Qeveria stepet, super-inceneratorët të vështirë për t'u mbajtur

Qeveria stepet, super-inceneratorët të vështirë për t'u mbajtur

07:33, 21/05/2018
A+ Aa A-

Qeveria ka pranuar së fundmi se kapacitetet për inceneratorët në vend  shkojnë përtej mundësive që ka Shqipëria për t’i mbajtur në gjendje pune por edhe për të respektuar kërkesat që janë vendosur nga Bashkimi Europian për riciklimin dhe rikuperimin. Në një dokument zyrtar të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit argumentohet se janë të paktën tre projekte inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe Tiranë që nëse do të ndërtohen me kapacitetet e parashikuara mund të rezultojnë të dështuar. Përllogaritet se kapaciteti i të tre inceneratorëve së bashku është sa 44% e totalit të mbetjeve që gjenerohen në të gjithë vendin.

“Duke llogaritur mbetjet që gjenerohen në zonat e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës dhe potencialin e sasisë së mbetjeve të djegshme nga njëra anë, dhe nga ana tjetër duke llogaritur se të paktën 60% e mbetjeve te riciklueshme ose vetëm 12 % e totalit do të grumbullohen të veçuara për riciklim, potenciali i djegshëm për këto tre zona vlerësohet rreth 123 mijë ton/vit osë sa 26 % e kapacitetit të projektuar të incineratorëve. Pra, kapaciteti i paplotësuar i incineratorëve llogaritet në rreth 74%. Kjo do të thotë së funksionimi me kapacitet të plotë i këtyre impianteve do të kërkojë furnizimin me mbetje nga i gjithë vendi. Nëse do të ndodhë kështu, do të vërë në dyshim realizimin e objektivave të detyrueshme të BE për riciklimin që në vitin 2033 duhet të arrijë objektivin prej 65% nga mbetjet bashkiake dhe 75% nga mbetjet nga paketimi” thuhet në dokumentin e ministrisë e cila është akoma një draft.

I njëjti nënvizon se vetëm inceneratori i Elbasanit është në punë dhe i përfunduar ndërsa dy të tjerët ende skanë nisur dhe kjo mund të shërbejë si një fazë për rishikimin e kapaciteteve.

“Në këto kushte rekomandohet që qeveria të rishikojë kapacitetet e incineratorëve, të cilat nuk kanë filluar të ndërtohen dhe të përshtaten në funksion dhe në mbështetje të realizimit të politikave të BE për ricklimin dhe rikuperimin” thuhet në strategji.

Financimi i inceneratorëve, si “kërcyen” shpenzimet në 2016-2017

Menaxhimi i integruar i mbetjeve ka të përfshirë si pjesë integrale të tij inceneratorët për të cilët qeveria shqiptare duket se nuk është kursyer. Të dhënat zyrtare për vitet 2010-2017 tregojnë se financimi i investimeve për menaxhimin e integruar të mbetjeve nga burime të brendshme dhe të huaja është rritur me më shumë se tre herë në dy vitet e fundit. Shkak për këtë janë bërë pagesat që bëhen nga buxheti i shtetit për dy inceneratorë.

“Financimi për MIM(menaxhimi i integruar i mbetjeve) është rritur ndjeshëm gjatë viteve 2016 – 2017. Ky ndryshim i dedikohet rritjes së financimit të brendshëm nga buxheti i shtetit, respektivisht me 14.2 dhe 12.5 milionë Euro. Ato janë shpërndarë kryesisht përmes buxhetit të Ministrisë së Mjedisit (sot Ministria e Turizmit dhe  Mjedisit), i cili është destinuar për të përmbushur angazhimet e Qeverisë për ndërtimin dhe mbulimin e kostove kapitale dhe operacionale për incineratorët në Elbasan dhe Fier” thuhet në draftstrategjinë e menaxhimit të mbetjeve.

I njëjti dokument nënvizon se financimi për të mbuluar kostot e inceneratorëve në Elbasan dhe Fier do të vazhdojë përtej vitit 2020. Këta të fundit do të operohen për një periudhë 6 vjeçare nga kompani private të specializuara dhe më pas do u kalojnë bashkive respektive. Lidhur me ineceneratorin e Tiranës draft strategjia nënvizon se ai do të financohet nga sektori privat dhe kostoja llogaritet në 122 milionë euro./Monitor

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco