh prapë ilaçet, më tha. Në kohë të Enverit punonin heronjtë për 20 vite para, sot unë dërdëllis për 20 vite ilaçe falas. Ja, me Teatrin mora ilaçet për vitet 2030. Edhe po mos jetoj ia kam lënë një shoku t’i shesë. Se ato kushtojnë shumë.

Iriqi:- Kush të thirri për dëgjesën e Teatrit Kombëtar?

Paja:- Vetë Erioni. Më solli makinë në Orikum.

Iriqi:- Në Orikum.

Paja:- Po, se verës atje rri, kam shtëpi buzë detit.

Iriqi:- Ke shtëpi tjetër e merr ilaçe falas?

Paja:- Pse Fino nuk ka para? Por ja që sa herë shkon në spitale në Itali populli ia paguan. E kështu erdha në Tiranë e nuk më ndahej çuni, ai i Portokallisë.

Iriqi:- Presor Gazi?

Paja:- Presor Leshi. Më thoshte thuaj të shembet teatri, të shembet teatri..

Iriqi:- Pse e përsëriste?

Paja:- Se harroj unë, andaj. Kishte frikë mos thoja që mos prishet. U ngatërruam në mbledhje. Pyeta Bert Ndrenikën, ti do që të prishet apo jo? Ai ma hodhi, të prishet, o, të mos kem njeri, më tha. Atëherë unë duhet të thoja mos prishet, por sa nisa kështu më pickoi Laert Vasili. Djalë flori, aktor nuk bën, por për dëgjesa është i duruar. Dhe sa nisa nuk pushoja. Pastaj thashë rroftë Portokallia, lart Portokallia, bota u bëftë Portokalli.

Iriqi:- Dhe?

Paja:- Dhe më nxorën jashtë. Mbarove punë, ik në Orikum, më thanë.

Iriqi:- Si të pritën atje?

Paja:- Ftohtë, shumë ftohtë. Orikumin e lenë dhe 10 orë pa drita. Më thanë banorët të kritikoj OSHEEN-ë në tv. Dakord, u thashë, por më paguani ilaçet e vitit 2032. Ata qeshën dhe thanë, ik, ore pirdhu! Për të keqen e tyre se sa harxhojnë para për gjenerator më blinin mua ilaçet për katër vite.

Iriqi:- Shpreson të të thërresin në dëgjesa të tjera?

Paja:- Mendoj të flas për prishjen e presidencës. Me aq kompetenca sa ka Meta, i mjafton një garsonierë andej nga Varri i Bomit. Eh, ç’vend për të ngritur tre kulla atje.

Iriqi:- Dhe me sa ilaçe do shpërblesh?

Paja:- Këtë herë do kërkoj që presor Gazin të ma bëjnë rektor te Akademia e Arteve dhe mua të më blenë një Ferrari. I moshuar, i moshuar, por këto vajzat e reja tek makina i kanë sytë, nuk pyesin kush e nget.

Iriqi:- Shaka?

Paja:- E po të rrjedhur quhemi ne tani, na falen shakatë e thëna me dëshirë.

Iriqi:- Ke ëndërr për ndonjë rol?

Paja:- Të jem Romeo, por s’gjendet Zhulietë për mua. Gjendet veç ndonjë Xhevrije, Behxhete ose Mysebete.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco