VIDEO-FOTO/ Presidenti Meta në Hungari, takim me kryeministrin Viktor Orban

VIDEO-FOTO/ Presidenti Meta në Hungari, takim me kryeministrin Viktor Orban

09:07, 21/06/2018
A+ Aa A-

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ndodhet në Hungari në një vizitë zyrtare.

Gjatë ditës së sotme Meta ka zhvilluar një takim me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

‘I nderuar të takoja dhe të diskutoja me kryeministrin hungarez, mikun tim dhe të shqiptarëve, Viktor Orban. I impresionuar nga mbështetja e tij e fortë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë.

Partnerë në NATO dhe partnerë të ardhshëm në BE.

Të dëshiruar ta shohim në Tiranë gjatë Vitit të Skënderbeut’, shkruan Presidenti Ilir Meta në Facebook.

Njoftimi i Presidences per takimin ne Budapest:

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë e shumë miqësore.

 Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Orban për mbështetjen domethënëse e pa rezerva që ai i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë së zotit Orban për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Presidenti Meta, nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Edhe në takimin me Kryeministrin Orban, Presidenti Meta, shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Ndërsa, duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet. Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orban.

Kryeministri Orban e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy popujve.

Kryeministri Orban shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet hungareze në të gjitha drejtimet ku Shqipëria shpreh interes.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco