Vetingu, nis seanca për gjyqtaren Brikena Ukperaj Lubonja, ja pasuria e deklaruar

Vetingu, nis seanca për gjyqtaren Brikena Ukperaj Lubonja, ja pasuria e deklaruar

11:02, 22/06/2018
A+ Aa A-

Ka dalë sot para komisionit të Vetingut, gjyqtarja e Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj (Lubonja), anëtare për KED-s. 

Brikena Ukperaj (Lubonja) është subjekti i 16 që përballet me procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përfaqësuar nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja ka planifikuar seancën dëgjimore me të ditën e premte.

Ukperaj e ka filluar karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2006 me mbarimin e Shkollës së Magjistraturës. Ajo ka ushtruar funksionin e gjyqtares në Gjykatën e Tiranës, në atë të Lushnjes dhe prej nëntorit 2016 është anëtare e Gjykatës së Apelit në Vlorë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) nga viti 2006 deri në fund të vitit 2016.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Ukperaj zotëronte rreth 247 mijë lekë pasuri përpara fillimit të detyrës në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e saj kap vlerën e 7.7 milionë lekëve ku pjesën kryesore të rritjes e përbën blerja e një apartamenti.

Në vitin 2012, gjyqtarja ka blerë një apartament në Selitë të Tiranës me vlerë 44 877 euro. Burimi i kësaj pasurie është një kredi bankare prej 5 milionë lekësh si dhe 9 mijë euro hua të marrë nga prindërit, shumë e cila rezulton e pashlyer deri në fund të vitit 2016.

Paralelisht me apartamentin, gjyqtarja e Apelit zotëron likujditete në bankë në vlerën e rreth 400 mijë lekëve si dhe pasuri të luajtshme në rreth 1 milion lekë.

Të ardhurat familjare të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja) për periudhën deklaruese kapin vlerën e 13.7 milionë lekëve, ku pjesa dërrmuese përbëhet nga paga e saj dhe e bashkëshortit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 11 deklarata pasurie, të cilat rezultuan të gjitha pa probleme.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco