Fqinjësia, Meta: Të lutemi për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd, zgjidhjen e emrit të Maqedonisë...

Fqinjësia, Meta: Të lutemi për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd, zgjidhjen e emrit të Maqedonisë...

09:45, 26/05/2018
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në Mëngjesin i Lutjeve, një aktivitet në Tiranë me temë “Duaje fqinjin tënd” ku merrnin pjesë zyrtarë të lartë të Evropës Juglindore dhe përcolli një mesazh për promovimin e paqes dhe mirëkuptimit në rajonin tonë.

Në fjalën e tij, Meta tha: "Falënderoj të gjithë ata që mundësuan organizimin e këtij mëngjesi lutjesh. jo është nga ato ngjarje të pakta por tepër të dobishme të bashkëpunimit bipartizan në Shqipëri.

Vlerësoj udhëheqjen e kësaj lutjeje të përbashkët përmes shembullit më të mirë dhe të sinqertë të komunikimit dhe bashkëpunimit. “Duaje fqinjin tënd”, parim njerëzor që vjen nga librat e shenjtë, e gjendur dhe shprehur në mënyra të ndryshme në secilin besim fetar. 

Historia e Shqipërisë e dëshmon këtë vlerë, të mbartur e të trashëguar nga e kaluara e popullit tonë. Në kohët e rënda të Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e holokaustit, Shqipëria u bë streha mbrojtëse e hebrenjve, të cilët në vendin tonë në fund të kësaj lufte ishin më të shumtë në numër se në nisje të saj.

Ne shqiptarët ashtu si edhe në të shkuarën, vazhdojmë ndërtojmë të ardhmen tonë bazuar në këto vlera të larta dhe fisnike kombëtare dhe universale. Besojmë fort që një ditë jo të largët, të bëhemi pjesë e Evropës së Bashkuar, duke bashkëjetuar harmonisht me fqinjët tanë. Si një vend ballkanik, e dimë mirë, se të duash fqinjin nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur luftëra dhe tragjedi kanë ndodhur në të shkuarën tonë të afërt. Shqipëria është kthyer në një model pozitiv në rajon, si një vend që ndërton marrëdhënie shumë të mira me fqinjët.

Të lutemi për suksesin e dëshiruar të dialogut Prishtine-Beograd. Zgjidhje të çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe zhbllokimin e procesit të anëtarësimit të fqinjit tonë lindor në NATO dhe BE. Një rajon gjithnjë e më bashkëpunues dhe ndërveprues në dobi të begatisë, mirëqeniës dhe të ardhmes sonë të përbashkët.

Fryma e tolerancës, bashkëjetesës dhe e mirëkuptimit ndër besime janë vlera të trashëguara prej shekujsh, që duhet t’i ruajmë në traditën më të mirë shqiptare duke investuar më shumë dhe me më shumë përkushtim dhe përgjegjësi.

Meritë të veçantë dhe një kontribut të paçmuar kanë dhënë drejtuesit dhe klerikët e bashkësive tona fetare. Pa arrogancë, pa retorikë helmuese, larg çdo shfaqjeje spektakolare, por në lutje e përulësi, ata na kanë udhëhequr me kurajë drejt këtij modeli bashkëjetese. Inkurajoj dhe lutem që ky model të na udhëheqë të gjithëve, në punën e përditshme, si njerëz vullnetmirë, drejt së mirës të përbashkët, në respekt të njëri-tjetrit, si fqinji më i drejtpërdrejtë dhe i afërt për t’u dashur."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco