Gazetarët e kronikës i sulen vettingut: Prokurori Gentian Trenova u shkarkua për arsye politike

Gazetarët e kronikës i sulen vettingut: Prokurori Gentian Trenova u shkarkua për arsye politike

11:45, 22/06/2018
A+ Aa A-

Disa nga gazetarët më të njohur të kronikës i jane sulur gjatë këtyre dy ditëve KPK që shkarkoi paraditen e së mërkurës  prokurorin Gentian Trenova. Më poshtë është shënimi që është berë nga reporteri i kronikës Trazhgim Sokolaj.

Ndërkaq reporterë të tjerë kanë shprehur solidaritet me prokurorin si ai i shqiptarja.cm, Elton Qyno, top channel Eni Ferhati, neës24 Klodiana Lala.

Postimi i Trazhgim Sokolit:

Dy fjalë për Gentian Trenovën dhe “Jakat e Bardha” që bëjnë maliqin

Nëntor 2013. Mësoj rastësisht se një ngjarje (fillimisht edhe për mua e pabesueshme) kishte ndodhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Gjatë një “auditi” të Ministrisë së Financave ishin vjedhur më shumë se 1 milionë informacione apo deklarata tatimore dhe të paktën për dy javë, krejt sistemi i tatimeve kishte dalë jashtë funksionit si pasojë e ndërhyrjeve në server.

Interesohem për personat që po kryenin hetimin dhe u përpoqa gjithë ditën të kontaktoj me ta. Rreth mesditës arrita një takim me prokurorin Gentian Trenova i cili as më konfirmoi ngjarjen as e mohoi atë. Madje pashë se nuk i erdhi mirë që e kisha marrë vesh e që po përgatitesha ta bëja publike.

Megjithatë duke e njohur mirë, kuptova se edhe ky ishte një nga ato raste “kur ai kishte lajm nëpër duar por nuk donte të jepte lajm”.

Mora kontakt me persona të tjerë në polici dhe prokurori dhe arrita të konfirmoj informacionet dhe të publikoj ngjarjen në fjalë.

Më kujtohet mosbesimi që pata personalisht në fillim për atë që kish ndodhur në momentin e parë që e mora vesh. Ai mosbesim me kalimin e orëve u kthye për mua në vetëdijen e përmasave të skandalit….

Me të njëjtin mosbesim u përballa kur ia raportova lajmin drejtorit të gazetës “Panorama” Andi Tela dhe Kryeredaktorit Robert Rakipllari, të dilët pasi u siguruan për vërtetësinë e informacioneve më dhanë hapësirën për ta publikuar.

Më kujtohet mosbesimi me të cilin lajmi u përcoll të nesërmen dhe disa ditë me radhë, pasi ngjarja nuk kishte precedent, nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe shumëkush e mendoi si një lajthitje informative.

Mbaj mend edhe furtunën që shkaktoi lajmin më pas për muaj me radhë. Kujtoj edhe përdorimin e ngjarjes nga opozita dhe fshehjen e saj nga qeveria. Të gjithë jemi dëshmitarë të këtyre që po them….

Kujtoj gjithashtu se kur edhe mediat tjera filluan të merren me ngjarjen dhe ajo mori përmasat e skandalit, Gentian Trenova, i shkarkuar sot nga KPK me vendim jo të formës së prerë, sulmohej pa etikë në studio televizive ku kish zgjedhur të mos ishte i pranishëm për shkak të kufizimeve të profesionit si prokuror edhe pse ishte kthyer në tabelë qitje.

Ndërsa e akuzonin se po përdorej politikisht nëpër studio më vinte ndërmend “heshtja” me të cilën prokurori Trenova më përcolli ditën e parë kur e pyeta për ngjarjen dhe kjo më habiste pasi nëse do të kishte interes për përdorimin e ngjarjes, mund ti servirte medias informacione por nuk e bëri këtë në asnjë rast.

Pak muaj pas këtij skandali të madh të mbyllur pa fajtorë, Trenovën e hoqën nga drejtimi i njësisë Task Force. Kam arësye të besoj se me këmbënguljen për hetimin  e zbardhjen e skandalit u hartua edhe plani politik për largimin e tij nga detyra që mbante në prokurorinë e Tiranës.

Sot më 20 qershor 2018 ndërsa po shikoja vendimin e KPK, pashë tre njerëz që ishin të shtrënguar të lexonin gjithë siklet vendimin që dikush u kishte dhënë për ta kumtuar në publik.

Ata sot nuk dëmtuan vetëm Gentian Trenovën, një prokuror të ri, një magjistrat të aftë e të përkushtuar, një njeri që është përballur me politikanët-kriminelë por edhe me bandat, madje edhe me vëllezërit trafikantë të manjatëve më të mëdhenj të naftës në këtë vend.

Trupa që lexoi vendimin e shkarkimit të Gentian Trenovës, dukshëm nuk e dinte se në sytë e shumëkujt që ka informacion për drejtësinë në Shqipëri, me këtë vendim do të vendoste besueshmërinë e procesit të vettingut tek i cili edhe unë pata besim kur atë e kaloi Fatjona Memcaj.

Por pas vendimit që u dha për Gentian Trenovën, duket se për këdo që ka informacionin minimal konfirmohet e bëhet e qartë se besueshmëria e serioziteti i procesit është në një pikëpyetje të madhe. Sa për cështjen e pasurisë dhe të dy dosjeve që paska pushuar Trenova, së pari nuk ka prokuror në Shqipëri që të mos ketë pushuar dosje.

Dhe është për tu habitur komenti i vëzhguesit ndërkombëtar se vendimarrja e prokurorit nuk varet nga policia, pasi dihet se prokurori i drejton hetimet, nuk del në terren të gjejë provat. Ai mund ti kërkojë provat por kur hetuesit nuk i përgjigjen nuk ka cfarë të bëjë. Dhe cdo profesionist e di se korrupsioni zbulohet me prova ndersa është duke ndodhur jo nje vit pas aktit korruptiv. Aq më tepër që cdo ditë në prokurori bëhen referime të pasakta nga policia të cilat prokurorët bëjnë mirë që i mbyllin pasi janë të pabazuara.
Jam besimplotë në këtë që them teksa rendit në mendje dosjet e hetuara nga Gentian Trenova ndër vite teksa “jakat e bardha” betoheshin fillimisht për ti futur shkopinjt nën rrota, për ta sulmuar e shkarkuar.

Fakti se nuk ia kishin arritur kësaj, më bënte të besoja se sistemi i drejtësisë kishte njëfarë imuniteti e kjo më bënte optimist, më bënte të besoja se ky vend mund të bëhet por ky besim mu fashit ditën e sotme plotësisht.

Ky vend ka shumë ligje, ka bërë edhe shumë reforma e po bën vetting, por ka edhe maliqë, që janë mbi cdo ligj e cdo vetting.
Sa më lart nuk ishte një detyrim për Gentian Trenovën por për shumë djem e vajza, burra e gra të mrekullueshëm që kam njohur gjithë këto vite në sistemin e drejtësisë i cili nuk është aq i zi sa e kanë bërë “jakat e bardha” për ti siguruar vetes alibinë e spastrimeve që po ndodhin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

popull22/06/2018 13:42

Po ku eshte pjeshka e tatimeve sot? Apo eshte duke sakrifikuar rrogen e arketares se bankes ne ndonje institucion tjeter. Patjeter ajo hiqte e vinte njerez te partise ne pune, se per punen nuk i interesonte fare. Por e njejta situate eshte edhe sot. Sa keq qe jetojme ne Shqiperi. Mos guxo te vesh drejtesi nese drejtuesve te tu nuk ju pelqen. Ka vetem drejtues qe duan te zhvasin kete vend

Shto koment

Denonco